MENU
klinika

Kur bëheshin gati për t’u martuar…

Korçaret e bukura dhe paja e tyre e kripur

24.10.2019 - 15:27

Është një foto e rrallë e vitit 1931 e që nuk i dihet mire origjina. Ka që thonë se mund te jetë e improvizuar.

Edhe në këtë rast kjo foto dëshmon përpjekjet emancipuese të qytetit të Korçës, një qytet me kulturë brilante. Niveli kulturor i vajzave korçare në atë periudhë ishte i lartë, nivel që e reflekton edhe standarti i veshjeve të kësaj fotoje, e cila edhe sikur të jetë e improvizuar tregon për synimet e këtyre vajzave të reja për të sjellë paksa mënyrën e jetesës amerikane të asaj periudhe, vend ku kishin emigruar shumica e burrërisë së Korçës.

Në atë kohë në shumë qytete të vendit shumica e femrave udhëtonin me perçe dhe ishin pothuajse analfabete. Fotoja duket se është shkrepur në vitin 1931, kur sapo ishte kapërcyer çereku i shekullit të XX-të. Fotoja është shkrepur në prag të 20 vjetorit të pavarësisë. Veshjet e vajzave shërbejnë si dëshmi për dokumentimin e stilit dhe modës së asaj periudhe për shtresën e arsimuar. 8 vajza pozojnë para fotografit me fustane të ndryshme, që me siguri kanë mbërritur në qytet, nga ata që punonin jashtë.

Në shumë prej tyre ndjehet “aroma” e modës amerikane të atyre viteve, që na kujtojnë filmat e vjetër Hollivudianë. Në foto shihet një vajzë që mban një shirit ku shkruhet “mis Drenova”.

Duket se teksti i këngës së bukur të drenovares dhe bukuria e vajzës që mban atë shirit pasqyrojnë më së miri fshatin Drenovë, të njohur për nivel të lartë civilizimi dhe vajza shume të bukura. Pas vajzës së 2-të dhe të 3-të duket në sfond nje figurë ushtaraku që mund të ketë qenë ndonjë xhandar që ruante rendin në qytet

Në qytetin e Durrësit kanë ardhur ndër vite shumë banorë të qytetit të Korçës.

“Numri i familjeve korçare në fund të viteve ‘30 të shekullit të kaluar ka qënë rreth 50”,– thotë studiuesi i historikut të qytetit të Durrësit Xhod Beja. Ndër familjet korçare që kanë lënë gjurmë në jetën dhe qytetërimin durrsak ai rendit një sërë familjesh si familjen Kallço, Kero, Gjezi, Konomi, Tezha, Dushi, Mano, Lako, Afezolli, Kosturi, Liço, Llambro, Miço, Koço, Pojani, Ligori, Dushku, Shamija, Eski, Frashëri, Priftuli, Shtylla etj.

Ata ishin afaristë shumë korrektë, madje kanë arritur të përballojnë edhe situata të vështira konkurence. Beja tregon se si një këpucar që u ndje i konkuruar nga tregu italian i prodhimit të këpucëve arriti t’i mbijetonte konkurencës duke prodhuar vetëm sandale femrash të një cilësie të admirueshme. Vetëm me tregun e qymyrit të drurit, një prej këtyre familjeve është bërë milionere. Dhimitër Tezha kishte sjellë dhe tregtonte automobilë Shevrolet. Ai kishte dhe eksluzivitetin e tregtimit të kësaj marke në Durrës.

Sipas Xhod Bejës ata ishin të saktë në punë dhe mjeshtër të talentuar. Për këtë arsye ata u përshtatën mjaft shpejt me qytetin e Durrësit.

Në këtë komunitet të ardhurish kishte vendin e vet edhe pjesa femërore e tyre. Vajzat korçare ishin vajza nga më të bukurat dhe binin në sy se ishin jo vetëm të pashme, por edhe mjaft të gjata. Ishin mjaft të emancipuara dhe të arsimuara.

