Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur gjatë për situatën në vend duke analizuar dhe ecurinë e reformës në drejtësi dhe rezultatet e munguara të saj.
Kreu i Shtetit ka thënë hapur se ka qenë kritik për mënyrën e zbatimit, të njëanshëm dhe se ka bërë përpjekje që kjo të mos ndodh. Si shembull Meta solli zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ai tha se problemet me gjykatat nuk vijnë nga vettingu duke sjellë rastin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për të cilin tha se u bllokua për 3 vjet pasi ‘sepse dikujt nuk i pëlqyen emrat që dolën nga shorti, ndërhyri dhe një ambasador që ngatërroi dynjanë aty’.
Ndërkohë sa i përket deklaratave nga maxhoranca se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, Meta tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka bërë 38 shkelje nga viti 2013 deri në vitin 2016 që konstatuara nga Gjykata Kushtetuese.
Një pjesë e bisedës së Presidentit Ilir Meta me një grup studentësh ekselentë.
Ku ka çaluar zbatimi i reformës në drejtësi dhe mund të thoni që organet e reja të drejtësisë janë të ndikuara nga qeveria apo formimi i tyre po bëhet në mënyrë të pavarur?
Presidenti Meta: Kjo është një temë shumë e rëndësishme por me thënë të vërtetën është bërë dhe pak e lodhshme se u bë kaq vite që është folur me shumë pasion dhe shohim që rezultatet nuk janë ato që duhet të ishin për ta ndihmuar funksionimin shtetin e së drejtës dhe besimin e qytetarëve tek një drejtësi që funksionon por dhe për të vendosur qeverisjen dhe gjithë përfaqësuesit publik në një kontroll më të fortë të llogaridhënies.
Skeptikë ndoshta keni qenë ju, unë kam qenë kritik për mënyrën e zbatimit.
Kjo është një reformë që u bë me konsensus nga të gjithë dhe kur ka ardhur çështja e zbatimit është zbatuar në mënyrë të njëanshme dhe kështu vazhdon edhe sot e kësaj dite. Unë kam bërë përpjekjet më të mira që kjo gjë të mos ndodhë kështu sepse e kam ditur dhe e di çdo të thotë ta politizosh këtë çështje. Do të thotë të provokosh një kontestim të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë aq më tepër ta përdorësh si një armë për të bërë presion mbi kundërshtarët apo mbi gjithë të tjerët.
Rasti më shqetësues që i dha goditje kësaj çështjeje është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ky është një term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që është votuar më 22 korrik, është bërë me një ligj të njëanshëm. Ky është një proces që nuk duhet të kishte ecur në këtë mënyrë.
Kemi vendin pa Gjykatë Kushtetuese. Ju mund të dëgjoni të gjithë që thonë jemi kështu se është vettingu. Kjo nuk është e vërtetë, unë e kam thënë hapur dhe kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe kur kam qenë kryetar parlamenti dhe si President që të mos ngelet Shqipëria asnjë minutë pa Gjykatë Kushtetuese. Në rast se do të ishte thjesht çështja e vettingut Shqipëria mund të kishte 1 ose 2, ja 3 vakanca në Gjykatën Kushtetuese por jo që të mos ketë sot asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Është vetëm një zonjë aty që ka 3 vjet që i ka mbaruar mandati dhe rri aty vetëm për një përgjegjshmëri sepse dikush duhet të rrijë në atë institucion. Në 2017 u bllokua KED sepse dikujt nuk i pëlqyen emrat që dolën nga shorti, gjë që u bë transparente dhe u kërcënuan ata me vetting publikisht, ndërhyri dhe një ambasador që ngatërroi dynjanë aty. Ikur një vit ajo nuk funksionoi, ndërkohë krijoheshin mungesa në Gjykatë Kushtetuese. Edhe vitin tjetër e njëjta gjë. Pra dy vite e ca që ky institucion duhet të punonte për të bërë rankimin e vendeve bosh dhe të personave që do të kandidonin për vendet që do të shpalleshin vakante u bllokuan. Normale që nëse kjo gjë bllokohet 3 vjet qëllimisht vendi ngelet pa gjykatë Kushtetuese. Kush përfiton nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese? Përfiton opozita? Jo se kur opozita ka një përplasje në parlament për një ligj apo për çdo gjë me qeverinë apo me shumicën shkon në Gjykatë Kushtetuese. Përfiton pushteti vendor kur ka një përplasje, përfiton një grup interesi që ka një përplasje? Jo. Pa Gjykatë Kushtetuese qeveria bëhet e gjithëpushtetshme, si është bërë gjatë këtyre viteve.
