Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë ndryshimet në ligjin për sistemin e taksave vendore, duke iu dhënë të drejtën të gjithë pronarëve të banesave të dëmtuara nga lëkundjet e tërmetit që të ndërtojnë banesat pa paguar këtë taksë.
“Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse investimet për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore, sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile” thuhet në VKM. Ndërkohë të gjitha banesat e raportuara si të dëmtuara, duhet të plotësojnë disa kushte dhe të dorëzojnë dokumente që të përfitojnë përjashtimin nga ky detyrim që po ashtu do të përcaktohen me VKM.
![](https://konica.al/wp-content/uploads/2019/09/ter-ter-termet.jpg)
Po ashtu familjet e prekura nga tërmeti nuk do të paguajnë as taksën e infrastrukturës në momentin që do të aplikojnë për tu pajisur me lejen e rindërtimit apo restaurimit të banesave të tyre.
E paralajmëruar disa orë më parë nga kryeministri Edi Rama, Këshilli i Ministrave ka vendosur që ndërtuesit duhet ti dorëzojë blerësit të banesës përveç kontratës së pronësisë edhe një kontratë sigurimi me afat 10 vjeçar, e cila do të bëjë të mundur edhe mbulimin e dëmeve të ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë. Kjo iu jep mundësinë qytetarëve që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, banesat që blejnë të jenë të siguruara nga fatkeqësi të tilla sicc ishte tërmeti i 21 shtatorit.
“Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme” thuhet ndër të tjera në VKM.
Po ashtu siç ishte paralajmëruar janë shtuar në fondin e rezervave të shtetit 500 mijë lekë të reja, duke e rritur fondin nga 1.5 milionë lekë që ishte në 2 milionë lekë. Ky fond do të shkojë për familjet e dëmtuara nga tërmeti përveç fondit të emergjencave që është 130 milionë lekë.
Duke qenë se gjatë lëkundjeve të tërmetit ka pasur shumë defekte dhe bllokime të qytetarëve në ashensor, Këshilli i Ministrave me kërkesë të Ministrisë së Financave ka vendosur që brenda datës 31 dhjetor 2020 kompanitë të kenë kryer ekzaminimin e të gjithë ashensorëve që janë vendosur në shërbim deri në fund të këtij viti.