MENU
klinika

Sir Edward Grey

Liberali britanik që ravijëzoi kufijtë e Shqipërisë së sotme

25.10.2019 - 07:18

        Një sqimë e vërtetë britanike, siç imponon timbri i të shqiptuarit të këtij emri, Sir Edward Grey.

Ai ishte sekretari i Shtetit për Çështje të Jashtme të Britanisë së Madhe në momentin dramatik kur u vendos për të ardhmen e Shqipërisë, shkruan Konica.al.

Por, cili ishte roli i tij në konfigurimin e Ballkanit modern, krijimin e kufijve të rinj dhe të balancave përjetësisht të brishta në territoret e sapo çliruara nga pushtimi i gjatë osman?

Grey ishte një nga zërat kryesorë që ngulmuan që çështja shqiptare të mbarështrohej në tri drejtime në Konferencën e Paqes në Londër: statusi ndërkombëtar i Shqipërisë; organizimi i shtetit të ri shqiptar; dhe ravijëzimi i kufijve të pranueshëm ndërkombëtarisht.

Jashtë shtetit shqiptar u lanë hapësira të konsiderueshme shqiptare si Kosova, Sanxhaku i Novi Pazarit, lugina e Vardarit si dhe tërë krahina e Çamërisë, bashkë me pjesë të konsiderueshme të Pindit.

Hilja në tërheqjen e këtyre kufijve ishte aq evidente, saqë në një fjalim të mbajtur në parlamentin britanik, Grey pranonte hapur se synimi kryesor për kufijtë ishte kënaqja e Fuqive të Mëdha, dhe se shumë kriticizëm mund të ngritej nga secili që e njihte Shqipërinë dhe e shikonte atë nga pikëpamja e atij vendi.

Sidoqoftë, figura e diplomatit britanik mund të shikohet edhe nga këndvështrime të tjera.

Qysh në nëntor të vitit 1912, në një letër dërguar ambasadorit britanik në Romë Rennell Rodd, ai theksonte se çështja kryesore për Fuqitë e Mëdha ishte nëse aleatët ballkanikë duhet të lejoheshin t’i mbanin territoret që i kishin marrë pas fitores mbi turqit, apo ata duhej të kufizoheshin në madhësinë e territoreve të cilat mund t’i mbanin.

Në këtë raport del që Grey, nën trysninë e opinionit publik që favorizonte aleatët ballkanikë, nisi të ndryshonte mendje sa i përket nevojës së njohjes së rikompozimit territorial të Ballkanit.

Gjithsesi, qëndrimi negativ i Vjenës karshi kërkesave territoriale, sidomos të Beogradit, bën që Grey të bëhej më i përkorë dhe të hiqte dorë nga simpatia për një Serbi të zgjeruar.

 

 

Përkrahja e tij fillestare që Serbia të kishte dalje në Adriatik do të fillonte të zbehej sërish prej insistencës austriake.

Kufiri lindor i shtetit shqiptar ishte bërë mjaft i debatueshëm, sidomos e ardhmja e Gjakovës dhe Dibrës.

Në një mesazh dërguar Beogradit, që mban datën 12 shkurt 1913, sekretari britanik thoshte se publiku serb po harronte që Serbia tashmë kishte marrë pika të rëndësishme: Sanxhakun e Novi Pazarit, shumicën e Maqedonisë, Prizrenin dhe Pejën.

Ai i tërhiqte vërejtjen qeverisë serbe se Dibra dhe Gjakova nuk mund të mbaheshin ndryshe, përpos me forcë, dhe se Londra nuk do të shkonte në luftë për shkak të këtyre qyteteve.

© Salih Mehmeti | Konica.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen