Ka një fakt, që në përgjithësi, ne në vendet ish-komuniste e njohim pak.
Me gjithë centralizimin absolut, ose udhëheqjen e një partie shtet, Stalini kishte lejuar në Poloninë e pas-luftës që të kishte përveç Partisë Komuniste edhe një Parti Agrare. Kjo bëri, që në të vërtetë, në vitet pas ’90-ës, Polonia të ishte më përpara në problemet e bujqësisë se shumë vënde të ish-lindjes komuniste. Ajo trashëgonte një traditë agrare, ose më mirë të themi e kishte kryer atë reformë agrare, të cilën ne po mundohemi prej 30 a 70 vitesh, por që se realizojmë dot dhe tani e kemi zëvendësuar me të famshin ‘Ligjin 7501’.
Pse mu kujtua ky fakt?
Në këto ditët e fundit, po vijmë vërdallë, githnjë e më shumë për të zgjidhur hesapet me BE-në, për të parë kush e ka fajin, Makron, Rama apo Zaev. Për mendimin tim, në të gjitha rastet, fajin apo pjesën e luanit në këtë faj e ka qeveria që udhëheq, pastaj të tjerët me radhë.
Unë e quajta ‘Fatkeqësi kombëtare’ vonimin edhe për një ditë të negociatave për disa arsye të thjeshta, njëra prej tyre kishte të bënte me atë që quhet -Reformë Toke dhe veçanërisht me atë të pronarëve të cilët për 11 dosje që kanë çuar në Strazburg, shteti shqiptar do të duhet të paguajë një shumë rreth 30 mln euro. Imagjinoni se ç’do të bëhej me 63 mijë dosje…
Nga ana tjetër, ky problem i cili është i lidhur veçanërisht me pronat reflektohet tek bujqësia.
Ne themi se prej 30 vjetësh eksportojmë në Evropë një fuqi punëtore, e cila ka sjellë (po t’u besojmë disa analistëve) deri në 2 a 3 miliardë dollarë në vit. Por, nga ana tjetër nuk dimë një fakt shumë të thjeshtë që analizohet nga Institutet amerikane, se për çdo 1 dollar të futur nga jashtë, 93 cent ikin po prapë andej. Pra në këto 2 a 3 mld dollar, ne nuk mbajmë dot kurrë më shumë brënda vëndit, se sa 100 a 200 milionë.
Të tjerat shkojnë jashtë, andej nga kanë ardhur, dhe veç kësaj duhet të kemi parasysh që lemë tokat shkretë, pa punuar. Po ka dhe më keq…
Një nga fenomenet më të rënda që shihet kohët e fundit është ajo që lidhet me protestat e fermerëve në Lushnje, Korçë, dhe kudo tjetër, lidhur me prodhimet e tyre bujqësore.
Si i bëhet?
Qeveria vendosi për një kohë të caktuar që këto t’i zgjidhë nëpërmjet pikave të grumbullimit. Duket që edhe kjo iniciativë e saj, nuk ka ndonjë efekt të madh, posa shohim që fermerët ngelen me produktet e tyre mes fushës dhe natyrisht që një gjë e tillë do të ngjasë.
Problemi i cili reflektohet me hedhjen e prodhimeve,të turpëron kur shihet raporti import-eksport që kanë produktet bujqësore, kur ne kemi shtuar eksportet në 200 milionë në vit, por importojmë 800 milionë në . Pra, prapë kemi një raport të keq në treguesit e import-eksport.
Kjo gjë na bën të mendojmë se para se të hyjmë në Evropë duhet të merremi me disa probleme praktike, që kur të vijë Evropa tek ne, të kuptojë që të paktën kemi zgjidhur një të miliontën e tyre.
Jo vetëm në Korçë, Lushnjë, Fier, si dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, fermerët dalin në rrugë dhe herë pas here hedhin produktet në shenjë proteste. Është padiskutim një formë rebelimi vetëm në pamjen e parë primitive, po që së pari e ka themelin e vet në problemin e tokës, së dyti në menaxhimin e gjithë këtij problemi në tërësinë e faktorëve që ai përmban.
Një fermer, nuk mundet që edhe ta punojë tokën, edhe të mbledhë prodhimet e veta, edhe të gjejë tregun, ta shesë, apo edhe 100 operacione të tjera. Është jashtë mundësive të tij. Aq më tepër që sasia e prodhimeve që ka ai nëpër duar, e që varet nga sasia e tokës që ai ka, është tmerrësisht e vogël.
Ky problem që rëndon shumë mbi ne, duket sikur në një farë mase zgjidhet nga Maqedonia, e cila subvencionon në krahasim me 10 mln të Shqipërisë një shifër rreth 15 apo 20 herë më të madhe. Në fakt, ky duket një paradox, sepse Maqedonia është një shtet edhe më i vogël se ne dhe prapë ka një bilanc të mirë eksportesh bujqësore. Por, ai nuk lidhet aq shumë me subvencionin e drejtpërdrejtë të parave, se sa me format e organizimit perfekte që ndjek Maqedonia.
