MENU
klinika

"Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të shpërblehen!"

Sassoli: Ju lutem qëndroni në rrugën europiane

30.10.2019 - 14:22

Sassoli: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat, tani meritojnë të shpërblehen

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme”, deklaroi Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli në një deklaratë përpara vizitës së tij në Shkup në 4-5 nëntor.

Sassoli do të zhvillojë një vizitë edhe në Shqipëri në 2-3 dhjetor.

Përpara vizitës në Shkup, Presidenti Sassoli deklaroi se, “Vizita në Maqedoninë e Veriut, dhe shumë shpejt më pas në Shqipëri, ka një rëndësi të madhe për mua personalisht në këtë moment”.

Ne e dimë që popullsia në të dy vendet është zhgënjyer shumë nga dështimi i Këshillit për të rënë dakord për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për shkak të vetos së disa shteteve anëtare”, theksoi ai.

Ne e kuptojmë dhe e ndajmë këtë zhgënjim. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë zbatuar reformat që ne kërkuam prej tyre dhe tani meritojnë të shpërblehen për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme”, vijoi Sassoli.

“Për më tepër, dua t’u bëj thirrje qytetarëve dhe veçanërisht brezit të ri: Mos hiqni shpresën, ju lutemi qëndroni në rrugën evropiane. Parlamenti Europian qëndron me ju”, shtoi ai.

Me një shumicë të madhe votash, Parlamenti Europian ka ritheksuar mbështetjen e tij të plotë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë një javë më parë. Ne nuk do të heshtim, por i nxisim shtetet e BE të marrin një vendim unanimisht në favor të bisedimeve të pranimit në takimin e ardhshëm”, shtoi Presidenti i PE.

“Ndërkohë ne i inkurajojmë të dy vendet të vazhdojnë në rrugët e tyre të reformave. Jemi të bindur që, përkundër shtyrjes, kjo kohë nuk harxhohet. Reformat e bëra në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE janë në interesin më të mirë të vendeve dhe qytetarëve të tyre, dhe do të përfitojnë para së gjithash dhe brezin e ri që meriton një të ardhme më të mirë ”, nënvizoi Sassoli.

Gjatë vizitës së tij në Shkup, Presidenti Sassoli do të takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe Presidentin, Stevo Pendarovski.

Ai gjithashtu do të zhvillojë bisedime me drejtuesit e partive politike parlamentare, Kryetarin e Asamblesë së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do t’i drejtohet Parlamentit.

Në fillim të vizitës së tij, ai do të hap Shtëpinë e Evropës në Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe do t’i bashkohet një diskutimi me studentët.