Ja ku është profesori i shquar Selami Xhepa.
Se keni dëgjuar ju që thonë për mua sikur kam shkelur Kushtetutën. Kurrë mos e besoni. Që ta dini ju qeveria e mikut tim Edi, nga 2013 që ka pasur Gjykatë Kushtetuese deri në 2016 ka 38 shkelje të Kushtetutës me vendime, me ligjet që ka bërë që i ka nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë një shkelje si kjo që do ju them unë tani dhe që askush nuk e beson që vjen nga një sistem demokratik është kjo. Neni 155 i Kushtetutës thotë që lidhur me politikën e taksave asnjë ndryshim nuk mund të ketë efekt retrospektiv, prapaveprues. Pra ti mund ta ndryshosh taksën sot, çdo lloj takse nga 20% në 10% por kjo do të ketë efekt për të ardhmen, kjo nuk mund të ketë efekt për të kaluarën. Dhe ne na ndodhi një gjë që është e pamendueshme. Që ti miraton një ndryshim të taksës për dividentin nga 15% në 8% dhe i jep dhe fuqi prapavepruese pa limit.
Do të thotë që unë që kam paguar 15% që kam qenë në rregull me shtetin, me ligjin dhe ai tjetri që ka 5 vjet që nuk paguan sepse e di që një ditë do të paguajë 8% është i mençur. Këtu shkelja është skandaloze, sepse kemi të bëjmë me një diskriminim të qartë të barazisë, të biznesit e kështu me radhë por këtu dhe dëmi i qytetarit, i buxhetit është shumë i madh, sepse është një dëm konkret. E përmenda këtë gjë sepse po të kishte Gjykatë Kushtetuese, jam i sigurt që ata kurrë nuk mund ta bënin këtë gjë sepse sado e kapur të jetë Gjykata kjo është aq e qartë e kaq flagrante sa është e pamundur.
Po kështu kemi dhe probleme të tjera sepse nuk kemi as Gjykatën e Lartë. Janë 31 mijë dosje që presin. Ishte bërë një studim nga një organizatë e shoqërisë civile dhe thoshte do duheshin nja 20 vjet për t’u përfunduar ato pa pasur konsideratë dosjet e reja që krijohen çdo ditë.
Kjo është një çështje që nuk mund të anashkalohet më, që ky e do reformën ky nuk e do sepse ne duam një gjë që të funksionojë. Do thoni ju po europianët që thonë është sukses i madh, ata do thonë sepse BE jep shumë fonde për këtë. Ata e kanë të vështirë ta pranojnë se kjo punë nuk po ecën siç duhet. Për më tepër që ata kanë dëshirë t’i çojnë këto dhe në vende të tjera. Por që ta çojnë në një vend tjetër nuk mund të thonë dështoi në Shqipëri dhe ne do eksportojmë një dështim. Por ne kemi shqetësimin si rregullohet kjo gjë sepse kemi hyrë në këtë rrugë dhe mirë bëmë që hymë. Kemi hyrë në këtë rrugë për t’i përmirësuar gjërat, jo për të krijuar një vakuum dhe për të pasur sot një sistem demokratik pa llogaridhënie.
E kontrollon parlamenti qeverinë, apo qeveria parlamentin? Pushteti vendor dihet si është, situata me drejtësinë është kjo gjë, ku praktikisht qeveria është e pagjykueshme. Kush ta gjykojë, gjykatat që nuk ekzistojnë. Këto shqetësime unë i kam ngritur me kohë. I kam ngritur 100 fish në kohë.