Objektet që nuk kanë mundur të legalizohen për shkak të probelemeve të ndryshme do të trajtohen me një ligj të posaçëm.
Kjo u bë e ditur nga drejtori i Agjensisë së Kadastrës, Artan Lame, i cili ishte i pranishëm në mbylljen e procesit të legalizimit të rreth 1300 objekteve pa leje në Zall-Herr.
Të gjithë ata qytetarë që ende nuk kanë arritur të legalizojnë banesat e tyre tashmë do të kenë një zgjidhje.
Nga Zall-Herr ku përmbylli procesin e legalizimeve Drejtori i Agjensisë së Kadastrës, Artan Lame, deklaroi se po punohet për disa ndryshime ligjore për të trajtuar këtë kategori objektesh.
“Jemi duke bashkëpunuar me Kuvendin dhe me Qeverinë për të bërë ndryshimet, përshtatjet me ligjin e ri që po përgatitet për të gjetur një mënyrë të trajtimit të objekteve që nuk mund të legalizohen sot për sot për shkak të problematikave që kanë. Ka lidhje kjo edhe me Komisionin e Venecias. Para një jave ne ishim në Venecia për dy gjëra, për Presidentin dhe ligjin e pronave që është pikërisht ky ligj.”
Në Njësinë Administrative të Zall-Herrit u legalizuan 1310 ndërtime pa leje.
“Zall-Herri është njësi administrative që ka pasur 1310 ndërtime pa leje, shenjë e qartë që ju duart u kanë ngrënë për punë dhe keni bërë goxha punë.1300 shtëpi pa leje nuk janë pak. Edhe për Drejtorinë ishte një punë kolosale përfundimi i këtij procesi, me 131 lejet që jepen sot përmbyllet ky proces në njësitë administrative Zall-Herr.”
Sfida e re për Kadastrën Shqiptare është regjistrimi i tokave bujqësore në të gjithë vendin.
Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë edhe Drejtoresha e Tirana Rurale 1, Risena Xhaja si dhe deputeti Xhemal Qefalia.