MENU
klinika

Kërcënimet e Erdogan

Kryeministri italian: BE nuk duhet ta pranojë shantazhin

14.10.2019 - 14:01

Turqia duhet të ndalojë sulmin kundër kurdëve të Sirisë dhe BE nuk duhet të pranojë shantazhin e presidentit të Turqisë, Recep Tajip Erdogan, i cili kërcënon se do të lejojë 3,6 milionë refugjatë sirianë të hyjnë në Europë, nëse Turqia do të sfidohet, deklaroi kryeministri italian, Giuseppe Conte.

“Do ta them këtë me zë të lartë dhe të qartë në këshillin e ardhshëm të BE-së”, theksoi Conte.

“BE nuk mund të pranojë këtë shantazh nga Turqia”, shtoi ai.

Ai u shpreh se pranimi i refugjatëve sirianë nga Turqia ishte financuar nga Europa.

“Nisma ushtarake duhet të ndalojë menjëherë dhe BE si dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar, duhet të flasin njëzëri”, shtoi Conte.

Turqia dhe aleatët e tij rebelë sirianë kanë nisur operacionin e tyre ushtarak në Siri.

Sipas Erdogan kjo ofensivë synon të eliminojë “korridorin e terrorit” përgjatë kufirit jugor të Turqisë.

Erdogan ka thënë se ofensiva e ashtuquajtur “Operacioni Pranvera e Paqes”, ka për qëllim eliminimin e kërcënimit që vjen nga milicia e kurdëve sirianë dhe militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Milicia kurde, e njohur si grupi YPG ka luajtur rol të rëndësishëm në mposhtjen e Shtetit Islamik në Siri.