Si dëshirë të saj të fundit, Evelyn McHale nuk donte që ndokush të shihte trupin e saj, por fotografia e vdekjes së saj ka jetuar për dekada të tëra.
Dëshira para vdekjes e Evelyn McHale ishte që askush të mos e shihte trupin e saj.
Ajo donte që familja e saj të kujtonte trupin e saj, ashtu siç ishte para se të hidhej nga taraca e katit të 86 të EMpire State Building.
Evelyn McHale-t nuk iu plotësua kurrë dëshira.
Katër minuta pasi trupi i saj u rrëzua mbi një limuzinë të Kombeve të Bashkuara, e parkuar në oborr, një student i fotografisë me emrin Robert Uiles rendi matanë rrugës dhe shkrepi një foto.
Foto tregon Evelyn me pamje pothuajse paqësore, a thua është duke fjetur, e shtrirë në një grumbull çeliku të copëtuar. Këmbët e saj janë të kryqëzuara tek kyçet, dhe dorën e djathtë e ka mbi gjoks, duke kapur gjerdanin me margaritarë.
Që nga shkrepja më 1 maj 1947, fotografia është bërë famëkeqe, teksa revista Time e ka quajtur”vetëvrasja më e bukur”. Edhe Andy Uarhol e përdori atë në një nga printimet e tij, Suicide (Trupi i rënë).
Megjithëse vdekja e saj është famëkeqe, nuk dihet shumë për jetën e Evelyn McHale.
Ajo ka lindur në Berkeley, California, nga Helen dhe Vincent McHale, një nga tetë vëllezërit dhe motrat. Diku pas vitit 1930, prindërit e saj u divorcuan dhe fëmijët u zhvendosën në Nju Jork për të jetuar me Vincent.
Në shkollën e mesme, Evelyn ishte pjesë e Trupave të Ushtrisë së Grave dhe ishte vendosur në Jefferson City. Më vonë, ajo u zhvendos në Balduin, Nju Jork, ku jetoi deri kur vdiq. Ajo punoi si llogaritare në Manhattan, ku u takua me të fejuarin e saj, Barry Rhodes.
Sa i përket vetëvrasjes së saj, edhe më pak dihet për të.
Një ditë para vdekjes, ajo kishte vizituar Rhodes në Pensilvani, por ai pretendoi se gjithçka ishte në rregull pas largimit të saj.
Në mëngjesin e vdekjes ajo hipi në tarracën panoramike të Empire State Building, hoqi pallton dhe e vendosi me rregull mbi kangjella, dhe shkroi një shënim të shkurtër, të gjetur pranë palltos. Pastaj, u hodh.
Sipas policisë, një roje sigurie ndodhej vetëm 10 metra larg saj kur ajo u hodh.
Shënimi, i gjetur nga një agjent, nuk dha shumë informacion se pse e kishte bërë, por kërkonte që trupi i saj të digjej.
“Nuk dua që dikush brenda ose jashtë familjes sime të shohë ndonjë copë timen”, shkruante ajo. “A mund ta shkatërroni trupin tim me djegie? Ju lutem ju dhe familjes time – mos bëni ndonjë shërbim për mua ose përkujtim. I dashuri im më kërkoi të martohesha me të në qershor. Unë nuk mendoj se do të isha grua e mirë për ndokënd. Ai është shumë më mirë pa mua. Tregojini babait tim, kam shumë nga tendencat e nënës sime”.
Sipas amanetit, trupi i saj u dogj dhe nuk pati funeral.
Foto, megjithatë, ka jetuar për 70 vjet.