MENU
klinika

Projekti strategjik

Rruga e Prizrenit… Albin Kurti bëri një premtim!

10.10.2019 - 08:48

*Nga Salajdin Salihi

Albin Kurti bëri një premtim. Ai tha se si kryeministër i Kosovës do ta hapte tunelin, i cili do ta lidhte Prizrenin me Tetovën. Realizimi i këtij projekti (përtej mahnitjeve romantike) do të sillte leverdi ekonomike për rajonin.

Shkupi dhe Tetova kanë pasur lidhje të ngushta me Prizrenin. Tetova, gjatë periudhave të ndryshme, ka qenë nën juridiksionin e Prizrenit. Ndërmjet qyteteve, krahas lidhjeve të tjera, ka pasur këmbim të madh tregtar, i realizuar nëpërmjet rrugëve të vështira të Sharrit.
Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, në këtë rrugë, kishte edhe roje që kujdeseshin për sigurinë e udhëtarëve nga plaçkitësit dhe nga kafshët e egra, kurse pranë rrugës ishin vendosur gurrëz, që shërbenin si orientim për udhëtarët e tregtarët. Rruga ishte e kalueshme në çdo periudhë të vitit, përveçse gjatë stinës së dimrit, kur lëvizja bëhej nëpërmjet Kaçanikut apo Shkupit.

Nëpër këtë rrugë kanë ecur shumë shkencëtarë evropianë, si: gjeologët francezë: Ami Bue dhe A. Vikenel në vitin 1838, që ishin ngjitur në Sharr nga ana e Prizrenit, por edhe Franz Nopcsa, Doflajn e shumë të tjerë.

Kohërat kanë ndryshuar. Sot tregtia nuk bëhet nëpërmjet rrugëve të vështira malore. Pa rrugë të mira nuk ka as tregti dhe as turizëm të zhvilluar. Këtë që në vitin 1909 na e thotë dhematësi i vilajetit të Kosovës, Eshref Frashëri.

“Ka nevojë që udha në mes të Shkupit e të Gostivarit të ndërtohet siç lypset dhe të shpihet në Dibrë duke shkuar nga Reka; nga kjo udhë në Tetovë lypset ndarë një udhë tjatrë që dyke kapërcyer Sharë të vejë në Pirzen, Jakovë dhe në Pejë dhe s’andejmi në Rozaj e në Beranë” (Eshref Frashëri, “Udhët, pyjet, lumenjtë e Shqipërisë së Sipërme”, Diturija, 1 korrik 1909, f. 97-99).

Për ndërtimin e kësaj rruge kishte investuar shumë edhe shteti serb, pasi i kishte pushtuar këto vise. Serbia e konsideronte ndërtimin e rrugës si projekt strategjik serb. Ajo e synonte daljen në det edhe nëpërmjet “banovinës së Vardarit”. Kjo mund të duket si tezë e pamenduar, por faktet janë kokëforta. Serbia synonte lidhjen e Shkupit dhe Tetovës me Prizrenin, sepse kështu mund ta zhvillonte tregtinë me Shkodrën dhe më pas me shtetet tjera evropiane. Shkaku tjetër i ngulmimit të Serbisë për ndërtimin e rrugës ishte realizimi i projektit për kolonizimin me serbë të Pollogut dhe Kosovës. Kolonëve, krahas kushteve të mira jetësore, u premtohej edhe qarkullimi më efikas.
Le t’u referohemi disa të dhënave. Në shkrimin “Zhupa e Sharrit”, të botuar në gazetën serbe “Beogradske novine” (1 korrik 1917), kjo “zhupë” përshkruhet si rajon me shumë kapacitete ekonomike dhe si zonë e hapur për qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Ky rajon, si i tillë, siç thuhet, do t’i sillte Serbisë fitime të shumta.

Në shkrimin “Tetovë – Prizren nëpërmjet Sharrit” (Vreme, 29 tetor 1937) thuhet se punimet për ndërtimin e rrugës, që kalonte mbi katundin Vicë, ishin sforcuar me qëllim që ajo të hapej sa më shpejt, pra në vitin 1938.

“Rruga Tetovë – Prizren, që kalon nëpër rajonin më romantik të Serbisë Jugore, do të jetë më e veçanta në vendin tonë. Ajo do të jetë rruga më e lartë malore, 2300 metra mbi det”, shkruan gazeta, që gjithashtu informonte se kishte investuar edhe në zgjerimin e rrugës nga lumi i Tetovës deri në Shipkovicë, sepse aty lëviznin turistët dhe vendësit, që i vizitonin banjat shëruese të Tetovës, në Hisar.

Më 8 nëntor të vitit 1936 gazeta “Vreme” botoi artikullin: “Shkupi do të ketë lidhje më të shkurtër me Shqipërinë”, ku thuhet se rruga Tetovë – Prizren ishte 70 kilometra e gjatë dhe gjashtë metër e gjerë. Deri në Kara Nikollë kishte 34 kilometra. Aty ishte hapur një tunel prej 30 metrash. Kjo rrugë, sipas gazetës, do t’i forconte lidhjet tregtare ndërmjet Shkupit dhe Shqipërisë.

Pollogu, i cili përherë kishte pasur lidhje tregtare me Shkupin, Prizrenin, Shkodrën, Selanikun, Stambollin, Evropën, por edhe me Egjiptin, njihet si zonë me kapacitete të mëdha ekonomike. Sipas autoriteteve serbe, nëpërmjet kësaj rruge, Tetova do të bëhej jo vetëm qendër e fuqishme ekonomike, por edhe qendër turistike për shkak të terreneve të bukura dimërore në Kodër të Diellit. Turistët, sipas gazetës së sipërpërmendur, do t’i sillnin shtetit serb fitime të shumta. Ky ishte edhe shkaku që shpesh organizonte ekspedita nëpër Sharr, me qëllim që t’i afirmonte bukuritë natyrore dhe të tërhiqte sa më shumë turistë.

Ndërtimi i kësaj rruge, që e premtoi Kurti, sot është me interes si për Kosovën, po ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut, sepse do të mundësonte qarkullim më të lehtë të njerëzve dhe mallrave.

Maqedonia e Veriut ka tregti shumë të zhvilluar me Kosovën dhe çdo rrugë e re do të rriste këmbimin tregtar. Për realizimin e këtij projekti kapital duhen burrështetas./ Portalb.mk