MENU
klinika

Ekipi italian në kërkim të një trajneri

Gattuso refuzon/ Kontaktohet ish-mesfushori i Interit të tripletës!

02.10.2019 - 20:10

Një fitore, dy barazime dhe tre humbje në 6 javët e para për Genoan, kanë bërë që të lëkunden pozitat e trajnerit të emëruar vetëm këtë verë në stol, Aurelio Andreazzoli, të cilin tashmë mund ta shpëtojë vetëm fitorja në sfidën e të shtunës në mbrëmje ndaj Milanit.

Për të qenë i përgatitur për situatën që mund të krijohet pas ndeshejs së të shtunës presidentin gjenovez Preziosi ka kontaktuar me Genaro Gattuson, për të folur për mundësitë e uljes së tij në stolin kuqeblu.

Megjithatë mediat italiane raportojnë se ish trajneri i Milanit ka refuzuar projektin e Genoas, pasi nuk ka qenë i bindur dhe është shprehur se pret një sfidë më interesante, në një skuadër që pretendon më shumë sesa mesi i tabelës.

Alternativat e tjera që mund të merren në konsideratë në rast të largimit të Adreazzolit janë ish trajneri i Fiorentinës Stefano Pioli, ish futbollisti i Genoas Davide Nicola dhe ish futbollisti i Interit të tripletës, Thiago Motta.

Ky i fundit mbylli në verë eksperiencën si trajner i ekipit U19 të Paris Saint Germain, klub ku edhe i dha fund karrierës si futbollist profesionist dhe tani është gati për një sfidë të rëndësishme si stoli i Genoas, por kjo zgjidhje do të ishte një bast për presidentin Preziosi.

Thiago Motta ka qenë pjesë e Genoas në sezonin 2008-2009 dhe ka raporte të shkëlqyera me presidentin e klubit, por ky i fundit ka kohë të mendohet ende për zgjidhjen e tij, gjithmonë nëse Genoa nuk do fitojë ndaj Milanit, pasi nëse kjo ndodh, atëherë pankina i takon Andreazzolit.