Joachim Low ka arritur të rinovojë një pjesë të mirë të kombëtares gjermane, por sërish ka probleme brenda grupit dhe më i fundit që ka dalë në sipërfaqe, ka qenë ai mes portierëve Manuel Neuer dhe Andre Ter Stegen.
Ky i fundit ka shprehur hapur pakënaqësinë që titullar luan gjiganti i Bayernit të Mynihut, pasi pretendon se gëzon një formë shumë më të mirë dhe se meriton të luajë nga fillimi, jo ta nisë ndeshjen nga stoli.
Debati në distancë mes palëve arriti kulmin dhe në çështje u përfshi edhe klubi i Bayernit të Mynihut, që dërgoi një mesazh të qartë për Low, se nuk do të lejojë asnjë futbollist bavarez të shkojë në kombëtare, nëse Neuer ulet në stol.
Për ndeshjet e radhës në tetor, ndaj Estonisë për eliminatoret e Euro 2020-ës dhe ndaj Argjentinës në miqësore, Low ka ftuar të dy portierët dhe duket se ka marrë vendimin që ata të alternohen në portë.
Kështu është vendosur që ndaj Estonisë titullar të jetë Manuel Neuer, ndërsa në miqësoren ndaj “albiçelestëve” mes shtyllave të luajë Ter Stegen, që do të ketë një tjetër shans të tregojë se është në formë më të mirë se portieri i Bayernit.
“Kemi rënë dakord me Ter Stegen, që të luajë titullar në miqësoren ndaj Argjentinës, që do të zhvillohet më datën 10 tetor, ndërsa 3 ditë më vonë ndaj Estonisë, do të luajë Neuer”, tha Joachim Low në konferencën për shtyp gjatë prezantimit të listës së të grumbulluarve.