Kryeministri Edi Rama ka zbardhur detaje nga mbledhja e zhvilluar këtë paradite me Kryesinë e PS.
Kreu i qeverisë tha se përtej diskutimeve për procesin zgjedhor brenda partisë, temë diskutimi ka qenë edhe vendimi i BE për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.
Ai deklaroi se ditët në vijim do të takohet me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe një sërë drejtuesish të vendeve të tjera të BE, për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit.
“Besoj e dini që jemi në një proces zgjedhor brenda partisë. Sot nga një anë kemi parë ecurinë e procesit, nga ana tjetër kemi dakordësuar mbi propozimin e grave anëtare të Kryesisë dhe partisë, deputete e ministre, që të nisim procesin e përfshirjes së grave dhe vajzave si bashkëkryetarë të organizatës së PS.
Ky është një proces që përbën një risi të rëndësishme dhe domosdoshmëri, në kushtet kur jemi partia më e votuar nga gratë dhe vajzat në Shqipëri. Unë dhe të tjerët në këtë Kryesi mbrojmë bindjen se kur duhet bërë muhabet, bëhet me burrat, kur duhet bërë punë, më mirë bëhet me gratë.
Së dyti, kemi diskutuar edhe për pjesën tjetër, temën e ditës, lidhur me mos hapjen e negociatave, mos marrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë dhe natyrisht që kemi rëndë dakord që kjo nuk ndryshon asgjë në trajektoren strategjike të vendit, të PS dhe strategjisë sonë. Ditët në vijim kam një sërë komunikimesh me Presidentin e Francës dhe një sërë drejtuesish tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”, tha Rama.