MENU
klinika

"Toka e ndaluar"

Kur Nënë Tereza mes lotëve lutej për… diktatorët shqiptarë

06.10.2019 - 17:13

      Për nobelisten, shenjtoren dhe shqiptaren e madhe, Shqipëria ishte toka e ndaluar. Malli për nënën Drane dhe motrën Age, që ndërruan jetë në varfëri e dëshpërim, do ta shoqëronte Nënë Terezën për gjithë jetën.

“Gonxhe, të puth nanëlokja”, ky është mbishkrimi në një kartolinë që e dërgonte Drane Bojaxhi nga Shkodra, për Nënë Terezën, bijën e saj. Ishin ditët e fundit të jetës së Drane Bojaxhiut. Bija e saj, Nënë Tereza e Kalkutës, e cila kishte nisur prej kohësh misionin në ndihmë të miliona njerëzve të braktisur, po ndalohej t’i qëndronte pak çaste pranë shtratit të së ëmës, në ditët e fundit të jetës. Shqipëria ishte asokohe, toka e ndaluar për shqiptaren e madhe, nobelisten e shenjtoren Nënë Tereza.

 

 

 

Në vitin 1970, Nënë Tereza vazhdonte misionin e saj në Kalkurta të Indisë. E ëma, nana Drane ishte e sëmurë dhe jetonte në Tiranë me bijën tjetër të saj, Age Bojaxhi. Biri i Dranes, Lazër Bojaxhi ishte larguar nga Shqipëria, sapo ishte vendosur regjimi komunist. Kur nana Drane u sëmur, Agia i shkroi një letër Lazrit dhe i kërkoi t’iu dërgonte disa barna që nuk gjendeshin në Shqipëri. Në atë kohë, Lazri dhe e motra Nënë Tereza, nisën përpjekjet që të bënin të mundur që e ëma e tyre Nana Drane të mund të kurohej për një muaj në Itali. Autoritet më të larta të Perëndimit u përpoqën të bindin drejtuesit e regjimit komunist, që të lejohej Drane Bojaxhi të kurohej në Itali, por diktatori Enver Hoxha refuzoi në mënyrë të prerë, duke e cilësuar Nënë Terezën si agjente të rrezikshme. Detajet e letërkëmbimit të Nënë Terezës me të ëmën e të motrën, janë shkruar në librin e Dom Lush Gjergjit, me titull “Nënë Tereza Jonë”.

 

 

 

 

Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë, me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji, në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë, e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër, përpos të na shohë edhe një herë”.

Por, diktatori refuzoi sërish. E megjithatë, Nënë Tereza nuk i ndali përpjekjet dhe iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të globit. Por sërish diktatori refuzoi. Kur Nënë Tereza e pa se takimi me nënën e saj në Itali apo në Shqipëri, ishte kaq i pamundur, i shkroi një letër së ëmës e motrës Age: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”. Mesazhi që iu kthye nënë Terezës, prej së ëmës ishte: “Gonxhe, të puth nanëlokja”.

Pak kohë më vonë, më 14 korrik 1972, Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”.

 

 

 

 

Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin “Nobel”, Lazër Bojaxhi u shpreh: “Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes, nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”.

Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë në vitin 1990, pak muaj para rënies së regjimi komunist. Nën survejimin e Sigurimit të Shtetit, Nënë Tereza mbërriti në shtëpinë ku kishin banuar e ëma dhe e motra, më pas shkoi dhe pranë varreve të tyre ku u lut dhe vendosi lule.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Lidhja e saj me Aleksandër Xhuvanin

Cili ishte amaneti që la Nënë Tereza në Elbasan?


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit