MENU
klinika

“Shën Naumi i plaçkitur”

Është kaq afër për të mos qenë “yni”

17.10.2019 - 18:40

      Studiuesit shqiptarë e argumentojnë si shitje mirëfilli nga mbreti Zog, kurse Mehdi Frashëri e quan një veprim të zgjuar. Është fare pak larg nga kufiri ynë dhe për çdo shqiptar, Shën Naumi është ende yni, ndërsa Zogu ia fali Pashiçit. Dokumene, libra, argumente kanë mbushur historinë për një hapësirë të shenjtë, vetëm pak larg. Vetëm disa qindra metra (gati një kilometër) dhe rruga mund të përshkohet edhe me mjete rrethanore. Ndërsa nga Tushemishti në Shën Naum, fare mirë mund të ikësh më këmbë.

Manastirit i Shën Naumit është shumë afër me kufirin shqiptar. Gjithsesi, i gjithë ky vend në pak kilometra katror, mbeti vendi i lakmueshëm dhe i përfolur, kurse dy liderët komunistë fqinjë, që u takuan vetëm një herë në jetën e tyre, e zgjidhën ndryshe.  Tito ndërtoi një shtëpi pushimi, shumë afër manastirit. Kurse pak qindra metra më andej, Enver Hoxha bënte pushimet e tij të stërgjata në burimet e Volarekës. Lufta e ftohtë ngjante groteske në verë, në Pogradec, kur dy liderët mund të takoheshin dhe me një ecje të qetë… Turistë pa fund me çantat e shpinës, apo më të zgjuarit me motorë. Ndërsa të tjerë me makina, e përshkruajmë në të njëjtën kohë kufirin.

Shën Naumi është pjesë e guidës turistike të Ohrit dhe bashkë me qytetin, një nga shumë sitet nën kujdesin botëror nga UNESCO, si site kulturore dhe natyrale. Jeta e Shën Naumit është e përshkruar në shumë punë në letra. Kisha, që mban eshtrat e tij, nderohet sepse ky personazh është mes themeluesve asketikë nga letërsia e religjionit bullgar. Thuhej se, Shën Naumi kishte mrekullinë e shërimit të sëmundjeve. Madje, po të vësh veshin në sarkofagun që mban reliktet e asketit do të dëgjosh goditjet e zemrës së vet. Shqipëria e mbajti manastirin e nxënësit të Shën Klementit, për një periudhë të shkurtër që nga 1912 deri më 28 qershor 1925, kohë kur ia lëshoi Jugosllavisë si një gjest të vullnetit të mirë.

 

 

Nga prof. Kristo Frashëri:

Shën Naumi dhe Vermoshi janë emrat e dy territoreve, të cilat Ahmet Zogu ia dhuroi Jugosllavisë në vitin 1925 (dhuratë e cila u legalizua në vitin 1926) si shpërblim për ndihmën politike, financiare dhe ushtarake që atij i dha kryeministri serb Nikolla Pashiçi për të shtypur në dhjetor 1924 qeverinë revolucionare të Fan Nolit dhe për të rivendosur autoritetin e vet pushtetor në Shqipëri. Ky ndryshim i padrejtë i kufirit shqiptaro-jugosllav në dëm të Shqipërisë, është kritikuar vazhdimisht gjatë këtyre tetë dekadave të fundit që kur ajo u nënshkrua, madje vazhdon të kritikohet edhe në ditët tona. Megjithatë, një histori e plotë dhe e dokumentuar për këtë ngjarje kaq të debatuar, për shkak të fondit jo të plotë të burimeve historike, ende nuk njihet nga publiku shqiptar dhe ndërkombëtar në thellësinë dhe në gjerësinë e saj. Botimi i vëllimit dokumentar me materialet e Arkivit Qendror të Shtetit, përgatitur nga Prof. Kaliopi Naska, me titull “Shën Naumi dhe diplomacia e kohës” (shtëpia botuese “Kristalina – K.H.”, Tiranë 2012), krijoi mundësinë për një ritrajtim më të thelluar dhe më të dokumentuar të këtij problemi herë pas here të debatuar. Paraprakisht pohojmë se kritikat e vazhdueshme që e dënonin Ahmet Zogun për cenimin e integritetit territorial të atdheut tani vërtetohen katërcipërisht. Madje, tani del e qartë se përgjegjës nuk qe vetëm A. Zogu, në atë kohë President i Republikës së Shqipërisë, por edhe Asambleja Legjislative, e përbërë në atë kohë nga
Parlamenti dhe nga Senati. Kjo për arsye se deputetët dhe senatorët e shkelën dinjitetin e tyre politik dhe patriotik dhe ndoshta pa qenë të ndërgjegjshëm, u bënë bashkëpunëtorë dhe bashkëfajtorë me Ahmet Zogun.

