MENU
klinika

Një vështrim i trashëgimisë së Ajnshtajnit

E shkuara dhe e ardhmja, një njohje më e plotë me aktorët kryesorë

12.10.2019 - 08:28

Ka kaluar më shumë se një shekull nga koha që Ajnshtajni rrëzoi konceptet e hapësirës dhe kohës absolute të Njutonit e filloi të vendosë bazat e trashëgimisë së tij shkencore.

Gjatë shekullit në vazhdim, trashëgimia e Ajnshtajnit është shtuar duke përfshirë, ndërmjet shumë të tjerash, kurbaturën e hapësirës e të kohës dhe një koleksion objektesh ekzotike, tërësisht të lidhur me këtë kurbaturë: vrimat e zeza, valët gravitacionale, singularitetet (lakuriq e të veshura), vrimat krimbore dhe makinat e udhëtimeve në kohë.

Secili nga këto objekte, në njërin apo tjetrin moment historik, është konsideruar nga fizikanët si i tepruar.

Vëmë në dukje skepticizmin e demonstruar me forcë nga Edingtoni e Uileri, bile edhe vetë Ajnshtajni kundrejt vrimave të zeza. Edingtoni dhe Ajnshtajni vdiqën më përpara se të demonstrohej se ata gabonin lidhur me këtë, kurse Uileri ndërroi mendim gjersa u bë mbrojtës i flaktë i ekzistencës së vrimave të zeza.

Gjatë viteve ’40 dhe ’50 të shekullit të kaluar, një numër i madh fizikanësh, duke u bazuar në interpretimet e gabuara matematike, të cilat ata i përdornin për studimin e relativitetit të përgjithshëm, ishin veçanërisht mosbesues përsa i përket valëve gravitacionale (rrudhave të kurbaturës) – kjo do të ishte objekt i një libri, por edhe ky mosbesim, mbas shumë kohe, u zhduk.

Ka qenë tmerrësisht e pabesueshme për shumicën e fizikanëve dhe mbetet përsëri e tillë, për disa prej tyre, zbulimi se singularitetet janë rrjedhim i paevitueshëm i ligjeve të relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit.

Disa fizikanë shprehen se kanë besim mbi supozimin e Penrëse të censurës kozmike (gjithë singularitetet janë të mbuluar, singuleritetet lakuriqe janë të ndaluar); por, nëse çensura kozmike është e drejtë ose jo, shumica e fizikanëve, ashtu si Uileri, llogarisin se është graviteti kuantik që do vendosë – për t’i zotëruar e drejtuar singularitetet, ashtu si ligjet e gravitetit të Njutonit e të Ajnshtajnit sundojnë botën e planetëve dhe kontrollojnë orbitat e tyre përqark Diellit.

Për pjesën dërrmuese të fizikanëve vrimat krimbore dhe makinat e kthimit në kohë shihen si teprime, edhe pse ligjet e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit e autorizojnë ekzistencën e tyre.

Fizikanët skeptikë, megjithatë, mund të ngushëllohen duke mësuar se vrimat krimbore e makinat e udhëtimeve në kohë nuk qeverisen nga ligjet toleruese të relativitetit të përgjithshëm, por nga ligje shumë më kufizuese të fushave në hapësirën e përkulur dhe të gravitetit kuantik. Kur t’i njohim më mirë këta të fundit, ndoshta ata do të na thonë pa mëdyshje se ligjet e fizikës mbrojnë gjithmonë Universin nga vrimat krimbore dhe makinat e kthimit në kohë – ose të paktën nga makinat e kthimit në kohë. Të presim.

  • Çfarë mund të presim nga shekulli në vazhdim, shekullit të dytë të trashëgimisë së Ajnshtajnit?

Ka shumë arsye të mendohet se njohja jonë mbi hapësirën, kohën dhe kurbaturën e hapësirë-kohës do të tronditet (revolucionarizohet), të paktën aq sa në gjysmën e parë të shekullit që u mbyll. Fara për pritjen e kësaj tronditje është mbjellë.

Detektorët e valëve gravitacionale ka mundësi të na sjellin shumë shpejt hartën e vrimave të zeza si dhe simfonitë e lindura nga ndeshjet e tyre – simfoni të pasura me informacione të reja mbi:

1. Mënyrën si sillet hapësira e përkulur kur dridhet vrullshëm. Me simulimet nëpërmjet ordinatorëve gjigantë do të provohet të riprodhohen këto simfoni për të na treguar se çfarë përmbahet në to. Vrimat e zeza, në këto kushte do të bëhen objekte studimesh eksperimentale të detajuar. Çfarë do të mësojmë nga këto studime të detajuara? Me siguri do të ketë të papritura.

