Një nga ligjëratat më të njohura të Imam Aliut është quajtur ‘Gharra’.
Ai është cilësuar si një nga imamët më të mëdhenj që posedonte një dituri të jashtëzakonshme.
Profeti Muhamed thotë: “ Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylkari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”.
Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm.
Ligjërata e plotë ‘Gharra’ e Imam Aliut:
“Lavdi pastë Zoti, Që është përmbi çdo gjë tjetër dhe Që është pranë Krijimit përmes Mirësisë e Dijes së Tij. Ai është Falësi i gjithë shpërblimeve e shquarjeve dhe Shpërndarësi i reve të mjerimit dhe vështirësive. Lëvduar qoftë Zoti për mëshirën e Tij të përjetshme dhe për bujarinë e Tij të pafund. I besoj, sepse Ai është i Shfaquri dhe i Pari në gjithçka; i kërkoj të më udhëheqë, sepse Ai është më i Afërti dhe Udhërrëfenjësi; i lyp ndihmë, sepse Ai është i Fuqishmi e Ngadhnjyesi; dhe ia besoj Atij gjithçka, se Ai është i Mjaftueshmi dhe Përkrahësi. E, po ashtu, dëshmoj se Muhamedi është shërbëtori i Tij e Profeti i Tij, se Ai e dërgoi për rrënjosjen e porosive të Tij, për përhapjen e Mesazhit Përfundimtar të Tij e për të dhënë paralajmërimet e Tij.
Thirrje njerëzve për përkushtim:
O krijesa të Zotit, ju këshilloj të keni frikë nga Ai, se Ai ka dhënë shumë shembuj e caktuar zgjatje për jetët tuaja ju ka dhënë mbulesën e veshjes dhe ju ka shpërndarë mjete jetese; ju ka rrethuar me dije e Tij e ju ka caktuar shpërblime; ju ka dhuruar mirësi të pamata e dhënë dhurata të panumërta; ju ka paralajmëruar nëpërmjet fakteve tepër te thella e ju ka numëruar nëpërmjet numrave; dhe ju ka caktuar moshën në këtë vend prove e këtë shtëpi, ku jepet mësim. Në këtë botë jeni për provë dhe për këtë do jepni provim.
Kujdes prej kësaj bote:
S’kan dyshim që ajo është vend rrëkesh të ndyra e të turbullta dhe burim kënaqësish të ndotura.
Dukja e saj është joshëse, por brendësia e saj është shkatërronjëse. Ajo është ëndërr që përfundon shpejt, pasqyrim që daravitet, hije që nxiton për në terr dhe shtyllë e anuar. Gati për të rënë. Kur përbuzësi i saj fillon ta pëlqejë dhe mosnjohësi i saj gjen në të hare, ajo ngrihet dhe fërkon duart, i mbërthen që të dy në kurthin e saj, i bën shenjë për shigjetat e saj dhe u vërvit lakun e litarit të vdekjes përreth qafës; pastaj i flak në varrin e ngushtë, si në një banesë të frikshme, për t u thënë se ai është vendi ku duhet të rrinë deri sa të marrë hakun për veprimet e tyre. Kështu vazhdon brez më brez: Vdekja nuk i ndalon dot në rrënimin e tyre dhe mbijetuesit nuk i druhen aktit të mëkatit.
Vdekja dhe Ringjallja
Ata ndjekin pas njëri-tjetrin për të vazhduar turma-turma drejt kufirit të fundit e takimit me vdekjen, dhe kështu përfundon çdo gjë; Bota vdes e ringjallja afrohet dhe më shumë. Atë ditë Zoti do t i nxjerrë jashtë barkut të varreve a nga foletë e zogjve, strofkat e bishave e gjithë vendet e tjera, ku vdekja i ka shpurrë apo proftasur. Atëherë do nguten nën komandën e Tij e do të vrapojnë si kope pa gojë, më këmbë e me ngutje, dallgë-dallgë, drejt vendit që është caktuar për rikthimin e tyre përfundimtar. Të gjithë do jenë nën shikim të Zotit e do dëgjojnë këdo që do t u flasë.
Do kenë veshur rrobën e atij që nuk ka më përkrahje dhe do jenë krejt të nënshtruar, pa asnjë pikë dinjiteti. Atë Ditë, s do t u hyjnë më në punë sajesat e mendjes dhe shpresat do t u veniten; zemrat do vithisen qetësisht, zërat do firojnë, djersa do t ua mbyt fytin, frika do rritet dhe veshët do shungullohen nga zëri shurdhues i lajmëtarit që thërret drejt Gjyqit të Fundit, drejt vendimit të tij për hakun, drejt goditjes së ndëshkimit dhe drejt dhënies së shpërblimit.