Madje mund të thuhet se nga martesat me to në Durrës ka pasur një përmirësim të rracës së brezave të mëvonshëm që erdhën nga martesat me vajzat korçare. Ato i preferonin djemtë e Durrësit për martesa, madje sipas Bejës ata e mbanin veten më të kulturuara se durrsakët. Beja nuk harron të shtojë një veçori: Tek vajzat korçare nuk viheshin re shenjat e degradimit moral siç ndodh zakonisht në qytet-porte, ku ka marinarë të huaj.

Kur martoheshin ato merrnin prikë nga familjet, që mund të shihej si një fenomen i avancuar i marrëdhënieve kapitaliste në vendin tonë. Për këtë flasin një sërë dokumentesh të lidhjeve martesore në familjet korçare.

  • Çupat e Korçës kur bëheshin për t’u martuar

Të gjithë kemi qeshur me komedinë e Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçës” dhe problemet që i bënin t’i ziente koka tregtarit Nikollaq për martesën e vajzës së tij Afroviti. Në periudhën kur u shfaq filmi shumë personave ky personazh iu duk më shumë një mjet artistik i krijuar për të vënë në lojë të kaluarën.

Por kur shikon disa dokumenta noteriale mbi kontratat e martesave që janë formuluar në atë periudhë dhe shumat e mëdha të napolonave të floririt që viheshin në faqet e kontratave martesore, atëherë Nikollaqi bëhet një personazh tejet real dhe të vjen keq që është përqeshur aq shumë me shumat e parave që luheshin në raste të tilla. Shprehja e tij: “Jeta është matematikë Afroviti” duket më e vërtetë se kurrë, kur shikon procesverbalet noteriale të asaj periudhe. Dashuria me ndonjë nga këto misse mund të kushtonte për babain e saj, qimet e kokës…

Nga dokumentat origjinale mësohet se një martesë e bërë në Korçë në vitin 1934 ka kaluar sipas traditës vendase duke i dhënë vajzës që martohet prikën në 170 napolona ar, në gjendje metalike, dhe kjo është fiksuar edhe në deklaratën noteriale. Gjatë hartimit të aktit noterial i është dhënë palës së dhëndrrit si prikë 30 napolona në dorë në prezencë të dëshmitarëve dhe pjesa tjetër është lënë për më vonë.

Lidhur me këtë fakt konstatohet se në aktin noterial të formuluar në qytetin e Korçës më 14 shkurt 1944, ditën e mërkurë, në zyrën noteriale të Mehmet Rushan Babanit, është hartuar ky akt “relaktimi” i kostituimit me të cilin nënshkruesit, sipas procesverbalit, kanë kontraktuar dhe bashkë pohuar këto që pasojnë: “Kontraktuesi i parë Z. Dhimitër Treska dekllaroj se së bijës së tijë të quajtur Theodora, e cila tu e qënë në moshë ligjore për martesë, vendosi të martohej me të sipërpërmendurin Z Sotir Dhosin, i kostituiton asaj si dotë një shumë të hollash prej (170) njëqind e shtatëdhjetë napolonash ari metal, prej të cilave (30) tridhjetë napolona ari metal iu dorëzuan sot prej dotuesit Dhosi, të numëruara dhe të plota dhe rentin tjetër prej 140 napolonash metal. I përmenduri Dhimitër S. Treska dekllaroj se detyrohet ti dorëzojë dhe nemerojë tërësisht dhe plotësisht kontraktuesit të dytë Z.Sotir Dhosi në kohën e celebrimit të martesës”.

Nga ana e tij, siç mësohet në këtë dokument interesant për kohën e sotme, por që ishte një gjë krejt normale në periudhën e viteve 30-të të shekullit të kaluar në Korçë, kontraktori i dytë është zotuar në aktin e nënshkruar noterial, që ti’ njohë bashkëshortes së ardhme të drejtat e zotërimit mbi paratë e prikës dhe të marrë përsipër që me këto të holla të përgatisë gjithë rrobat e nusërisë sipas zakonit të vendit dhe pozitës së tij sociale. Taksa e kësaj shkrese është 19.5 franga ar, rreth 1 napoleon në metal.

