MENU
klinika

Flet edhe për telefonatën me Merkel

Rama: BE nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë

24.10.2019 - 21:43

Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Evropian nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në emisionin Opinion, Rama ka komentuar edhe postimin në Twitter të 2018 ku shkruante se Shqipërisë i ishin hapur negociatat si dhe më pas bëri një ceremoni ku dekoroi disa ambasadorë.

“Këshilli Evropian në 72 orë përpara Twitter-it ka marrë vendimin unanim për të çelur rrugën e negociatave. Kaq e vërtetë është kjo sa këtu ka ardhur edhe komisionieri për zgjerim dhe ne, e kam thënë disa herë, na është dhënë në dorë instrumenti që ka në përdorur të gjitha vendet pas hapjes formale të negociatave”, tha Rama.

“Faktikisht BE nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë, jo një herë! Një herë në 2018 dhe një herë në qershor. Na kanë thënë që për këtë çështje do të vendoset në tetor a ku di unë se ca. Ajo e kushteve është një arsye për të kuptuar se procesi i integrimit është bërë gjithmonë e më i paparashikueshme dhe i lidhur me nevojën e atyre vendeve që për arsye të veta nxjerrin bishtat”, tha kryeministri Rama më tej.

Gjithashtu, Rama foli edhe lidhur me bisedën e gjatë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Në bisedë, Rama tha se kanë folur për ecurinë e mëtejshme të përpjekjeve të përbashkëta për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Shefi i qeverisë tregoi disa detaje, duke thënë “Më mori kancelarja sot në telefon, nuk e mora unë. Kam telefonata me të gjithë…”

Gjithashtu, ai shtoi: “Sipas kancelares duhen hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kancelarja e Gjermanisë merr ne telefon sepse është një person që është shumë i përfshirë në këtë proces. Si e shpjegon këtë që Gjermani e angazhuar, e rakorduar me ne për të ndërtuar një proces komunikimi me vendet që janë skeptike”.