MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Putini dhe Orbani – “Shpëtimtarët e kristianizmit”

30.10.2019 - 16:24

Presidenti i Rusisë Putin viziton Hungarinë dhe takon kryeministrin Orban, duke argumentuar, se do të bisedojnë për mbrojtjen e të krishterëve të përndjekur. Në fakt do të bisedohet për energji, gaz dhe para.

Në Budapest janë mbledhur peshkopët dhe priftërinjtë lindorë. Tema: Si mund të mbrohen më mirë të krishterët në Lindjen e Mesme? Të pranishëm janë udhëheqësit shpirtërorë të krishterëve nga Iraku, Siria dhe vende të tjera, por edhe presidenti rus Vlladimir Putin. Putini dhe mikpritësi i tij Viktor Orban paraqiten si mbrojtës të kristianizmit – atje ku ai është më i rrezikuari, në Lindjen e Mesme!

Shpëtimtarët e të krishterëve

Putini dhe Orbani mendojnë, se të krishterët janë “forma e fundit e diskriminimit të pranuar” në sytë e perëndimorëve, tha ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó. Hungaria në fakt ka dhënë deri tani 50 milionë Dollarë për shkolla, kisha dhe spitale të krishtera në rajon. Hungaria është vendi i vetëm që ka një sekretar shteti për të krishterët e përndjekur në botë.

Çdo herë kur Putini vjen në Hungari, apo Orbani shkon në Moskë – e ata shihen 1-2 herë në vit – mediat janë përplot me artikuj ku thuhet: Autokratët mes vete. Tani dëgjohen tone më pozitive. Takohen shpëtimtarët e të krishterëve. A paraqiten kështu edhe në mediat perëndimore?

Orban-putin

Paratë dhe energjia bërthamore

Në opinion flitet për të krishterët, por në fakt do të bisedohet për energji dhe para, e më pak për të krishterët. Temat kryesore të takimit janë gazi rus dhe zgjerimi i paktit për energji bërthamore – një biznes prej 10 miliardë eurosh që Hungaria ua ka besuar sipërmarrjeve ruse dhe jo atyre perëndimore. Këtu ka një logjikë, sepse pakti për energji bërthamore është krijuar prej rusëve. Ndaj është logjike që rusët ta bëjnë modernizimin, apo jo?

Politikisht kjo ka zgjuar debate shumë të ashpra. Shumëkush e sheh këtë si një hap shumë të rrezikshëm politik të Hungarisë, e cila varësohet edhe më shumë nga energjia ruse. Hungaria furnizohet me gaz gati vetëm nga Rusia, sepse atje është më i lirë. A duhet të blejë më shtrenjtë vetëm për t’i pëlqyer koncerneve perëndimore?

Por kur shikon detajet, çështja është më e komplikuar. Rusia garanton kredi për këto projekte, për të cilat në opinion dihet pak. Por fakt është që interesat kanë rënë shumë kohët e fundit në tregun ndërkombëtar, ndërkohë që këto kredi nuk kanë ndryshuar. Nuk dihet poashtu se prej nga do të vijnë punonjësit e kualifikuar, sepse shumë ekspertë hungarezë kanë shkuar në botën perëndimore ku fitojnë më shumë para.

Orban-putin

Gazi, Ukraina dhe pushteti

Tema e gazit është një bazë konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës dhe një problem politik. Rusia nuk do që gazi për vendet e treta të kalojë nëpër Ukrainë. Një nga rrugët ekzistuese që nga viti 2011 është Pipeline Nord Stream 1 dhe projeti i ri Nord Stream 2 (të dyja kalojnë nëpër Detin Baltik drejt Gjermanisë) si dhe Turkish Stream, që kalon nëpër Detin e Zi në Turqi. Këto projekte duhet të futen në përdorim vitin e ardhshëm. Hungaria duhet të marrë përmes tyre rreth 6 miliardë metër kubik të gazit rus. Ndaj nuk është habi që me 7 nëntor në Hungari vjen për vizitë presidenti i Turqisë Recep Tayip Erdogan. Rusia i ka dërguar sivjet Hungarisë edhe gaz shtesë, për të mbuluzar rezervat e nevojshme për periudhën deri në vitin 2020. E gjitha kjo do të thotë se Putini synon që të pakësojë gazin që kalon nëpër Ukrainë, por pa dëmtuar furnizimin e Bashkimit Evropian.

Politika reale e një vendi të vogël

Shtrohet pyetja: Pse Putini dhe Orbani takohen në vit 1-2 herë të paktën? Ndërkohë që Orban shkon për vizita në vendet perëndimore shumë më rrallë. Prej vitit 2010 kancelarja gjermane Angela Merkel ka qenë në Hungari vetëm dy herë. Një nga përgjigjet e mundshme është se ata shihen shpesh në Bruksel. Por përgjigja më racionale është, se Orbani është i bindur se një vend i vogël duhet të përpiqet t’i realizojë interesat e veta. Me SHBA-në ka bashkëpunim në çështjet si Iraku apo Afganistani. Me Gjermaninë ka bashkëpunim ekonomik në industri apo prodhimin e automjeteve. E me Rusinë po bën pakt për gaz. Ndërsa Putini mund të tregojë në Budapest se ai ka partnerë edhe brenda BE-së.