Kryeministri Edi Rama ka folur sot në nisje të konferencës për shtyp për rastin e 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha, historia e të cilit u publikua nga emisioni “LE Iene”, në Italia1 dhe preku zemrat e të gjithëve.
Apeli i babait, i cili edhe pse e takoi të birin, që ka mbetur i vetëm në një kamp në Siri, nuk mundi dot ta merrte në Itali ku jeton prej vetesh, iu drejtua autoriteteve shqiptare por edhe atyre italiane.
Nisur nga reagimet e shumta, kryeministri Rama tha se e ka marrë shqetësimin nga një numër i madh shqiptarësh dhe se ka folur me babain e Alvin dhe familjarët e tij por se tërheqja e tij nga Siria nuk është një çështje e strukturave diplomatike.
Rama tha se tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as me ambasada dhe as me ambasadorë sepse aksesi dhe i gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët.
“E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, është një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensivitetit të lartë lidhur me personat, familjet, civilët që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale të ISIS. Shqetësimi ynë ka qenë lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe ku ka dhe një numër grash dhe fëmijësh. Dhe në bashkëpunim me partnerët amerikanë ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi, disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme”, deklaroi Rama.
Ai premtoi se do të vazhdojnë të bëjmë punën që kanë bërë dhe se janë në koordinim të plotë me partnerët.