MENU
klinika

“New York Times” lëshon “bombën”

Mehmet Shehu u vra, kërkoi lidhje të ngushta me Perëndimin

15.10.2019 - 08:31

36 vjet më parë kryeministri komunist Mehmet Shehu, gjendet i vdekur në dhomën e tij të gjumit, në orët e para të mëngjesit të 18 dhjetorit 1981, pak orë pas një mbledhje te tensionuar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ku ishte kritikuar ashpër nga Enver Hoxha dhe të tjerët për shkelje të rënda parimore, tolerim të luftës së klasave, dhe për fejesën e djalit të tij të dytë Skënderit, me vajzën e një familje me probleme në biografi.

Sipas variantit zyrtar, ai u vetëvra në kushte depresioni me armën e tij personale, me një plumb në zemër, ndërsa shumë mospërputhje në skenën e ngjarjes, ngritën që në momentet e para dyshimet për një vrasje.

Lajmi bëri bujë jo vetëm në Shqipërinë e izoluar komuniste, por edhe jashtë vendit, sidomos në vendet fqinje. Pikërisht të dhënave nga media jugosllave, i referohet edhe qeveria por dhe media në SHBA.

Në një shkrim të sajin, prestigjiozja “The New York Times”, shkruan se pavarësisht mungesës së provave kokëforta, ekzistojnë shumë dyshime se në të vërtetë kryeministri Shehu është vrarë dhe jo vetëvrarë.

“Zoti Shehu, si kreu i qeverisë, thuhej se favorizonte lidhje më të ngushta me Perëndimin, ndërsa kjo thuhet se kundërshtohet nga zoti Hoxha”- shkruan gazetari David Binder.

SHBA dyshon se kryeministri shqiptar është vrarë

Nga David Binder “NYT”

Uashington, 2 janar 1982 – Zyrtarët e qeverisë së Shtetet e Bashkuara, besojnë se kryeministri shqiptar Mehmet Shehu është vrarë muajin e kaluar, dhe nuk ka kryer vetëvrasje, sikurse pohoi Radio Tirana.

Amerikanët thanë se nuk i shpërfillin raportet e shtypit jugosllav, sipas të cilave kryeministri Mehmet Shehu u vra gjatë një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.

Megjithatë, ata thanë se nuk kishin parë prova për raporte të tilla. Botimi i kësaj jave i “Nin”, një revistë e përjavshme e Beogradit, foli për “dyshime” se zoti Shehu, udhëheqësi më jetëgjatë i rangut të dytë në Shqipëri pas Enver Hoxhës, shefit të partisë, kishte rënë viktimë e një “larje hesapesh në nivelin e lartë drejtues”.

Duke cituar burime të paspecifikuara perëndimore, “Nin” tha se një mbledhje e Komitetit Qendror ishte zhvilluar mbrëmjen e 17 dhjetorit, dhe se gjatë saj kishte pasur një konflikt midis zotit Hoxha dhe zotit Shehu.

Burime perëndimore raportuan për revistën, se mbledhja ishte thirrur për të diskutuar përfshirjen më të madhe të Shqipërisë në tregtinë me Perëndimin. Zoti Shehu, si kreu i qeverisë, thuhej se favorizonte lidhje më të ngushta me Perëndimin, ndërsa kjo thuhej se kundërshtohej nga zoti Hoxha.

“Nin” tha se në një javë para vdekjes së tij, zoti Shehu u takua me delegacionet tregtare greke dhe rumune, si dhe disa ambasadorë perëndimorë. Revista arrin në përfundimin se ai “ose u detyrua të kryejë vetëvrasje ose u vra”.

Zyrtarët amerikanë thanë se besimi i tyre se 68-vjeçari Shehu kishte qenë viktimë e një loje të gabuar, u bazua në atë që ata e interpretuan si një trajtim të ashpër të vdekjes së tij nga Radio Tirana. Gazetat shqiptare që raportojnë mbi ngjarjen, nuk kanë arritur ende në Perëndim.

Citohet “kriza nervore”

Në orën 7 të mëngjesit të 18 dhjetorit, Radio Tirana transmetoi një njoftim të Partisë Komuniste dhe qeverisë shqiptare se “mbrëmjen duke u gdhirë 18 dhjetori 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”. Kjo u pasua nga një nekrologji e shkurtër.

“Kaq e pati”- tha një analist. Një tjetër vuri në dukje se në dallim nga praktika zakonore në vendet komuniste, në nekrologji nuk u tha asnjë fjalë lavdëruese për zotin Shehu. “Nin” e Beogradit tha se Radio Tirana “nuk transmetoi më lajme lidhur me ngjarjen”, dhe se programet përfshirë edhe ato muzikore “vazhduan si zakonisht”.

Si jugosllavët ashtu edhe amerikanët, thanë se nuk kishte asnjë tregues të mëparshëm të një përçarjeje midis zotit Shehu dhe zotit Hoxha. Ata risollën në vëmendje faktin që në një kongres të partisë në muajin nëntor, zoti Shehu mbajti një fjalim të gjatë pas fjalimit të zotit Hoxha.

Treguesit e mëhershëm të tensionit

Por amerikanët thanë se kishin vënë re shenja në shtypin shqiptar për tensione në udhëheqjen komuniste, lidhur me planin e ri pesëvjeçar, i cili u miratua pas vonesave të konsiderueshme në kongresin e nëntorit. Ata përmendën gjithashtu një artikull kritik në numrin e tetorit të revistës partiake “Rruga e Partisë”, ndaj politikës së izolacionizmit.

Por amerikanët thanë se nuk zotëronin ndonjë dëshmi që zoti Shehu dhe zoti Hoxha, të kishin pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje. Vdekja e zotit Shehu hap tashmë çështjen e pasardhësit, si në postin e kryeministrit, dhe në fund të fundit edhe të Sekretarit të Parë të Partisë.

Zoti Hoxha, i cili është 73 vjeç, ka qenë i sëmurë. Zyrtarët amerikanë, mendojnë se një pasues logjik i zotit Shehu si kreu i qeverisë do të ishte Adil Çarçani, një zyrtar ekonomik i cili ka qenë zëvendëskryeministri i parë që nga viti 1974.

Revista “Nin”, përmendi gjithashtu Ramiz Alinë, një ish-udhëheqës i rinisë komuniste dhe ministër i Arsimit, i cili ka qenë zyrtari i dytë në sekretariatin e partisë. Parlamenti është planifikuar të mblidhet më 14 janar, dhe ndryshimet në përbërjen e qeverisë mund të shpallen në atë kohë.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen