MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Deputeti i Bundestagut: Po-ja për Shqipërinë, lehtësim edhe për…

10.10.2019 - 18:43

Dy deputetë socialdemokratë gjermanë, Metin Hakverdi dhe Christian Petry vizitojnë Maqedoninë dhe Shqipërinë, pas vendimit të marrë nga parlamenti gjerman për hapjen e negociatave. Më 15 tetor mblidhet Këshilli i BE.

Në një intervistë për DW, Hakverdi thotë se Po-ja e Parlamentit gjerman për çeljen e negociatave të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është lehtësim për vendet e tjera.

“Nënshkrimi i dhënë nga konservatorët në Gjermani, bën që edhe fraksione të njëjta në vendet anëtare të BE, ta kenë më të lehtë që të japin aprovimin e tyre. Fakti që për Shqipërinë u prezantua tani një katalog me kushte që duhen plotësuar, me kushte edhe të reja, nuk ka të bëjë me ne. Ka të bëjë me vendimin që mori Unioni Kristiandemokrat Kristiansocial. Por kjo mund të jetë në favor, sepse mund lehtësojë vendet e tjera që të marrin vendim pozitiv“, thotë ai.

Deutsche Welle: Çfarë ndikimi do të ketë vendimi i parlamentit gjerman, Bundestag, mbi vendet e tjera si Holanda dhe Franca për procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut?

Metin Hakverdi: Nëse kemi parasysh çfarë ndodhi në muajin qershor, gjë që unë po e përshkruaj me fjalët e mia, duke thënë se këto dy vende, por edhe vende të tjera u fshehën mbas faktit që Gjermania nuk arriti të merrte vendim. Prandaj atyre kjo iu erdhi për mbarë duke mos dashur të merrnin vendim, meqenëse Gjermania nuk vendosi. Prandaj tani vendimi i marrë nga Bundestagu është shumë i rëndësishëm, sepse jep sinjalin që të gjithë duhet të tregojnë qëndrimin që kanë ndaj kësaj çështjeje, duke mos qenë në gjendje ta shtyjnë ende. Të paktën duke mos e shtyrë dot me të njëjtim arsyetim, si më parë. Po ashtu është shumë e rëndësishme, sepse siç e dini ne, socialdemokratët jemi në pushtet në koalicion me kristiandemokratët, dhe ne e morëm vendimin në kundërshtim me kristiandemokratët. Dhe ishim në gjendje të çonim deri në fund idenë tonë. Por edhe kristiandemokratët dhanë në fund fare nënshkrimin e tyre. Dhe nënshkrimi i dhënë nga konservatorët në Gjermani, bën që edhe fraksione të njëjta në vendet anëtare të BE, ta kenë më të lehtë që të japin aprovimin e tyre. Fakti që për Shqipërinë u prezantua tani një katalog me kushte që duhen plotësuar, me kushte edhe të reja, nuk ka të bëjë me ne. Ka të bëjë me vendimin që mori Unioni Kristiandemokrat Kristiansocial. Por kjo mund të jetë në favor, sepse mund lehtësojë vendet e tjera që të marrin vendim pozitiv.

Deutsche Welle: Hollanda i tha dje “Jo” Shqipërisë. Çfarë ndryshimesh sjell kjo?

Metin Hakverdi: Unë nuk mendoj se ishte “Jo”. Dje në Hagë u mblodh “Komisioni për çështjet europiane” i parlamentit holandez. Ka qenë një takim këshillues i përgatitur më parë. Nuk u dha “Jo” e qartë, por palët nuk kanë qenë të unifikuara në vendimin e tyre. Ministri holandez i Jashtëm, nuk ka dhënë përgjigje të qartë për qëndrimin që mban qeveria holandeze. Që do të thotë se duhet të presim çfarë vendimi do të marrë qeveria. Siç thashë, vendimi i marrë nga Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera, sepse kushtet e vëna mund t’i hapin rrugën Holandës që të marrë vendimin “Po me kushte”.

Deutsche Welle: Kundër vendimit të parlamentit?

Metin Hakverdi: Me sa di unë Kushtetuta në Hollandë është e njëjtë si në Gjermani. Vendimi i Parlamentit nuk është i detyrueshëm për qeverinë. Por, pyetja është a do ia lejojë vetes qeveria që të marrë vendim të ndryshëm nga ai i parlamentit. Në fakt, kjo është një gjë e vështirë. Nga pikëpamja juridike mundësia ekziston. Këtu tek ju në rajon njerëzit kujtojnë se Holanda ka marrë vendim. Kjo nuk është e vërtetë. Holanda nuk ka marrë ende vendim, dhe vendimi që ka marrë nuk është absolut.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN