MENU
klinika

E futen në thes me mace të egra

Jeta dhe fati tragjik i mësueses mirditore

29.10.2019 - 07:30

Marie Tuci lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilë Fushës. Ka qenë nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër e më pas, aspirante e jetës rregulltare.

Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës, së bashku me Davida Gjonmarkajn, si katolike të mira e të afta të luftonin për bindjet e tyre fetare. U arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë, 11 gusht 1949.

Për atë vrasje u fajësuan shumë familje mirditore, ndër to edhe ajo e Gjonmarkajve, së cilës Maria i përkiste. Po atë ditë u arrestua edhe i vëllai, Marku, të cilin nuk e pa më, as të gjallë, as të vdekur.

Ishte shumë e këndshme, trupmesme, me flokët e lidhur rreth kokës e me një fytyrë fëmije, ku shkëlqenin dy sy të mëdhenj e të kaltër. Shumë u habitën kur princesha e vogël e shtëpisë së Gjonmarkajve zgjodhi rrugën e kuvendit e ndonjë që deshi ta shihte nuse, edhe qau. Por ajo kishte zgjedhur të bëhej nusja e Krishtit.

Një dëshmi nga një bashkëvuajtëse e burgut, Olimbi Baruti, na tregon Marie Tucin: “Maria ishte inteligjente, guximtare, me besim e fe, lutej vazhdimisht edhe në burg, ishte antikomuniste e vendosur. Një herë në muaj merrte ndërresat që ia dërgonte e ëma përmes një mikut të vet e ato, Maria i ndante me shoqet e veta, sidomos myslimane.”

Por ishte pikërisht kjo zgjedhje që do të bëhej shkak që në moshën 20-vjeçare Maria të arrestohej dhe të dënohej.

Gjykata Ushtarake, që mori në shqyrtim çështjen e të pandehurës Marie Tuçi, e cilësoi atë fajtore për qëndrimin e saj kundër pushtetit popullor dhe ndihmën që familja e saj i kishte dhënë të arratisurve. Në fakt, vetëm pak kohë pas daljes nga hetuesia, Maria vdiq në spitalin e Shkodrës.

Ata që e njihnin e mbanin mend të bukur, ndërsa atje, në spital, ndërsa vuante pasojat e kundërshtimit me forcë të komunizmit, pamja e saj ishte tjetërsuar. Thonë që ishte torturuar në mënyrë çnjerëzore.

Ndoshta sot është e vështirë të kuptosh dhe të imagjinosh që mendja njerëzore është e aftë të pjellë tortura të tilla, që mendja njerëzore është në gjendje të fantazojë tmerre që shkojnë jashtë çdo logjike. Nga dëshmitë është parë se Motër Marie Tuçi “në gjysmën e trupit e shtinë në një thes, ku kishte brenda edhe dy mace. E rrahën egërsisht, macet u tërbuan dhe e shqyen me thonj. Kështu, gjersa dha shpirt”.

Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit