*Nga Dorian Koçi
Etnosi arbër, siç vëren me të drejtë mediavelisti i shquar kroat, Milan Shuflai, pati një përhapje të gjerë në mesjetë përgjatë gjithë bregdetit dalmat, adriatik, jonian dhe egjian.
Kjo pozitë gjeografike dhe karakteri i tij sulmues e luftëtar si popullsi, e shndërroi në një digë të fuqishme për mbrojtjen e Evropës nga sulmet e pafundme osmane.
Qëndresa e kësaj popullsie ka shënuar episode të rëndësishme të historisë ballkanike dhe europiane, jo vetëm në atë që ne e quajmë sipas arbëreshëve “Moti i Madh”, por në një vazhdimësi lineare, që nga shfaqja e parë e osmanëve në Ballkan e deri në shekullin XVII.
Qendrat e rezistencës së etnosit arbër nuk ishin vetëm në Arbëri, por ato fillonin që në bregdetin dalmat, ku kjo popullsi merrte pjesë në ushtrinë e Venedikut me emërtimin stratiotë -luftëtarë të kalorësisë së lehtë, që mund të përballonin me dinjitet, kalorësitakëxhinj dhe suvarinj osmanë – vazhdonin në ishujt Jonianë dhe në More, ku që prej shekullit XIII kishte emigruar dhe qe vendosur një popullsi e madhe arbre.
Shkaqe të kësaj rezistence të pashoq arbre, që nuk bënte kompromis me osmanët për t’u nënshtruar, nuk janë analizuar qartë dhe shpeshherë u janë përcjellë motiveve të paqena, si kryeneçësia e racës shqiptare apo keqpërdorimi i tyre si element force nga venedikasit.
Sigurisht që në këto përfundime mund të ketë diçka të vërtetë, pasi përfundimet në histori nuk mund të jenë përfundimisht të sakta, por ajo që ndikonte më tepër në vazhdimin e rezistencës është motivi që nënvizon dhe Noli te “Historia e Skënderbeut” (1948). Pushteti osman ishte krejt i huaj për strukturën shoqërore arbre.
Ai ndërhynte me institucionet e tij si vakëfi, hasi, spahillëku në pronën e vogël dhe të mesme duke shkatërruar bazën ekonomike të popullsisë. Në të kundërt, klasa fisnike arbre arrinte të mbronte privilegjet e tyre nëpërmjet konvertimeve në islam dhe vënien në gatishmëri të trupave ushtarake, ndaj konvertimet e para i kemi nga klasa fisnike arbre, që nuk humbiste privilegje të mëdha.
Mirëpo në fakt, edhe kësaj të fundit i duhej të luftonte dhe të ishte në përpjekje të vazhdueshme për të konfirmuar pronën e vet, që si rregull rinovohej në krye të një vitit nga sulltani.
Kjo lloj pasigurie pushtetesh politike reflektonte edhe pushtetet kulturore ku ende vazhdonin të predominonin gjuhët latine e greke dhe lëvrimi i gjuhës vernikulare sa kishte filluar të merrte udhë. Pak a shumë kjo ishte situata politike e konfliktit arbër-osman, situatë ku Arbëria politike e ngritur me institucionet e veta u shkërmoq nën peshën e dhunës osmane dhe gjallonte vetëm në ishuj të vetëm të popullsisë që nuk ishin nënshtruar tërësisht sistemit feudal ushtarak osman.
Mirëpo duke qenë se fati i popullsive arbre që banonin në vende të ndryshme ishte i njëjtë, jo domosdoshmërisht edhe kultura e kultivuar e tyre do të ishte e njëjtë. Në kulturën arbre kishte pasur influenca të ndryshme që kishin shenjuar edhe trajektoret e zhvillimit të tyre, duke filluar që nga kultura latine, sllave e bizantine.
Pavarësisht faktit se influencat e këtyre kulturave ishin të mëdha mbi etnosin arbër, aq sa mbivendosja e tyre kishte penguar procese të natyrshme të zhvillimit të vetë kulturës arbre, në momente të veçanta dhe të influencuar nga rrethanat, ishte zhvilluar një kulturë lokale e arbërve, e cila kish tentuar të shndërrohej dhe përshtatej sipas modeleve të kulturës evropiane.
Në të njëjtën kohë, në këtë kulturë ishin zhvilluar motive shtegtuese, tematika dhe mite popullore të ngjashme, që dëshmonin për një uniformitet të habitshëm midis popullatave arbre në rajon.
Një shembull i tillë është krijimtaria poetike e Pjetër Budit (1566-1622) dhe krijimtaria poetike e Manoli Blessit, luftëtarit stratiot arbër nga Napoli Di Romania, Navpaktua e sotme në Greqi.