Problemet që kanë të bëjnë me fermerët e Shqipërisë reflektohen ndonjëherë shumë thjeshtë jo vetëm duke parë protestat e tyre, por edhe në pazarin e kryeqytetit, i cili në pamjen e parë duket nga më modernët në Evropë, por një sy i thjeshtë i njeriut aty vë re se në 10 produkte, praktikisht 8 prej tyre mund të jenë të huaja.
Njëri prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë tonë në fushën praktike, por edhe njëkohësisht prodhues tipik shqiptar tek EHV-ja, më tha një ditë që duke u organizuar me Konadin, kishte arritur që shumicën e produkteve bujqësore që vinin aty, të ishin produkte fshati. Ato kishin rritur praktikisht edhe të ardhurat e tij, por dhe ulur edhe çmimet.
Ky është vetëm një shembull, që tregon se format e organizimit janë të pafundme, por që kërkojnë nga ana e qeverisë një politikë të një lloji tjetër, që së paku ka të bëjë me Reformën e tokës, reformë që është zëvendësuar nga ligji 7501; apo nga format e tjera të organizimit, ku psh qeveria mendon subvencionime individuale që ndonjëherë mbajnë era korrupsion, ose nëpërmjet pikave të grumbullimit etj etj….
. Duhet t’i kthehemi sërish problemit
Polonia e dikurshme, e cila ishte në sistemin komunist dhe mbante si gjithë shtetet e lindjes një parti të centralizuar, megjithatë kishte një parti agrare. Ajo prapë kritikohet nga Evropa, sepse fermat e saj nuk kanë madhësinë 20-30 ha… përfytyroni sa janë në Shqipëri, të rendit 1 apo 2 dynym, e shumë pak 1 hektar. Polonia kritikohet nga BE se sipërfaqet e saj janë të vogla dhe jo rentable, për ta kualifikuar, si një fuqi apo një vend normal në çështjet e bujqësisë.
Unë besoj që para se të merremi mbi çeljen e negociatave, apo se kush e ka fajin për moshapjen e tyre, Makroni apo qeveria, e historira të tjera, duhet të merremi me probleme praktike që janë të lidhura drejtpërdrejt me asociimin në BE, ose që e tregojnë problemin aq qartë sa e shndërron futjen në të, në një aspekt thjesht teknik.
Thashë dhe më sipër se duke ardhur rrotull Tiranës, shikon se pavarësisht Pazarit të Ri qëndror apo pikave moderne që kërkon të ndërtojë kryetari i saj, shikon se produktet bujqësore nuk vijnë nga vendet rrotull Tiranës, ose nga rrethe të tjera, por shumica e tyre, praktikisht janë produkte të huaja…
Ndonjëri do të thoshtë që “Ti gënjen!”, por do të mjaftonte vetëm shifra zyrtare e qeverisë që me gjithë rritjen e eksporteve kemi prapë një raport që nga 1 me 7; 1 me 8; është në 1 me 4. Ky raport është prapë shumë herë i disfavorshëm për bujqësinë tonë.
Çfarë duhet bërë?
Këtë më shumë se sa kushdo duhet ta kuptojë qeveria se nuk bëhet duke ndarë thërrime të buxhetit për bujqësinë, por me punë të cilat nuk mund të lidhen as me subvencionet individuale, as me pika grumbullimi, po me praktika të mëdha që i afrohen shembullit të Maqedonisë, ose shembujve të Evropës. Ku problemet zgjidhen në mënyrë teknike, me bashkëpunimin direkt të shtetit me Institutin Bujqësor të Kamzës, apo edhe institute të tjera që merren me bujqësinë, për të krijuar forma të tjera menaxheriale.
Ato nuk mund të bazohen tek një shtet që edhe sot e kësaj dite e bën buxhetin në formën komuniste të viteve para ’90, ku pasi grumbullohet një sasi e madhe parash nga taksat, fillon e shpërndahet thërrime-thërrime.
Një filozofi e tillë, do të ishte jo dobiprurëse, po do vazhdonte të shtonte pafund fermerët nëpër rrugët e Shqipërisë. Do të bënte që ne të vazhdonim të hanim ushqime të kalbura, do të detyronte këta fermerë të hidhnin hormone, apo ilace të llojeve të ndryshe brenda produkteve të tyre, duke shkatërruar kështu shëndetin e popullsisë.
Në fakt, problemi i paraqitur është edhe një farë proteste nga ana ime për të thënë që përpara se të diskutojmë histori që kanë të bëjnë me negociatat, duhet të merremi me probleme të karakterit praktik që i afrojnë negociatat më shumë se sa historitë e tavolinave që zhvillohen nga politikanë karriere, apo ministra të jashtëm, të cilët marrin orientime e fjalime shabllon, në raste të tilla, ose të mësuara në kurset e kualifikimeve të Universitetit që si hyjnë në punë asnjeriu.
- Analizën e plotë dhe të detajuar e ndiqni në videon e mëposhtme: