MENU
klinika

Nga Nezir Kraki

Dita pas zgjedhjeve, dita e parë e Kosovës me shpresë!

08.10.2019 - 08:28

Së pari po ju tregoj diçka si n’besë: Gjithmonë m’kanë impresionu ata që kurrë s’ia qëllojnë!

Nejse, derisa ata ngushëllohen, dy-tri fjalë mund t’i themi. Këto zgjedhje vërtetë ishin fantastike.

U vulos nisja e fundit të PDK-së e cila siç e kam thënë para dy muajve, nëse mbetet jasht buxhetit do shpartallohet nga brenda.

U vazhdua jeta pa ndryshim e AAK-së e cila, nëse ia heqim 2-3% PSD, del se nuk ka përparuar as në përkrahje politike as në shtrirje gjeografike.

U konfirmua fuqia fiktive e PSD-së që sipas Dardanit Molliqajt po vinte si uragan. Bashk me të doli fushës edhe iluzioni i quajtur Shpend Ahmeti si personazh fiktiv në politikë të cilit qytetari ia bëri me dije se po i besonte përrallës së vet dhe se postin e kryetarit të Prishtinës s’e kishte më legjitim.

U shuan dy partitë firma private AKR dhe NISMA të cilat nga thellësia e inekzistencës së tyre e qeverisen Kosovën dy vitet e fundit falë zemërgjerësisë së Ramush Haradinajt. Kjo zemërgjerësi i kushtoi Kosovës qindra miliona rroga fiktive, tendera, punësime, montime e çmontime të projekteve personale. (Tash Dardan Gashi nga NIsma nuk e ka as voten e Teuta Rugoves për tregti. Si jeton ai pa post ministri)

U vërtetua që LDK mbetet parti solide dhe e dobishme e skenës politike edhe pse nga viti 2014 i ka veç 5 mijë vota më shumë (perqindja e njejte 25%). Pa Vjosa Osmanin kandidate LDK nuk do merrte as 20%. Tash, uroj që kastat penguese të izolohen gradualisht nga Vjosa dhe gjeneratat e re e LDK-së.

U dëshmua se LVV nga viti 2017 është partia e parë në Kosovë. Po ashtu u vërtetua se ndarja e saj ishte pa asnjë ndikim në numrin e votave (200 mijë ne vitin 2017, 200 + do jenë tash).

  • Dhe, më e rëndëishmja miq të dashur…

U bë e qartë tashmë se populli i Kosovës nuk është më një tufë delesh që klientelizmi i blen e i shet sa herë të dojë.
Populli i Kosovës e dëshmoi se është në mesin e popujve më të lirë dhe më të vetdijshëm politikisht në Evropë. Prandaj nuk e pranoi më as frustrimin si program politik, as luftimin e korrupsionit si premtim nga të korruptuarit, as partitë firma familjare, as rrenat publike e shpifjet e ulëta që e ndoten këto ditë murin e Mark Zuckerbergut.

A i keni të qarta tash ju analistë argatë e partiash?

Herën tjetër mos u ngutni se mendimi kritik dhe analizat nuk janë zanate që mësohen n’terrasa me makiato. Duhet bagazh intelektual, duhen lexime e njohje e botës për krahasime dhe më së shumti, duhet integritet personal dhe intelektual. Tregoni edhe atij filozofit që 2 javë para apokalipsit, vendosi të rreshtohej me popullin.