Pjesë e analizës sonë nuk do të jetë e gjithë krijimtaria poetike e Budit dhe Blessit dhe që në krye të herës dëshiroj të theksoj se kjo është një përpjekje e parë për të krahasuar dy poetë arbër, që ndonëse shkruajnë në gjuhë të ndryshme, Budi në shqip dhe Blessi në grekeo, një dialekt i greqishtes i mbushur plot me italianizma dhe tek-tuk fjalë shqip mes gjuhës greke, kanë të përbashkët motivin e qëndresës antiosmane dhe revokimit të së kaluarës historike.
Sigurisht që nuk bëhet fjalë për korpusin e plotë poetik të Budit, por për një poezi të shquar të tij “Madhështi e njerëzve”, si dhe për një pjesë poetike nga poema e gjatë “I paliorkisi tis Qipru” (“Rrethimi i Qipros”), botuar në vitin 1571 menjëherë pas ngjarjeve tragjike që sollën dhe rënien e ishullit në duart e osmanëve.
Jeta e dy bardëve dhe poetëve arbër është e ndarë qoftë nga territoret ku banonin, qoftë nga kultura që predominonte në formimin e tyre e deri të profesionet që ushtronin. Pjetër Budi njihet prej kohësh në kulturën tonë si shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare, klerik i lartë katolik dhe veprimtar i lëvizjes çlirimtare kundërosmane.
Ai lindi në Gur të Bardhë të Matit. Si autodidakt, arriti të pajisej me një kulturë të mirë për kohën e tij. U shugurua meshtar qysh në moshë të re dhe shërbeu për shumë vjet si famullitar në kishat katolike të Kosovës dhe të Maqedonisë. Për aftësinë e tij u emërua Vikar i përgjithshëm i kishës katolike në trevat ku shërbente.
Më 1615 shkoi në Romë për t’u interesuar për botimin e veprave të tij, si dhe për çështjen e kryengritjes kundër turqve. Në një kohë të vështirë, në korrik të vitit 1621 u emërua peshkop i Sapës dhe i Sardës (Zadrimë) dhe në fillim të vitit 1622 nisi punën në këtë detyrë të re. Më 1618 u botua në Romë vepra e tij e parë “Doktrina e kërshtenë” dhe më 1621 edhe dy vepra të tjera: “Pasqyra e të rrëfyemit” dhe “Rituali Roman”.
Këto vepra, prej rreth 1000 faqesh, synonin t’u vinin në ndihmë besimtarëve dhe klerit katolik shqiptar. Për hartimin e veprave të tij Budi u mbështet në tekste fetare të botuara në Itali, por ato, sidomos “Doktrina e Kërshtenë” dhe “Pasqyra e Rrëfyemit”, nuk janë përkthime të thjeshta, por më fort përshtatje me shtojca të shumta nga vetë Budi.
Në “Doktrinën e Kërshtenë” ka përfshirë edhe vargje fetare (mbi 3000), që pjesërisht i kishte të shkruara nga një farë frat Pali prej Hasi. Po kështu, në fund të veprës “Pasqyra e të rrëfyemit” Budi ka shkruar një letër-mesazh të gjatë (rreth 70 faqe) drejtuar besimtarëve katolikë shqiptarë me këshilla dhe porosi të shumta.
Aty autori ankohet, ndër të tjera, edhe për gjendjen e vështirë të vendit, për mungesën e shkollave, për plogështinë e një pjese të klerit. Nga tri veprat e Budit më shumë jehonë ka pasur “Doktrina e Kërshtenë”, e cila është ribotuar edhe tri herë të tjera (më 1636, 1664 dhe 1868). Budi ka përdorur një alfabet të ngjashëm me atë të Buzukut (me pak ndryshime). Ashtu si Buzuku ai i dallon zanoret e gjata nëpërmjet dyfishimit të shkronjave përkatëse. E kjo dëshmon për një traditë shkrimi relativisht të vjetër ndër shqiptarët. Budi ka përdorur me kujdes gjuhën popullore, duke e pasuruar atë edhe me fjalë të reja.
Manoli Blesi ishte një stratiot arbër i lindur në Napoli Di Romana, një fortesë e rëndësishme e venedikasve dhe e populluar pothuajse e gjitha nga popullsia arbre e emigruar që në shekullin XIII në territoret e Greqisë së sotme.
Blesis në shkrimet e tij citon me krenari origjinën e vet nga Leon Zguro, arkondi i Napoli Di Romana dhe një shteti që shtrihej nga Navpaktua e sotme deri në Beoti, Thiva, dhëndrin e Perandorit Bizantin Aleksi III, dhe despotin e Perandorisë Bizantine.
