Plot 19 piktorë nga Polonia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mongolia, Arabia Saudite, Kosova dhe Shqipëria u takuan në Korçë, për ekspozitën ndërkombëtare “Ditët e Mios”.
Për 4 ditë radhazi, mjeshtrat e telajos u frymëzuan nga ngjyrat dhe pamjet piktoreske të Korçës e rrethinave në vjeshtë, duke sjellë një ekspozitë të veçantë me krijimet e tyre.
Artistët, fillimisht kanë vizituar Korçën dhe zonat përreth, për të hedhur më pas në telajo, tematika nga më të ndryshmet. Natyrisht, në shpirtin prej artisti të secilit, do të mbetej peizazhi i Dardhës, Boboshticës apo Vithkuqit, që ata i sollën në telajo për publikun artdashës. Janë këto vende me bukuri natyrore si në përrallë, që dikur ishin muzë edhe për piktorin e popullit, Vangjush Mio.
Sipas ideatorëve të kësaj ngjarjeje kulturore ndërkombëtare, një ekspozitë e tillë konsiderohet si më të rëndësishmet, krahas qëllimit të promovimit të vlerave kulturore, që Korça ofron bujarisht.
Ndërsa për vetë piktorët, Korça mbetet përjetësisht, një vend për t’u eksploruar, për peizazhet unike natyrore. Aktiviteti, po ashtu ka një rëndësi të veçantë, si një urë komunikimi midis artistëve nga vende të ndryshme.