 

Parahistoria e çështjes së Manastirit të Shën Naumit dhe të Velipojës së Vermoshit fillon në vitin 1913.

Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia, Gjermania, AustroHungaria dhe Italia) në Londër, nën kryesinë e ministrit të Jashtëm britanik Eduard Grey-it, pasi miratoi më 29 korrik 1913 statusin politik të Shqipërisë si një principatë e pavarur nën garancinë dhe nën kontrollin e gjashtë Fuqive të Mëdha, mori përsipër të caktonte ajo vetë pa pyetur popullsinë vendëse dhe pa u këshilluar
me statistikat demografike të kohës, kufijtë e shtetit të ri shqiptar.

Më 1913 Mali i Zi ishte mbretëri më vete, me kryeqytet Cetinën, e shkëputur nga mbretëria e Serbisë, me kryeqytet Beogradin. Si rrjedhim, Vermoshi, cepi më verior i Kelmendit, bënte pjesë në kufirin shqiptaromalazez, kurse Manastiri i Shën Naumit tani me disfatën e Perandorisë Osmane, në kufirin shqiptaroserb. Me protokollin që konferenca nënshkroi më 11 gusht 1913 u caktua në parim vija e kufirit shqiptaro-malazez dhe shqiptaro-serb. Në kufirin shqiptaro-malazez në sektorin e Vermoshit nuk u bë ndryshim, por u miratua vija e kufirit që ekzistonte më parë midis Malit të Zi dhe
Turqisë.

Brenda kufirit të shtetit shqiptar u përfshi ashtu siç ishte dhe më parë, gjithë treva e fshatit Vermosh. Pikë referimi e këtij kufiri ishte karakolli turk (posti i rojës kufitare) që kishte ndërtuar administrata osmane. Në kufirin shqiptaro-serb në mungesë të një kufiri të mëparshëm, Fuqitë e Mëdha u detyruan të caktonin një kufi të ri. Kufiri i ri u caktua në parim në protokollin e nënshkruar prej tyre më 11 gusht 1913. Në nenin 2 të këtij protokolli
thuhej tekstualisht: “Që tani është e vendosur… që kazaja e vjetër osmane e Korçës me bregun perëndimor dhe jugor të liqenit të Ohrit, që shtrihet që nga fshati Lin deri në Manastirin e Shën Naumit, janë pjesë përbërëse e Shqipërisë”. (A. Puto. Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare. Vëll. II. 1912-1918, Tiranë, 1987, f. 287. Shih gjithashtu: A. Puto. Idem. Vëll.III Tiranë 2001, f. 78). Kjo do të thotë se Shën Naumi ashtu si krejt fshati
Vermosh me bjeshkët dhe kullotat e tij qenë përfshirë brenda kufirit të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha që më 1913. Pra, gjithë territoret që bënin pjesë në kazanë turke të Korçës do të përfshiheshin brenda kufijve të Shqipërisë, kurse në liqenin e Ohrit kufiri i ri shqiptaroserb do të ndiqte pjesën perëndimore të ujërave të liqenit të Ohrit që nga fshati Lin deri në Manastirin e Shën Naumit. Cetina kërkoi rishikimin e vendimit të
Konferencës së Ambasadorëve për çështje kullotash në Velipojën e Vermoshit, e cila sipas saj u kishte shërbyer banorëve malazezë të fshatrave fqinje. Përkundrazi, qeveria e Beogradit përveç argumentit fetar se gjoja  Manastiri i Shën Naumit ishte një vend i shenjtë serb, ajo e interpretoi përmbajtjen e nenit nr. 2 në favor të Serbisë.

 