Blesi, në traditën e personaliteteve në mesjetë, përveçse stratit, ishte dhe një poet i arrirë në formën e një poezie të lëvruar epike për betejat e shumta ku mori pjesë në Europën Perëndimore. Nga viti 1560 luftoi në Dalmaci në krahun e ushtrive venedikase kundër osmanëve.
Në vitin 1570 mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e Leukosias të Qipros nga forcat osmane të Sulejmanit të Madhërishëm. Pas këtyre luftimeve e gjejmë në vendet danubiane së bashku me katër stratiotë dhe shërbeu në forcat e Austrisë, të Bavarisë dhe të Prusisë.
Gjatë këtyre luftimeve e shtegtimeve poezitë e tij u bënë të njohura dhe shumë prej tyre u kompozuan edhe si këngë nga muzikantë flamandë dhe italianë, këngë të cilat dëgjoheshin shpesh rrugëve të Italisë ku kishte një përqendrim më të madh stratiotësh.
Blesis u nderua me tituj të shumtë nga Këshilli i Dhjetëve të Republikës së Venedikut. Në burimet veneciane ai konsiderohej si një Herkul i ri. Pas kthimit të tij në Venedik, ai shkroi poema të gjata për rrethimin e Qipros dhe elegji për stratiotë të tjerë arbër që dhanë jetën në këto luftime. Fama e tij në Venedik ishte kaq e madhe, sa rreth tij u thurën dhe legjenda. Krijimtaria e tij në shqip na ka ardhur përmes veprës së Aristidh Kolias “Arvanitasit, prejardhja dhe origjina e tyre”.
Motivet shtegtuese dhe të përbashkëta të këtyre dy autorëve që shprehin dhe lartësojnë rezistencën arbre kundër osmanëve qëndron e përvijuar në motivin e revokimit të së kaluarës heroike të etnosit të tyre.
Poezia “Madhështia e Njerëzve” nga Budi, reflekton revokimin e së shkuarës së lavdishme të arbërve duke përcaktuar qartë jo vetëm të shkuarën e afërt të tyre, konfliktin me otomanët, por edhe një të shkuar të largët, që nga koha e Ilirisë dhe Bizantit.
Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?
Në këtë kuptim, duket se Budi i paraprin letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare kur bën pjesë të ligjërimit të tij poetik faktin historik të prejardhjes së perandorëve të Romës e Bizantit me origjinë ilire, që dy shekuj më vonë do të përmendej në pothuajse të gjitha shkrimet e aktivistëve të Rilindjes Kombëtare.
Edhe poeti e luftëtari stratiot Manoli Blesi bën të njëjtën gjë kur evokon të shkuarën e largët më tepër se njëshekullore, por ai nuk ka ndërgjegjen e kultivuar historike të Budit për të përmendur perandorët e Romës dhe të Bizantit. Manoli Blesi, në fakt reflekton një ndërgjegje historike, që është ndërgjegjja e etnosit të tij arbër në Greqi, kur përmend kapedanët stratiotë e rreth 70 vjetëve më parë.
Ku është tanimë Kelmendi madhështor
Kapedan i ushtrisë
Dhe ai Gërbeshi burrëror
që i bëri turqit me dridhë
Bashkë me Janin e Fraskiasë
Plot me shpirt e fshehtësi…
O të varfër stratiotë
Ajo që është veçanërisht e rëndësishme nga pikëpamja historike, ka të bëjë me faktin se të gjithë emrat e individëve dhe disa fshatrave janë nga zona e Navpaktos.
Po kështu, është interesant fakti se në vitin 1561, Blesi kujton Petro Buan, kapedanin e famshëm stratiot, i cili kishte vdekur rreth 70 vjet më parë. Motivi tjetër shtegtues në krijimtarinë e këtyre dy autorëve arbër është motivi i keqardhjes për fatin e trishtë që ka ndjekur kapedanët e etnosit arbër. Kështu, te Budi kemi vargjet:
Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s’i shikoi,
as të vobegë,as të begatë.
Duket se koha dhe vdekja ka mbizotëruar mbi fatin njerëzor dhe politik të arbrit, gjë që e shqetëson Budin dhe që vjen në poezi si një reflektim i drejtpërdrejtë i Arbërisë së asaj kohe. Pothuajse njëlloj ndihet ky motiv për fatin njerëzor e politik të arbërve dhe kapedanëve të tyre në vargjet e Blessit:
Dhe hymë në dimër
Do rikthehemi në verë
Me këtë shoqëri kaq të mirë
Të kalorësve e kavalierë
Trima dhe luftëtarë të zotë
Siç bënin dhe më të vjetrit tanë
O të varfër stratiotë…
Fushatat e vazhdueshme ushtarake i kishin lodhur dhe dërrmuar forcat arbre që shërbenin si forca mercenare në pothuajse të gjitha oborret e Europës Perëndimore, ndaj Blesi shpërthen me vargun “O të varfër stratiotë”, që përsëritet pas çdo gjashtë rreshtash. Ky refren pasqyron gjendjen shpirtërore të arbërve pa atdhe, ndryshe nga momentet kur kishin luftuar në Navpakto që tashmë kishte rënë në duart e osmanëve.
