MENU
klinika

Hafizi: Grabitje e pastër

Kopshti Botaniku/ Studentë e pedagogë marshim protestë

29.10.2019 - 12:59

Pedagogë e studentë por edhe qytetarë janë bërë bashkë për të mos lejuar kalimin e Kopshtit Botanik në administrim të Bashkisë, një vendim i qeverisë.

Në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ, ata kanë nisur prej orës 11:00 një marshim protestë nga universiteti i shkencave të natyrës.

Pedagogia Mimoza Hafizi kundër vendimit të qeverisë, teksa marshonte me studentët dhe kolegë të saj tha se kjo është një grabitje e pastër.

“Jemi bashkë dhe protestojmë ndaj kësaj grabitje të universitetit publik. Kjo është një grabitje e pastër. Profesor Petriti është një nga kontributorët kryesor për krijimin e këtij aseti. Është një zhbërje e një kontributi të gjatë dhe një grabitje e pastër”, deklaroi Hafizi.

Ndërkohë Profesor Doktor Petrit Hoda, drejtues i Kopshtit Botanik tha se bëhet fjalë për një kontribut 50-vjeçar të qindra e mijëra botanistëve, zoologëve, studentëve etj. Ai hodhi poshtë deklaratat e bëra nga kryetari i Bashkisë Tiranë për gjendjen e mjerueshme të kopshtit botanik.

“Kjo pronë i është dhënë pa argumente bashkisë. Ne kemi argumente tonat që kanë të bëjnë me kontributin 50-vjeçar të klasës botanike, zoologë, studentë jo vetëm nga universiteti ynë.
Ne shkurre bëjmë, nuk bëjmë raketa kozmike.

Është ndërhyrë në kopsht por kopshti nuk është kompensuar me asnjë qindarkë. Ndërhyrja do prishë shumë ekuilibra në kopshtin botanik.

Gjendja e kopshtit është shumë e mirë dhe të gjitha insinuatat që bëhen nuk janë korrekte, nuk janë dashamirëse”, tha profesor Hoda.