E diela ka qenë e veçantë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Kastriot Dermaku, teksa debutoi si titullar me Parmën në Serie A. Skuadra e tij fitoi 5-1 ndaj Genoa-s dhe pas ndeshjes ai foli në konferencën për shtyp.
Emocionet – “Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, sepse mos harroni që jam 27 vjeç. Shokët më kanë ndihmuar shumë, kemi luajtur mirë dhe kështu debutimi im është lehtësuar. Jam shumë i lumtur.
Ne ishim mirë edhe në momente vuajtjesh, ndërsa shfrytëzuam çdo mundësi që kishim. E dimë se cili është qëllimi dhe nuk duhet të fluturojmë. Tani le të festojmë pak dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen tjetër në Milano.
Për mua ishte e rëndësishme të isha gati për debutim. Më duhet t’i falënderoj të gjithë, që më bënë të ndihesha i qetë. E dija që herët a vonë do të vinte koha, jam i kënaqur që debutova.”
Pse u zëvendësova? “Kisha dhimbje barku, mbase isha pak i lodhur, por asgjë shqetësuese. Bruno Alves? Ne e dimë sa e vështirë është Serie A. Bruno Alves është një referencë për mua, një kampion, prej të cilit përpiqem të mësoj gjithmonë. Ai është një shembull, është partneri më i fortë, me të cilin kam luajtur ndonjëherë. Unë vetëm mund të rritem pranë tij.”
Kombëtarja? “E falënderoj stafin teknik që më dha besim në dy eliminatoret e tetorit, pavarësisht se nuk kisha luajtur te Parma. Atje më dhanë minuta, duke më bërë të luaja në ndeshje të rëndësishme.
Edhe babai im, sapo dëgjoi se do të luaja në formacion, erdhi menjëherë nga Kosova. Duhet të punojmë si në këtë ndeshje, të japim maksimumin në çdo stërvitje.
Sa më shpejt të arrijmë te goli, aq më mirë. Stimuli dhe motivimi bën ndryshimin. Tani le të shohim se si trajneri vendos ta përgatisë ndeshjen kundër Interit. Ne e dimë se do të jetë shumë e vështirë”
SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al në ballinën e rubrikës së sportit