MENU
klinika

Branko Merxhani

Nëpër fshatra…

05.10.2019 - 12:01

Dikur në bredhëritje e sipër përmes maleve dhe livadheve rruga më nxori në një Monastir. Ishte një pasdreke.

Igumeni kishte ikur që në mëngjes për në arat. Gjeta atje vetëm një murg dhe ky më priti me një djallëzi të mshehur e me kërshëri. U ulëm ndënë një pjergullë. Afër kishin mbirë disa hithëra, si pemë të ritura, dhe për së largu dukej deti. Duke pandehur se ai vet ishte igumeni e pyeta për Monastirin, se sa stremë tokë ka, sa ullinj dhe sa kokë gjë të gjallë.

Murgu m’u përgjegj:

– Edhe unë i huaj jam këtu. S’e di. Por ti pse pyet? Ku vërtitesh ashtu nëpër shkretëtira? Ç’kërkon këtu tek neve?
– Hiç… kështu-ja. Dua të shoh dhe të mësoj.
– Ç’ke për të mësuar prej neve? S’të marrë dot vesh!
– Ja… dolla për të marrë pak erë dhe të shoh. Mua më pëlqen të sillem vërdallë nëpër shkretëtira. Seicili merret me punën e vet dhe unë s’kam punë tjetër, veç se të mësoj se me ç’merren, me ç’rojnë dhe me ç’shpresa dhe mendime mbahen në këmbë bashkë-vuajtësit e mi. Edhe ti e di o murg se jeta jonë kombëtare ka shumë mungesa, plaga, dhe nuk para-vete dhe kaq mbarë. Kombi ka nevojë për ndihmën e djemëvet të tij, por bijt e vet nuk janë të zotë që ta ndihmojnë.

Nuk çajnë kokën për ‘të. Kalojnë ditët me urime dhe me shpresa. Nuk përpiqen që t’i bëjnë diçka të mirë, t’a njohin për s’afërmi dhe t’a vënë në një udhë të drejtë.

Mua më pëlqen të merrem me ato gjëra, të cilat të tjerët vetëm urojnë që të bëhen. Ashtu besoj se bëj edhe unë diçka, jap diçka nga vehtja ime që të shkojnë pak më tutje përpjekjet e heshtura të të tjerëvet, ashtu që të forcohet shpirti i kombit dhe të shtohet edhe një kokër tjetër për bri gjith’ atyreve të shkuara. Esht i pasur shpirti i kombit, por kurdoherë duhet kokër e re që t’a forcojë, sepse kokërat e vjetra bëhen bajate. Ndërgjegja kombëtare që të rritet dhe të ngjallet kërkon përpjekje të reja, do vepra të reja, do…

– Mirë po, as më thua, me ç’punë merresh ti?
– Me shkrime. Ja, shikomë! Asgjë s’kam më tepër prej sa mbaj të veshura. Kam vetëm vet-vehten. Dhe pasuria ime e vetme janë disa idera. Këto i jap duke i shkruar. Dhe më duket se edhe kjo është diçka.
– Sa pare vlejnë këto! Ç’pret ti që të nxjerish me këto?
– Asgjë! hera herës duke bredhëritur nëpër katunde të bumbura në shkretira dhe të lëna, pyes në se më sheh dikush se ku jam dhe me ç’merrem. Por prap kur kujtoj se më vezhgon aksecili ose filani, mërzitem. Gëzimi im është të humbas përmes këtyre shkretirave në një kohë kur të tjerët si unë kërkojnë të bëhen nikoqir, të fitojnë pozita shoqërore, të dëfrejnë dhe të vrasin miza. Kaloja nga një fshat shqiptar atje poshtë brënda fushës. Pash kryeplakun, mësonjësin, dhe fshatarët. Kryeplakun e pyeta sa shtëpi ka fshati dhe mësonjësin sa djem dhe sa vajza ka në shkollë. Fshatarët, si shkuan sivjet me të lashtat, ç’farë mbjellin dhe në se rojnë midis tyre të bashkuar ose pse grinden midis tyre dhe si ja shpien me katundet fqinj dhe me Qeverin. Dhe pastaj s’kishim më gjë për të thënë. Në çdo fshat të Shqiptarësisë, qoftë këtu në Shqipëri, qoftë atje poshtë ose larg në mërgim, gjithë po këto gjëra bëhen qysh prej një mijë vjetësh.

