Një delegacion francez nga Instituti i Studimeve të Larta të Mbrojtjes Kombëtare, i cili kryesohej nga ambasadorja e Republikës të Francës në Tiranë, Christina Vasak, vizitoi të dielën portin e Durrësit.
Delegacioni francez u prit nga zv. drejtori i Përgjithshëm i APD, Petrit Çerçizi, i cili pasi përshëndeti mysafirët nënvizoi rëndësinë e takimeve të tilla.
Gjatë takimit, në sallën e Konferencave të APD-së u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi portin e Durrësit.
Specialistët e promocionit dhe ata të sigurisë portuale prezantuan situatën aktuale në portin e Durrësit, kapacitetet dhe funksionimin e tij, si dhe bashkëpunimin me institucionet dhe organizmat e tjerë në këtë hapësirë.
Ata iu përgjigjën interesimit të përfaqësuesve të institutit francez mbi destinacionet e mallrave si dhe për projektet kryesore që po zbatohen në portin më të madh të vendit.
Delegacioni francez vizitoi më pas dy nga Terminalet e portit, Terminalin Perëndimor dhe atë të Trageteve.