Sipas saj, parafjala “deri” në Manastirin e Shën Naumit do të thoshte se Manastiri i Shën Naumit mbetej jashtë kufirit të Shqipërisë, pra brenda kufirit të Serbisë. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore interpretimi i saktë i nenit 2 të Protokollit mbeti pa u sqaruar. Në bazë interpretimit të saj, ajo vazhdoi ta mbante të okupuar me ushtritë e saj manastirin, gjoja se i përkiste Serbisë.
Pas luftës kur Mali i Zi u përfshi në Mbretërinë e Jugosllavisë, e cila në fillim u quajt “Mbretëria serbokroato-sllovene”, çështjen e rishikimit të kufirit në të dy këta sektorë e ndoqi qeveria jugosllave me qendër në Beograd. Madje, së bashku me rishikimin e kufirit në sektorin e manastirit të Shën Naumit qeveria jugosllave ngriti edhe rishikimin e kufirit në sektorin malazez. Argumentet që qeveria jugosllave sillte për aneksimin e Manastirit të Shën Naumit kishin si dhe më parë karakter fetar. Sipas saj, Manastiri ishte një vend i shenjtë për serbët dhe për këtë arsye, i takonte Serbisë. Në të vërtetë, Manastiri i Shën Naumit nuk kishte karakter fetar serb, por shqiptaro-maqedon. Ai ishte ndërtuar në shekullin IX në kohën e Perandorisë Bullgare nga predikatori sllav Naumi, i cili kishte vepruar për mjaft kohë në Shqipërinë e Jugut.

Kisha e ndërtuar brenda Manastirit i kushtohet kryeengjëllit Mëhill. Kisha e sotme është rindërtuar në shekullin XVI mbi themelet e kishës së vjetër nga popullsia e krishterë maqedone dhe shqiptare që banon në afërsi të saj. Muret  e kishës kanë qenë pajisur me afreske të pikturuara nga piktori Nikolla, biri i Onufrit të madh nga Elbasani. Në ikonostasin e punuar në dru ka edhe ikona të punuara nga piktori shqiptar i shekullit XVII-XVIII Kostandin Jeromonaku. Në muret e kishës ka gjithashtu afreske të punuara nga piktori korçar Tërpo, i biri i Athanas Zografit, gjithashtu piktor me emër. Midis pjesëtarëve të Manastirit të Shën Naumit ka patur jo vetëm murgj (kallogjerë), por edhe igumenë (drejtues) me kombësi shqiptare. Veç kësaj, në Manastirin e Shën Naumit kryenin pelegrinazh ditën e Shën Mërisë së Gushtit jo vetëm vizitorë maqedonë, por edhe shqiptarë nga rrethet e Shqipërisë Juglindore.

Në lidhje me Vermoshin, Jugosllavia nuk kishte argumente etnikë apo historikë. Kjo për arsye se Vermoshi me pyje prej ahu dhe pishe, me kullota të pasura për shtegtime verore, me banorë krejtësisht shqiptarë katolikë dhe pjesë e pandarë e krahinës së Kelmendit, nuk përmbante asnjë argument që të justifikohej aneksimi i saj nga Jugosllavia, përveç sulmeve që ndërmerrte ndonjë nga fiset malazeze për të siguruar për vete kullotat dhe për të rrëmbyer bagëti.

 

Përmes luginës së Vermoshit, i cili ndodhet në ekstremin verior të Malësisë së Kelmendit, kalon lumi Cem. Përtej lumit Cem shtrihen kullotat e Vermoshit. Për shekuj në këto kullota shtegtonin gjatë verës bagëtitë e dy bajrakeve të Kelmendit – të Vuklit dhe të Nikçit. Këto kullota, të cilat njihen nga vendësit me emrin Velipojë (Fusha e Zanave) me legjenda të pasura të mitologjisë shqiptare, i lakmonin vazhdimisht fiset fqinje malazeze.
Me këtë rast kujtojmë se malësorët e Vuklit, të cilët gjatë dimrit shtegtonin për vërri në kullotat pranë derdhjes së lumit Bunë, ia vunë vendit ku ngritën banesat e tyre në këto kullota emrin Velipojë, në kujtim të Velipojës së Vermoshit. Inkursionet e fiseve malazeze, të cilët i lakmonin këto kullota, qenë prapsur vazhdimisht nga malësorët e Vermoshit, duke lënë edhe të vrarë në këtë pllajë.

Sipas “Kanunit të Maleve”, këto varre kishinshërbyer si piramida kufiri. Për të penguar inkursionet e malazezëve në luginën e Vermoshit, administrata osmane kishte ndërtuar edhe një postë kufitare (karakoll) si dëshmi se pllaja dhe pylli i takonin Vermoshit. Vendimi i Fuqive të Mëdha për të dy këto sektorë nuk linte vend për diskutim, as për rishikim./Konica.al

Lëvizje e shtuar në Kapshticë

Emigrantët kthehen për festat e fundvitit

Korça, Tirana, Vlora e Shkodra destinacionet më të preferuara

Të huajt zgjedhin Shqipërinë për festat e fundvitit!

Nëna kërkon ndihmë nga policia

Zhduket në rrethana misterioze 16-vjeçari

150 familje mbeten pa energji elektrike

Rikthehet dëbora në juglindje të vendit