Gjithë po ato pyesim kudo, po ato themi me fshatarët – gjëra të fshatit dhe të matura, të thjeshta dhe të thella, të trajtuara dhe shekullore, që dëftejnë jetën e njerëzvet tej e për tej dhe përgjasimin e tyre të përhershëm. Atje ndjej mirë se tek njeriu nuk ndryshojnë hollësirat e çdo personi, por dy a tri ndjenja të përgjithëshme njerëzore, sepse ndryshimet e njërit prej tjetrit janë të pa-rëndësishme dhe e vetmja gjë që diçka përfillet, por jo dhe kaq me rëndësi, është përgjasimi i tyre. Dhe nëpër qytetet tani gjithë po këto gjej, mbasi i pash herën e parë të qarta brënda fshatrave. Pasqyra shoqërore e fshatravet më tregoi udhën më të drejtë për psykologjin t’ime shoqërore. Interesat politike të arhondëvet të fshatravet të një kombi, pajtohen me nevojën dhe mbrumin pak nga pak organizimet politike, Shtetet. Dhe, prapë fshatrat, ca prej tyre, nga shkaku i prirjes së posaçme për punë ose nga shkaku se janë të ngrehura nëpër vënde të përshtatura për tregti, bëhen pak nga pak qytete, gatuajnë Qytetërimin.

Dhe nga qytetrimi dalin njerëzit e çquar që në asgjë nuk dallojnë nga të tjerët përveç gjërësisë së jetës. Në fshat shoh themelin e njeriut. Në fshat shoh edhe themelin e Njerëzimit t’onë, me giithë se mbeti shumë prapa dhe edhe s’u ndie klithma e tij e parë, paralajmërimi i çfaqjes së moshës së vet foshnjarake. Mbase për këtë gjë më pëlqen të shoh pamje katundare, parmëndën dhe pëndën, arat dhe lëmënjt. Nëpër shkollat dikur loton mshehurazi shpirti im kur dëgjoj këngën e marrë vënçe. Atëhere më zvarisin pa u mbajtur zërat e mi të mshehur aq sa verbohem për gjërat e tjera të botës.

Por mësonjësi kudo më zgjon keqas dhe më kallzon babëzin e fshatravet t’onë. Ishte një dit’e kremte dhe fshatravet kërcenin, të rejat bashkë me trimat duke kënduar dhe duke dëfryer. Vallja është gëzimi më i vërtetë pas dashuris dhe është para-ndjenja e sajë. Atë ditë gëzimi im ishte të bredhërija midis fshatravet që kërcenin, si dhe brënda shkretiravet. Ky gëzim është shpërblimi im.

Kështu dëfrej unë.
– Do me thënë edhe ti bëkërke qejfin t’ënd!
– Pse jo? Që të gjithë dëfrejmë. Dikush me argëtime, dikush ndryshe. Nuk vlej më tepër se të tjerët. Esht’ e tepërt të t’a vërtetoj se çdo njeri ësht egoist. Vetëm që nuk e vendosin të gjithë egoismin e tyre, d. m. th. kënaqësin e tyre, gjithë po n’ato gjëra. Egoismi ka lloj-lloj përmbajtje, por gjithënjë mbetet egoisëm dhe njeriu, siç e di dhe ti, nuk ka tjetër gjë veç se “Un”-it të tij. Me atë do të rrojë, me atë do të shikojë botën, me atë do të bëjë gjithëçka që do të bëjë. Nga “Un”-i fillon bota. Me mëndjen t’ime do të gjykoj, me syt e mi do të shoh dhe me veshët e mi do të dëgjoj.
– Por un’e di që egoismi ësht i keq. Është një ves që duhet të luftohet.
– Ti, o murg, je një i krishtër shumë i pa-djallëzuar. Unë këtë gjë e di ndryshe: Egoismi është një gjë njerëzore. Ndodhet brënda nesh si një fuqi dhe bile si një fuqi më e madhe se gjithë të tjerat. Në se ti me fjalën egoizëm kupton tundjen dhe adhurimin e një njeriu të lehtë për vet-vehten, atëhere ke të drejtë. Janë natyrisht edhe disa që humbasin në fytyrën e tyre sepse harojnë me të vërtetë vogëlsin’ e tyre dhe nuk e njohin vëndin që zënë nënë diellin.