Kufizimet e jetës:
Njerëzit u krijuan si provë e pushtetit të Tij e linden, rriten e zhvillohen mendërisht nën autoritetin e Tij; pastaj i merr vdekja përmes dhembjeve dhe i kall nëpër varre, ku do kthehen sërish pluhur. Pastaj do ngjallen prapë nga i pari te i fundit dhe secilit do t i jepet vendimi për shpërblim apo do t i kërkohet hesap për veprimet e bëra. Të gjithëve u ishte dhënë kohë të kërkonin shpëtimin , u ishte dëftuar rruga e drejtë dhe lejuar të jetonin e kërkonin mbështetje; atyre u ishte shpërndarë terri i dyfishimeve rreth kësaj jete të tyre të parë e u ishte dhënë liri në një vend, ku duhej të përgatiteshin për garën e Ditës së Fundit, duke zgjedhur urtësisht pikësynimet dhe duke marrë e përdorur aq kohë sa u duhej për të siguruar përfitime të vërteta dhe për t u pajisur për vendin tjetër të qëndrimit.
Nuk ka lumturi pa përkushtim:
Sa të përshtatshme janë këto paralajmërime e shembuj mësimdhënës, kur i presin zemra të pastra, veshë dëgjues, shikime të mprehta dhe mendje të kthjellëta! Kini frikë nga Zoti si ai që dëgjoi këshillën e mirë e u përul përpara saj, që bëri mëkat dhe e pranoi, që ndjeu frikë dhe veproi me virtyt, që u ngut kur u tremb, që besoi dhe kreu punë të mbara, që iu kërkua të merrte mësim dhe e mori, që hoqi dorë kur iu tha të përmbahej, që iu gjegj thirrjes së Zotit e u mbështet pas Tij, që u pendua kur u kthye mbrapsht, që imitoi pasi pasoi, dhe që e pa udhën e drejtë kur iu tregua.
Ky njeri u dha pas kërkimit të së vërtetës dhe u shpëtoi të këqijave të kësaj bote duke ikur prej tyre. Ai i mblodhi punët e mira si zahire për veten e tij, kulloi përmbajtjen e qenies së vet, ndërtoi për botën tjetër e mori me vete pasuri të përshtatshme për ditën e ndarjes nga kjo botë, duke mbajtur përpara syve udhëtimin e tij, kërkesën e tij e pozicionin e nevojës së tij. Pastaj i nisi të gjitha këto për në banesën ku do të qëndrojë, përpara se të nisej edhe vetë. O krijesa të Zotit, kini frikë prej Tij duke mbajtur mend pse ju krijoi, dhe druajuni prej Tij në masën që ju thotë Ai që t i druheni. Veproni në mënyrë që ta meritoni atë që ju ka premtuar Ai, duke pasur besim në vërtetësinë e premtimit të Tij e duke pasur frikë nga Dita e Gjyqit të Fundit.
Pjesë e po asaj ligjërate, që u sjell njerëzve në vëmendje mirësitë e Zotit:
Ai bëri për ju veshë, që të dëgjoni e ruani gjithçka të rëndësishme; sy, që të keni shikim, në vend që të jeni të verbër; gjymtyrë të ndërtuara nga pjesë më të vogla me përkulshmëri në proporcion me trajtat e formave të tyre dhe gjatësinë e moshës së tyre ; trup, që mban vetveten; organe e zemër që merren me kërkimin e shpërndarjen e ushqimit për të, si dhe shumë mirësi të tjera të mëdha e dhurata që imponojnë detyrime e janë fortesa të sigurisë. Ai ju fiksoi mosha që ju nuk i dini. Ai mbajti për ju ngritur rrënojat e brezave të kaluar që të mund të nxëni. Ato kohë njerëzit jepeshin pas qejfeve e nuk e njihnin vetëpërmbajtjen. Po vdekja i mori përpara se të nginjeshin dëshirat e tyre dhe i shqiti me kthetrat e saj prej tyre. Ata nuk vunë zahire për vete, sa kohë që kishin trupat të shëndetshëm, dhe nuk morën mësim nga zigzaget e rini së.
A nuk presin këta njerëz ende të rinj moshën e vjetër, kur shpi na u kërruset? A nuk presin sëmundje ata që gëzojnë shëndet e freski? Po njerëzit që jetojnë, a s e presin dhe ata orën e vdekjes? Kur çasti i ndarjes të ketë ardhur e udhëtimi të jetë i afërt, plot me sëmbime të hidhura dhe turbullirë, vuajtje nga dhembjet dhe mbytje nga pështyma që të ngec mu në fyt? Kur vjen koha e kërkohen kushërinjtë e miqtë për ndihmë e për ta rrotulluar trupin në shtrat? A munden atëherë të afërmit që të ta ndalin vdekjen? A munden gratë vajtojca që të bëjnë ndonjë mrekulli? Jo. Mbetet vetëm vetmia në varrezë, mbyllur në dheun e gropës së ngushtë.