Celebrimi i kësaj martese, duke u nisur nga procesverbali ose akti noterial i 2 –të, është bërë në muajin prill të atij viti, ndërsa 5 vite më vonë, duke qënë se 140 napolonat e premtuara zyrtarisht nuk ishin dhënë, pranë noterit është paraqitur pala tjetër që ka bërë ankimin, palës të cilës krushqia i detyrohej 140 napolona në ar. Për këtë shikojmë se si relatohet çështja në aktin nr 2.

  • Akti noterial

Edhe ky akt noterial fillon me ZOG’I, MBRET I SHQIPTAREVE dhe vijon: “Në Korçë sot me gjashtë të mujit mars të vitit (1939) njëmijë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë, ditën e Hënë, në zyrën e noterisë time Noterjale e cila gjëndet në treg të Korçës në godinën e Selim Mborjes në udhën e Sami Pojanit Nr 2, para meje Noterit-Publik të Korçës Mehmet Rushan Pabanit, i cili banoj dhe rezidoj këtu dhe para dëshmitarëve të poshtë – shënuar shtetasve shqipëtarë madhorë të pa ndaluarë prej ligjit dhe të njohur prej meje Z.Z Thanas Andrea avokat. dhe Ismail Daut Pronjari dhe banues në Korçë”. Shkruesi i tekstit të këtij akti noterial përmend një sërë emrash më tej dhe siguron se ata të gjithë njihen prej tij dhe se nuk kanë pasur probleme ligjore (precedentë penalë në gjuhën zyrtare të sotme) dhe se nuk janë sëbashku të lidhur me ndonjë lidhje gjinore dhe që nuk kanë asnjë pengesë ligjore për t’u marrë si dëshmues të aktit noterial thekson noteri,

“Se është duke relatuar aktin me të cilën s’e ka marrë restin e mbetur prej (140) njëqind e dyzetë napolona ari, qysh prej muajit prill 1934. Dhe para celebrimit të martesës. Në këtë akt kërkohet që të vërtetohet me dëshmitarët e pranishëm se napolonat nuk janë dhënë sipas aktit në fjalë”,- thuhet ndër të tjera aty.

Në dokumentin e nënshkruar nga dëshmitarët vërtetohet edhe se është paguar njëkohësisht taksa me (3.3) franga ari dhe se është vendosur (vula) dhe pulla fiskale e duhur. Akti mban nënshkrimin e deklaruesit, 2 dëshmitarëve si dhe të noterit-publik M. R. Babani.

  • Rast i ngjashëm

Një dokument tjetër origjinal i këtyre martesave në Korçë është një kopje standart, e cila është mbushur më pas me dorë me stilograf. Edhe ky dokument i vitit 1928 tregon se napolonat e prikës janë dhënë në 2 raste, si dhe është detyruar pala e dhëndrrit që të përgatiste prej të hollave të prikës rrobat e nusërisë sipas zakonit të vendit.

Në rastin e parë janë dhënë rreth 50 copë napolona, ndërsa nje shtesë e shkruar në fund të aktit të stampuar është vërtetuar se me 30 korrik 1928, ditën kur u numëruan shuma e prapambetur napolona ar (125) kështu është plotësuar e tërë shuma. Nga të dyja këto procesverbale, pavarësisht nga historitë e ndryshme që kanë këto lloje martesash, mësohet se në shtresat tregtare të Korcës për t’u martuar me një vajzë duhej të kishte rreth 150 -200 napolona floriri si prikë për nusen në se deshiroje të martoheshe.

Ose rreth 1.5 deri ne 2 kg ar. Ose me kursin e sotëm të floririt rreth 70 deri në 100 mijë$. Pra kaq ishte kosto e një martese me ndonjërën prej këtyre misseve…

Lëvizje e shtuar në Kapshticë

Emigrantët kthehen për festat e fundvitit

Korça, Tirana, Vlora e Shkodra destinacionet më të preferuara

Të huajt zgjedhin Shqipërinë për festat e fundvitit!

Nëna kërkon ndihmë nga policia

Zhduket në rrethana misterioze 16-vjeçari

150 familje mbeten pa energji elektrike

Rikthehet dëbora në juglindje të vendit