Të tjerë mund t’i therorizojnë që të gjitha, dhe jetën akoma, porsa t’i ngasish fare pakëz. Janë edhe disa famë-dashës që i mban një enthusiazëm i pa lodhur dhe i pa shterrur për surratin e tyre.
– O, dhe ti këta i quake të mirë? D. m. th. edhe ti vet e pranon se qënka edhe një egoizëm i keq?
– Jo. Nuk i quaj të mirë, sepse nuk më pëlqejnë. Po t’ishin Narkissë dhe të adhuronin bukurin e tyre, ahere po! Por as edhe të këqij s’i quaj. I emëroj dritë-shkurtër, mëndje ngushtë, të lumtur dhe më të humburit prej tyre i quaj budallenj. Por edhe budallallëku ka edhe ky një mission në këtë jetë. Dëfren botën dhe zakonisht edhe vet budallan. Sa për jetën tjetër, budallallëku ësht’i caktuar, më duket, për Mbretërin e Qiejvet. D.m.th. budallai ka shpresa të shëndosha. Natyrisht që të shkojë njeriu në Skëterrë lypset një zotësi më e madhe. E marrë me mënd, o murg, dhe them se ti nuk je për Mbretërin e Qiejvet.
– Lëri, lëri këto dhe eja në bisedë.
– Biseda është se egoisëm do me thënë njeri dhe kujdesja e Un-it është dhe detyrë dhe e drejtë.
– Mirëpo atëhere ti s’ke gjë tjetër për të bërë veçse të shikosh Un-in t’ënd dhe do të katandisish të harrosh çdo gjë për Un-in tënd.

– E vlen barra qiran ! Ç’punë prish në se unë kujdesem për Un-in t’im kurse ashtu nuk haroj gjithë gjërat e tjera, si më thua ti, por përkundrazi i kuptoj më mirë dhe bile më hollë. Njeriu që analizon Un-in e tij sepse u bind se që prej ‘tij nis bota, një njeri i tillë asgjë nuk harron. Sheh drejt më mirë se çdokush tjetër se Un-i i vet nuk gjëndet. Un-i im nuk është fytyrë. Nuk është një send që më takon. Eshtë një vashdim dhe një grumbullim i të gjithë Un-ëve të njerëzvet të kaluar që rojtën mbi dhé dhe lajmimtarë të gjithë të tjerëvet që kanë për t’ardhur. Ndjej vogëlsin e fytyrës s’ime të vogël të gjallë, që nga shkaku i varfëris njerëzore të gjuhës bëj gabimin dhe e fytyrëzoj duke e quajtur “Un”. Kurse në të vërtetën as ti as un s’kemi gjë t’onin. Kemi të gjalla brënda nesh gjithë sa rojtën të vdekurit tonë dhe mund të kemi brënda nesh dhe çdo gjë që do gëzonin ose do të kenë zotësin të gëzojnë të pasardhurit t’onë.
– Por janë edhe disa njerëz që vehten e tyre e pandehin si diçka krejt të pamvarur prej të tjerëvet, qoftë të gjallë, qoftë të vdekur, si diçka të varur n’erë, një farë margaritari që ra si një meteor prej qiellit. Dhe besojnë se s’kanë asnjë detyrim për hiç gjë dhe për asnjë.