Atje ku lëkura shpohet vrima-vrima nga zvarranikët e freskia merr fund nga të gjitha këto kobe. Shtrëngatat kanë zhdukur gjithë gjurmët e mjerimet kanë fshirë edhe vetë shenjat e tyre. Trupat e freskët janë tretur e tharë dhe kockat janë sfungjeruar, kurse shpirtrat janë ngarkuar me barrën e mëkateve e janë bërë të vetëdijshme për gjërat e panjoura. Por tani nuk mund të bëhen më bëma të mira e të këqijat s shlyhen dot më me pendesë. A nuk jeni ju bijtë, etërit, vëllezërit dhe të afërmit e këtyre të vdekurve? A nuk do t i ndiqni edhe ju gjurmët e tyre? A nuk do bëni edhe ju rrugët e tyre? Por zemrat janë ende indiferente, të pavëmendshme ndaj udhëheqjes e te zëna me punë të mbrapshta; sikur ai, të cilit i bëhet thirrje, të ishte dikush tjetër, dhe sikur udha e drejtë të ishte vërtet mbledhja e kënaqësisë të kësaj bote! Por dijeni, se do t ju duhet të kaloni nëpër urën e Siratit, aty ku shkallët lëkunden, këmbët rrëshqasin dhe priten rreziqe të frikshme në çdo hap.
Përgatitja për Ditën e Gjykimit:
Kini frikë nga Zoti me frikën e njeriut të urtë, që u është larguar gjërave të kësaj bote nga malli për botën tjetër. Droja nga Zoti e ka përvuajtur me mundime e dhembje trupin e tij, zgjimet për lutjet e natës e kanë shndërruar gjumin e tij të pakët në vigjilim, shpresa e mban të etur gjatë ditës, përkorja ia frenon ambiciet dhe kujtimi i Zotit regëtin pa reshtur mbi gjuhën e tij. Ai u trembet rreziqeve dhe u shmanget rrugëve jo të sheshta për t u futur në udhët e qarta ; ndjek udhën më të shkurtër për të arritur qëllimin dhe s e lë pasionin t ia shtrembërojë mendimin, as shprehjet dykuptimshme që t ia verbojnë sytë; ka paqe de i mbush ditët me ngazëllim nga hareja e lajmeve të mira e joshja e të mirave të përjetshme; kalon nëpër shtigjet e kësaj bote me përkorje dhe e fiton botën tjetër me virtyt. Ai ngutet drejt virtytit nga frika e tërheqjes në ves; lëviz i ethshëm tërë jetën e tij t shkurtër në këtë botë e harrohet pas kërkimit të së mirës së përjetshme, duke iu shmangur së keqes; është i vëmendshëm sot për të nesërmen dhe nuk e heq të ardhmen nga vështrimi.
Sigurisht, shpërblimi dhe suksesi më i mirë është Parajsa dhe ndëshkimi dhe mjerimi më i përshtatshëm është Skëterra. Zoti është Hakmarrësi e Ndihmësi më i mirë, kurse Kurani – argumenti dhe referenca më e mirë për gjykim.
Paralajmërimi kundër Shejtanit:
Këshilla ime është që t i frikoheni Zotit. Që s ju la më shfajësim për atë që paralajmëroi e që e shterri argumentin e udhëheqjes në lidhje me udhën e drejtë, që ju dëftoi. Ai ju bëri të vetëdijshëm për armikun që jua surb e përthith zemrat fshehurazi e ju flet vjedhurazi në vesh, duke ju futur kështu në rrugë të gabuar, duke ju bërë premtime mashtruese, duke u fshehur nën përshtypjen mashtruese dhe duke ju çuar në shkatërrim. Ai jua shfaq mëkatet e këqija në forma joshëse e i tregon të natyrshme edhe krimet më të ndyra. Dhe vetëm pasi ju ka futur në strofkën e tij, pasi e ka arritur qëllimin e tij dhe ju ka bindur të punoni për të dhe për të zezën tuaj, vetëm atëherë jua hap sytë dhe ju lë që ta shihni të vërtetën. E ju shikoni mëkatet tuaja të përbindshme dhe gjërat që vijnë më pas pashmangshmërisht, dhe ndjeni dëmin e pasojave të trishtueshme të fjalëve dhe veprave tuaja; por është vonë, se nuk ka më kohë të pendoheni, as ta zhbëni të keqen që bëtë”.