MENU
klinika

Europa League

Roma dhe United zhgënjejnë ne Europë!

03.10.2019 - 22:24

Me disa ndryshime nga formacioni titullar, Roma nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertën austriake ndaj Wolfsberger, me verdhekuqtë që gjetën të parët avantazhin me anë të Spinnazzolas, por vendasit barazuan në pjesën e dytë.

Sfida tjetër e grupit, ajo mes turqve të Basaksehir dhe Borussias së Munchengladbach, përfundoi në barazim 1-1, me gjermanët që arritën të marrin një pikë vetëm falë një goli të shënuar në minutat shtesë të takimit.

Pas dy ndeshjeve të para, grupi kryesohet nga Roma dhe Wolfsberger me nga 4 pikë secila, të ndjekura nga Basaksehir e Borussia Munchengladbach me nga një pikë.


Manchester United vazhdon formën aspak të mirë, teksa mbrëmjen e sotme nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në transfertën holandeze ndaj AZ Alkmaar, ndonëse Solskjaer kishte lënë shumë futbollistë pushim.

Megjithatë “djajtë e kuq” mbeten në krye të grupit me 4 pikë, po aq sa kanë edhe serbët e Partizanit të Beogradit, që sot fituan 1-2 në transfertën ndaj kazakëve të Astanës, ndërsa këta të fundit dhe Alkmaar janë me nga një pikë në dy ndeshje.

Zviceranët e Young Boys gjetën fitoren e parë në grupet e Europa Leagues, pasi mposhtën me përmbysje 2-1 skocezët e Rangers, që fituan pjesën e parë, por nuk arritën të ruajnë rezultatin dhe u larguan pa pikë nga transferta helvete.