Eshtë më se e pritshme që herët apo vonë gjatë shekullit xxi, pa dyshim më herët se vonë, një fizikan i inspiruar do të zbulojë ligjet e gravitetit kuantik dhe ato do të na shpalosin pastaj detajet e tyre më intime.
Me ligjet e gravitetit kuantik në zotërim do mund të përcaktohet si ka lindur Universi, si ka dalë ai prej morisë së flluskave apo shkumës kuantike të singularitetit të big beng. Do të kuptojmë, ndoshta, se çfarë duam të themi kur përgjigjemi se nuk ka asnjë kuptim pyetja që aq shpesh na bëhet: «Çfarë ka pasur para big bengut?». Ndoshta do të mësojmë nëse vërtet nga shkuma kuantike janë prodhuar një numër i madh universesh, do të mësojmë gjithë hollësitë e mënyrës se si Universi ka përfunduar në singularitetin qendror të një vrime të zezë ose big crunch, nëse Universi është rikrijuar nga e para dhe në ç’mënyrë e në cilin vend.

Do të mësojmë gjithashtu nëse ligjet e gravitacionit kuantik e lejojnë apo e pengojnë formimin e makinave të kthimit në kohë: do të vetëshkatërrohen vallë, pikërisht në momentin kur ato aktivohen?

Ligjet e gravitetit kuantik nuk përbëjnë pikën finale të udhës që na ka drejtuar prej Njutonit në relativitetin special, pastaj në relativitetin e përgjithshëm e në teorinë kuantike e më në fund në gravitacionin kuantik. Ligjet e gravitacionit kuantik duhet të unifikohen me ligjet që përcaktojnë natyrën e forcave të tjera fundamentale: forcat elektromagnetike, forcat e bashkëveprimit të dobët dhe forcat e forta. Eshtë githashtu e mundur që në vazhdim të shekullit xxi të arrijmë ta kuptojmë me hollësi këtë unifikim- përsëri, pa dyshim, më shpejt se më vonë. Ky unifikim do të ndryshonte në mënyrë radikale kuptimin tonë mbi Universin.
Çfarë tjetër mund të presim? Mendoj se askush nuk mund të bëjë parashikime jashtë këtyre që kemi vënë në dukje – megjithatë e rëndësishme është të shpresojmë se ka mundësi t’ia arrijmë kësaj dite për sa jemi ende gjallë si ju edhe unë.

  • Disa nga peronazhet kryesore

Albert Ajnshtajni kaloi pjesën më të madhe të njëzet e pesë viteve të fundit të jetës, në tentativën e pasuksesshme për unifikimin e ligjeve të tij të relativitetit të përgjithshëm me ligjet e elektromagnetizmit të Maksuellit. Ai nuk pranonte se unifikimi më i rëndësishëm ishte ai ndërmjet gravitacionit dhe mekanikës kuantike. Vdiq në Prinseton më 1955, në moshën shtatëdhjetegjashtë vjeçare.

Subrahmanijan Shandrazekar vazhdon thellimin në të fshehtat e ekuacioneve të Ajnshtajnit, shpesh në bashkëpunim me kolegë shumë më të rinj. Gjatë viteve të fundit ka sjellë mjaft të reja mbi pulsacionet e yjeve dhe mbi ndeshjen e valëve gravitacionale. Vdes më 1995.

Fritz Zuicki (Zwicky), me kalimin e viteve, është bërë nga pak e më pak teoricien, në shumë e më shumë astronom vëzhgues. Ka hedhur vazhdimisht ide profetike dhe në kundërshtim me mendimin e përgjithshëm, por pa argumentim teorik. La vendin e tij në Kaltek duke dalë në pension më 1968 dhe u vendos në Zvicër. Vitet e fundit i kaloi me promovimin e drejtimit të brendshëm personal drejt njohjes : »Metoda morfologjike». Vdiq më 1974.

Lev Davidoviç Landau e mori veten intelektualisht, por asnjëherë emocionalisht, prej viteve që kaloi në burg (1938-39). Vazhdoi të jetë figura dominuese dhe mësuesi më i respektuar ndërmjet fizikanëve teorikë sovjetik. Më 1962, u plagos rëndë në një aksident me makinë që i shkaktoi dëmtime në tru, të cilat ia ndërruan personalitetin dhe i hoqën kapacitetin për t’u marrë me fizikë. Vdiq më 1968, por miqtë e tij më të mirë thoshin: »Për mua, Dau ka vdekur më 1962».