Motivi tjetër shtegtues në krijimtarinë e këtyre dy autorëve vjen në aspektin e vargëzimit dhe sigurisht përfaqëson një materie të hershme folklorike që ka ushqyer shpirtërisht gjithandej etnosin arbër.
Vargu që është përdorur në të dyja poezitë është vargu tetërrokësh, i përpunuar me rimë në rastin e Budit dhe ai trokaik pa rimë në rastin e Blesit. Vargu tetërrokësh është vargu më i përdorur jo vetëm në poezinë tonë gojore, por dhe në atë të shkruar. Ai është vargu më i preferuar, pasi është më i manovrueshmi e i përshtatshëm për tema të ndryshme. Për emocione nga më të larmishmet, mes të tjerash dhe për epikën, lirikën e dramatikën bashkë.
Me tetërrokëshin mund të kërcehet, të këndohet, të tregohet një ngjarje epike dhe muzikaliteti i saj të mos bjerë në monotoni. Kjo mbetet pasuria e tij e brendshme dhe e larmishme dhe besoj se është arsyeja që Blesi e ka zgjedhur për të ilustruar “Rrethimin e Qipros”.
Gjithsesi, varianti i përpunuar i vargjeve të Budit, dëshmon për ekzistencën e një tradite vjershërimi në qarkun letrar ku ai krijoi, pavarësisht burimeve të pakta dokumentare që na kanë ardhur në ditët tona. Në rastin e poezisë së Blesit, ajo vjen si një reflektim i drejtpërdrejtë i folklorit dhe rapsodive popullore të arbërve të Greqisë.
Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë; madje, mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendtë popullore të tyre.
Pa rimë, pa strofa, thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare, siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetërrokëshe të lira, të përziera me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh; që të gjithë të marrë së bashku krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone.
Fati i përbashkët historik që u korrespondoi sërish popullatave arbre në konfliktin e tyre për jetë a vdekje me osmanët, ngacmoi dhe rinxori në skenë motivet, tematikat dhe mënyrat e performancës së folklorit të pasur në jetën shpirtërore të etnosit arbër.
Në rastin kur tradita e shkrimit dhe e vjershërimit vinte më e konsoliduar, siç ishte rasti i krijimtarisë së Budit, etnosi arbër gjeti shprehinë në gjuhën shqip me alfabet latin. Ekzistenca e një treve me një besim të vetëm, ndodhte edhe në një vend si Shqipëria mesjetare, ku ka munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, një besim ky që nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në kulturë dhe gjuhën vernikulare. Një nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin.
Në këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë, duhet të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe zhvillimin e një kulture të qëndrueshme arbre me alfabet latin.
Fakti e tregon se popullatat arbre kanë qenë shumë elastike për sa u përket identiteteve të tyre që përfitonin në mesjetë. Kështu Blesi lëviz lehtë nga një kulturë bizantine të marrë në Navpakto drejt një kulture perëndimore që përfton në Venecia, duke krijuar në dialektin graeko, por me motive të rëndësishme nga historia dhe identiteti i vet etnik.
Evidentimi i teksteve të vjetra të popullsisë arbre të Greqisë mund të na çojë në surpriza të këndshme të identitetit kulturore të popullatës arbre në rajon, të ngjashmërive si dhe të veçantive të tyre me kulturën mesjetare arbre në tërësi.
Bibliografi:
1- Aristidh Kolia: “Prejardhja dhe origjina e arvanitasve”, Toena, Tiranë, 2011.
2- Fan Noli: “Historia e Skënderbeut”, 1921.
3- Behar Gjoka: “Poetika e Budit”, Tiranë, 2006.
4- Gaetano Petrota: “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, Almera, Tiranë, 2008.
5- Gjergj Zheji: “Bazat e vargëzimit shqiptar”, Rilindja, Prishtinë, 1990.
6- Irakli Koçollari: “Arvanitët”, Albin, Tiranë, 1994.
7- Shkëlzen Raça: “Shtegtimet dhe ngulimet e shqiptarëve në Greqi, shek. XIII-XVI, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2004.