– Këtu çështja nuk është vetëm se ata nuk i shohin qartë gjërat dhe keq-kuptojnë përmbajtjen e Un-it duke e ngushtuar dhe me këtë mënyrë duke e zvogëluar edhe shpirtin e tyre, por është që ata nuk mund t’i kuptojnë lidhjet, ose siç thua ti, “detyrimet”, nga shkaku i një dobësije të sëmur ose edhe nga lodhja. Brënda Un-it t’onë luftojnë midis tyre dy ndjenja, njëra e varfër, tjetra e pasur. E para na thotë se jemi një dhe të ndarë nga të tjerët pa patur asnjë lidhje me ‘ta dhe se jemi çdokush të ndarë veç e veç, njerëz të pamvarur, vetëm individu. E dyta na thotë se jemi shumë ose një midis shumëve dhe njësoj me të tjerët, të vdekur e të gjallë, të lidhur me ‘ta me mijra lloj lidhjesh-të lirë e të pasur dhe jo të pamvarur.

Të dobtit, që ti përmënd, janë ata që ndjejnë vehten e tyre si individu që mvaren n’erë. S’ka individu. Kjo është vetëm një ndjenjë e të lodhurvet ose të dobtëvet. Eshtë ngushtimi i shpirtit të tyre. Ndofta këta mund të shërohen nga dobësia e tyre nëse do të hapin më mirë syt dhe nëse do t’analizojnë Un-in e tyre gjer në thellësirë. Atëhere do të shohin se cilat janë rrënjat e tyre dhe atëhere Un-i i tyre i ngushtë do të zgjërohet, sepse do të coptohet në një mijë pjesë. Dhe atëhere do të kuptojnë se nuk janë të lirë. Neve njerëzit kurse njohim dhe pranojmë gjithë skllavëritë t’ona vetëm atëhere bëhemi të lirë, çlirohemi nga një barrë. Nëse me analyzën do të kuptojmë se jemi skllevër të të vdekurve dhe që ata na urdhërojnë, është një barrë e rëndë, kurse e ndjejmë pa rreshtur. Do t’i çkarkohemi asaj barre kurse ta pranojmë dhe t’a harrojmë përsëri dhe të përzihemi me guxim me njerëzit e kohës s’onë duke ndjer brënda nesh një disiplinë shoqërore dhe një solidaritet. Eshtë nevojë që cilido të çfaqë atë jetë që ka brënda. Çdo gjë që rron ka nevojë të zgjërohet sa të mundet, të kallzojë fuqin e vet, atë që ka.