Jakov Borizoviç Zeldoviç mbetet astrofizikani me ndikimin më të madh në botë për vitet ’70 gjer në vitet ’80. Mirëpo, më 1978, gjatë një konflikti tragjik ndërmjet tij dhe bashkëpunëtorëve, ai i ndërpreu lidhjet me pjesën më të madhe të grupit të tij kërkimor (grupi më i fuqishëm për astrofizikën teorike që ka njohur bota gjer më sot).

Provoi të rikonstruktojë një ekip me kolegë të rinj, por ia arriti vetëm pjesërisht qëllimit. Në vitet ’80 u bë udhëheqës shpirtëror për astrofizikanët dhe kozmologët e gjithë botës. Vdiq nga një krizë në zemër, në Moskë më 1987, pak kohë mbas ndryshimeve politike të Gorbaçovit, që i dhanë mundësi të shkonte për herë të parë në Amerikë.

Igor Dimitrieviç Novikov mori drejtimin e grupit kërkimor të Zeldoviçit kur ky i fundit u nda nga grupi. Gjatë viteve ’80, e ruajti kompaktësinë e grupit me të njëjtin zjarr të paraardhësit. Megjiuthatë, pa Zeldoviçin, grupi pushoi së qeni mjaft përpara të tjerëve, por duke mbetur megjithatë një ndër më të mirët e botës. Mbas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe pas një operacioni në zemër, Novikovi u zhvendos në universitetin e Kopenhagenit, ku krijon një Qendër te re për astrofizikën teorike.

Vitalij Lazareviç Zhinzburg, në moshën shtatëdhjeteshtatë vjeçare, vazhdonte kërkime kulmore në degë të ndryshme të fizikës dhe astrofizikës. Gjatë internimit të Andrej Saharovit në Gorki, edhe pse ky ishte disidenti i padiskutueshëm i Institutit Lebedjev të Moskës, ai refuzoi ta pushonte nga detyra dhe iu vu në mbrojtje. Gjatë perestrojkës së Gorbaçovit, të dy u zgjodhën për në Dhomën e deputetëve të popullit për Bashkimin sovjetik, ku propozuan reforma. Saharovi vdiq më 1989 nga zemra, kurse Zhinzburg më 2003.

Jacob Robert Openhajmer (Oppenheimer) u kthye në hero për pjesën më të madhe të komunitetit të fizikanëve, ndërkohë që mbas një mbledhje më 1954, iu mohua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara mundësia të futej në sekretet shtetërore të armatimit. Nuk iu rikthye më kërkimeve shkencore, por qëndroi në kontakt të ngushtë me të gjitha degët e fizikës dhe, deri në vdekje (kancer më 1967), qe shumë i dobishëm për fizikanët e rinj kur iu duhej të vinin në provë idetë e tyre.

Xhon Uiler, edhe mbas moshës tetëdhjetë e dy vjeçare, vazhdoi të punojë mbi unifikimin e relativitetit të përgjithshëm me mekanikën kuantike. Ka qenë burim frymëzimi për brezat e rinj nëpërmjet kurseve e shkrimeve, në mënyrë të veçantë me librin A Journey into Gravitation and Spacetime (1990). Ka vdekur më 2008.

Roxher Penroz (Roger Penrose) njëlloj si Uileri dhe shumë të tjerë është shumë i interesuar mbi shkrirjen e relativitetit të përgjithshëm me mekanikën kuantike si dhe mbi ligjet e pakuptuar mirë të gravitetit kuantik, që duhet të rrjedhin prej kësaj shkrirjeje. I ka paraqitur idetë e tij origjinale në një libër jo për fizikanë The Emperor’s New Mind (1989) i përkthyer në frëngjisht me titullin Shpirti, ordinatorët dhe ligjet e fizikës. Shumë fizikanë janë mosbesues mbi idetë e tij, por që shpesh në të kaluarën kanë rezultuar të drejta.

Stiven Houking (Stephen Hawking), vazhdon edhe ky të jetë i obsesionuar me ligjet e gravitacionit kuantik e në mënyrë të veçantë mbi atë që këto ligje parashikojnë mbi origjinën e Universit. Si edhe Penroz, ai ka shkruar një libër për lexuesin jospecialist, ku ka ekspozuar idetë e veta, Një histori e shkurtër e kohës (1988). Me gjithë sëmundjen e vazhdueshme, shëndeti i tij reziston.