Në një shkrese të organeve të Punëve të Brendshme të kohës vjen një aludim absurd që tregon se armiqtë imagjinarë krijoheshin nga dhe për çdo gjë.
Kastriot Dervishi e sjell këtë shkresë bashkë me komentin:
“Marritë e shtetit komunist nuk kanë pasur të sosur. Është i njohur fakti se ata kanë qenë gjithnjë shkatarraqë e nuk kanë ditur asnjëherë të bëjnë shtet.
Sjell sot një dokument të vitit 1982. Në Librazhd, në qershorin e këtij viti ishte hasur një sasi karkalecash. Mirëpo, çfarë thoshin organet e punëve të brendshme? Ata mendonin se këto i sillte armiku nëpërmjet kamionëve që vinin për qëllime tregtare, me qëllim që të dobësonte bujqësinë socialiste.
Një dreq e di se si kalonin doganën brenda kamionëve pa u vënë re tufat e karkalecave dhe për çfarë qëllimesh “armiku” imagjinar i kishte sjellë ato për të dëmtuar gërxhet e Librazhdit”.
Si kjo shkresë gjenden edhe shumë dëshmi se si armiku sabotator shikohej ngado përfshirë edhe karkalecat.