Marrëdhëniet mes Greqisë dhe vendeve të Ballkanit janë të tensionuara. Serbia bën përjashtim këtu. Por ku bazohet miti i miqësisë greko-serbe dhe pse kjo miqësi nuk sjell dot stabilitet në rajon?
Në Selanik filloi Bienalja e 7-të e Artit. Për vizitorët këtu ka mjaft për të zbuluar. Madje nuk është kjo Greqia që njohim. Në të ze vend arti modern dhe konfrontimi kritik kundrejt zbulimeve arkeologjike dhe krenarisë kulturore. Edhe për këtë arsye ia vlen të vizitosh muzetë e Selanikut që marrin pjesë në Bienalen e Artit. Qyteti verior i Greqisë përballet me historinë e tij ballkanike. Debati publik lidhur me vendet fqinjë karakterizohet prej nacionalizmit patriotik.
Në Muzeun e Fotografisë në Selanik në kuadër të Bienales është ekspozuar edhe një vepër e artistit nga Athina Vangelis Vlahos. Në murin e bardhë projektohet një video, ku ish-diktatori jugosllav Sllobodan Millosheviç jep një deklaratë. Në një tryezë përpara videos ndodhet një maket druri i parlamentit boshnjak. Aty pranë harta të mëdha të mbushura me artikuj gazetash për investime greke në Ballkan. Orë mësimi historie veshur me kostumin e artit?
Dëshmi të një përballjeje
Artisti i lindur në vitin 1971 me këtë informacion të ekspozuar nuk synon të japë përgjigje. Ai nuk është historian. Vepra e tij është si një dëshmi e konfrontimit personal me një histori më të re të Greqisë, që nuk luan asnjë rol në vetëdijen kombëtare: “Unë nuk merrem me moemente të historisë së re greke, që normalisht gjenden në periferi të historisë së shkruar zyrtare dhe që nuk konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin apo interpretimin e një ngjarjeje.”
Në këtë rast për Vlahosin janë tri aspekte: 1. Nisma e Greqisë për financimin dhe rinovimin e parlamentit boshnjak në Sarajevë. 2. Anektodat për gjeneralin serb Ratko Mladiç. 3. Një takim në maj 1999 në Beograd mes Slobodan Miloseviçit dhe ish-kryeministrit grek Konstantinos Mitsotakis. „Unë dua të krijoj me punën time një kuadër interpretimi, një mjedis harmonik marrëdhëniesh ndërnjerëzore, që duhet t’i afrohet perceptimit dhe kujtesës sonë ndaj historisë së re” , thotë Vlahos.
Rezistenca dhe Ortodoksia
Me punën e tij Vlahos hulumton mitin e miqësisë serbo-greke. Tradicionalisht lidhjet mes Athinës dhe Beogradit janë miqësore, një lloj aleance ballkanike në rajon, ku marrëdhëniet e Greqisë karakterizohen prej konflikteve. Miqësia bilaterale, sipas Stavroula Mavrogeni, profesore në Institutin për Studimet Ballkanike në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, e kanë zanafillën tek një imazh i armikut të përbashkët: „Kjo është një trashëgimi nga koha e revolucioneve kundër Perandorisë Osmane. Qysh atëherë është zhvilluar miti i ‘popujve vëllezër’.”
Edhe historiani Loukianos Chasiotis i gjen rrënjët e miqësisë greko-serbe në histori: „Grekët dhe serbët në rajon në përgjithësi nuk kanë pasur interesa konkurruese. Aleanca mes dy vendeve që në fillim të shekullit të 20-të është krijuar qëllimisht për të kontrolluar Bullgarinë.” Krahas Turqisë Bullgaria është ndër armiqtë kryesorë të Greqisë. Luftrat e përgjakshme ballkanike, luftërat për pushtet territorial: në të dyja anët historia e re ka lënë gjurmë traumatike.
Por edhe diçka tjetër e stimulon këtë ndjenjë solidariteti mes dy popujve: krishtërimi ortodoks. Madje kjo lidhje ka shkuar deri aty, sa ushtarë milicë grekë më 1995 i mobilizuan në luftën e Bosnjes dhe mbështetën trupat serbe edhe në masakrën ndaj myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë. Në fazën e parë të luftrave të Jugosllavisë mediet greke shpreheshin kundër Millosheviçit, kujton Mavrogeni: „Më vonë u zhvillua teoria e një ‘harku mysliman’. Shumë grekë e konsideronin Serbinë si një digë kristiane kundër përhapjes së Islamit.”
Mes historisë dhe mitit
Por aleanca Serbi-Greqi bën përjashtim në rajon. Pikërisht grindja për emrin me Maqedoninë e Veriut tregon, se sa të tensionuara janë marrëdhëniet mes vendeve. Në këtë kontekst luan rol edhe se si flitet dhe çfarë mëson për tjetrin që në shkollë, thekson Loukianos Chasiotis. “Prezantimi në tekste i bullgarëve dhe e shqiptarëve e ka preardhjen nga një epokë, në të cilën vendet ndodheshin në interesa konflikti mes tyre. Jo vetëm grekët ishin nacionalistë, por edhe të gjtiha shtetet e tjera të përfshira.”
Etnocentrizmi në Greqi tashmë nuk është aq keq sa ka qenë në vitet 70-të e 80-të. Megjithatë imazhi i vendeve fqinjë vazhdon të jetë i keq. Sipas Mavrogenit, kjo ka të bëjë kryesisht me mënyrën se si konceptohet diskursi publik: “Në Greqi shpesh deformohen lajmet nga bota e jashtme duke u vënë në një kontekst me tema faktike apo edhe të fantazuara në nivelin kombëtar.” Çështjet e politikës së jashtme shpesh pështjellohen me çështje të brendshme dhe duke u komportuar ndaj këtyre zhvillimeve rëndom ato keqpërdoren për lojërat e brendshme partiake.
Edhe qeveria e re, që i mbështet fqinjët në Ballkan në nivel europian, ndjek në politikën e brendshme një kurs diametralisht të kundërt. Mbledhja e votave në masën e zgjedhësve tradicionalist dhe nacionalistë krijon një tabu për hapjen drejt vendeve fqinjë si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Së fundi ministri i Arsimit, Nikis Kerameos deklaroi: “mësimi i historisë nuk duhet të ketë karakter social-shkencor, por duhet të kultivojë ndërgjegjen kombëtare.” Mësuesit dhe historianët e quajnë këtë kërkesë absurde dhe antishkencore.
Ndaj është me pikëpyetje nëse marrëdhëniet mes Athinës dhe Beogradit mund të kontribuojnë për stabilitetin në rajon. P.sh. Greqia është një ndër pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. „marrëdhëniet bilaterale zhvillohen jo mbi bazën e vullnetit të njërës palë, por me përpjekje të përbashkëta,” tërheq vëmendjen Mavrogeni. Kjo nuk ka nevojë për aleanca të krijuara prej nacionalizmit historik, por prej përballjes kritike me vetveten. Për sa u përket librave shkollorë: në gjuhën popullore thuhet, se mënyra se si e perceptojnë historinë shumë njerëz në Greqi është e shkruar në një faqe tjetër. