Inter është rikthyer në krye të Serie A pas fitores 2-1 në Brescia, edhe pse rivali Juventus ka një ndeshje më pak, që do ta luajë nesër në shtëpi me Genoan.
Ishte Lautaro Martinez ai që zhbllokoi shifrat në 23’, duke u dhënë zemër zikaltërve. Edhe pse të besuarit e Conte nuk kanë bërë ndonjë ndeshje të mirë, pjesën e parë e kanë mbyllur 0-1 në favor të tyre.
Për të ardhur në minutën e 63-të, kur Lukaku shënon një supergol nga distance, pas një veprimi individual shumë të bukur. Megjithatë, nuk do të mbaronte këtu ankthi i tifozëve zikaltër.
Në minutën e 75-të në fushë për Brescian ka hyrë edhe shqiptari Emanuele Ndoj, që rikthehet kështu pas një dëmtimi të gjatë. Një minutë më pas, Skriniar shënon pa dashje në portën e tij dhe hapet sfida.
Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të vendasve për të marrë të paktën një pikë, nuk ia dalin. Inter merr tri pikë me vlerë në një transfertë jo dhe aq të lehtë.
SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al në ballinën e rubrikës së sportit