Duket paksa e çuditshme, por është e vërtetë. Drejtori turk i Vllaznisë, Engin Firat, është emëruar trajner i ekipit kombëtar të Moldavisë, teksa Shqipëria e mposhti së fundmi 4-0 në shtëpinë e vet.
Firat erdhi dhe u largua nga Shkodra pa lënë asnjë gjurmë. I ndikuar dhe nga rrethanat dhe kushtet e Vllaznisë, zyrtari kuqeblu nuk bëri asgjë. Deklarata boshe për sigurim të ardhurash, ngjitje në majë dhe në fund një vrimë të madhe në ujë.
Federata moldave ka prezantuar turkun që pason në këtë pozitë Semen Altman. Ukrainasi u largua pas humbjes ndaj Shqipërisë. Firat do të mbyllë eliminatoret me Moldavinë dhe do të luajë kundër Francës dhe Islandës.
Shanset që të marrë pikë janë minimale, ndërsa më pas do të diskutohet për vazhdimësinë. Një largim pa zhurmë i turkut nga Shkodra, por që duket se është akomoduar mirë.