– Si të shtruara m’i thua këto, por në qoftë se dukja e fuqis së një njeriu mbyt jetën e një tjetri?
– S’ke se ç’bën! Do t’a mbyt. Peshku i madh e ha të voglin dhe më i fuqishmi fiton.
– E po s’është e drejtë këjo që thua. D.m.th. në këtë botë s’paska drejtësi!
– Jo! S’ka!
– A, mirë po unë s’mundem t’i duroj padrejtësitë!
– Mundesh dhe baba-mundesh. Ja që rron dhe s’para dukesh edhe kaq i mjerë. Po kush të pengon, me gjithë që je edhe murg, të përpiqesh t’u lehtësosh barrën e rëndë atyreve që u hahet e drejta? Bëj spitale, hap asile, jep punë të pa-punëvet. Atij që ti thua se i hanë të drejtën nuk e kërkon të drejtën. Kërkon punë. Mua më pëlqen më tepër të përkrah dhe të ndihmoj vetëm ata që durojnë barrën e jetesës. Lëri më nj’anë, o murg, theoritë!
– Unë s’bëj theorira. Jeta ime murge është e pajtuarshme me theorin t’ime. Bëhu edhe ti murg. Me qënë se nuk mund të zhduket as padrejtësia as edhe pabarasia në këtë botë, le të zhduket bota. Kur tërë njerëzit do të pranojnë të bëhen murgë, atëhere të zhduket nga dheu gjenia njerëzore dhe me ketë menyrë do të shpejtohet edhe “Çfaqja e Dytë” dhe bashkë me këtë edhe gëzimi i përjetësisë dhe i të miravet të përjetëshme.
– Amin! Po këto që më thua, pasha Zotin, s’m’a pret koka që t’i besosh edhe ti vet. Dëgjo o i bekuar. Lëre mëndjen tënde të mendojë lirisht dhe do të shikosh se gjithë këto s’janë gjë. Mos bëj theorira të tepëruara. Janë të mjaftuarshme dhe të shumta theorit’ e nevojëshme që bëjmë dashur o pa dashur. Dhe janë të tepërta të gjitha theorirat sa nuk dalin, si një përfundim, nga ndonjë veprim i ynë.
– Ti ç’tjetër gjë bën veç theorive? Përse vallë të mos jenë të tepërta edhe të tuat?
– Theorit’ e mija janë jeta e ime. Dalin nga veprat e mija. Nuk i bëj që të kaloj kohën. Theorit e mija dalin si përfundim nga jeta e ime dhe janë të pandara prej saj. Ti, o murg, që gjoja tregohesh i zëmëruar me padrejtësit’ e botës, a je vallë i sigurt se nuk ha krodhën e ndonjë tjetër njeriu, ndofta më të vlershëm prej teje? Theorit’ e tua nuk kanë të bëjnë fare me jetën t’ënde. Ti rron sido-kudo dhe ndër orët që s’ke ç’të bësh, bëhesh filosof. Për këtë, ti shkel dhe bie jashtë. Mund të jenë shumë të bukura theorit’ e tua për të mirat e përjetëshme që ëndëron ose jo, por nuk kanë të bëjnë aspak me jetën t’ënde dhe atëhere them se janë të tepërta. Do të më pëlqente të më thoshje, ama me të vërtetë, se ç’bën ti këtu brënda. Fantazi kam edhe unë sa të duash dhe do të mundem t’a përfytyroj botëra të pathëna, të gjitha të lulëzuara parrajs, por në një Monastir nuk rrojta kurrë dhe desha të mësoj se ç’bëjnë këtu brënda njerëzit. Por ti nuk do të mundesh të m’i kallzosh këto, sepse do të mburish vet-vehten dhe miqt e tu dhe do t’a shaç anën tjetër. Këto marifetet t’uaja u bënë shkak të na mbytin të huajt dhe të mbahen shekuj me radhë nëpër viset t’ona duke patur gjysmën t’onë si ortak dhe gjysmën si skllave.
– Le t’i lëmë këto meselera të koklavitura or mik. Po nuk mbushim ndonjë gotë?…

***
Kishte rënë muzgu. Duhej t’ikja. Mora rrugën dhe duke ecur mendoja. Për mua mendimi dhe idét është drita që ndriçon rrugën t’ime. Pa këtë dritë nuk do të mundja të rroja dhe do t’ishte tragjike sikur të mos ishin pajtuar mendimet dhe jeta e ime dhe në se do të grindeshin midis tyre pafundërisht. Por nuk humbas në mendimet e mija, sepse nuk i besoj verbërisht. Besoj më tepër veprimet e mi. Veprimi ësht’i nevojshëm që të mos e humbasim, ësht’i domosdoshëm që të mos shterojnë mendimet tona. Kur arrijmë të trullosemi brënda iderave dhe nisim të vijmë vërdallë në lëmin e dëshpërimit, është mirë të zëmë ndonjë gur, një pemë, dheun që të bindemi se nuk kemi shkarë dhe se jemi të gjallë ende. Këtë vërtetim na e falë më tepër se çdo gjë tjetër, bredhëritja përmes maleve dhe livadheve, ku mund të takosh edhe ndonjë murg, lart në ndonjë breg, t’ulesh ndënë hien e ndonjë pjergulle dhe të bisedosh me ‘të dhe të vezhgosh rreth e rrotull hithëra të mbira dhe së largu detin…

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen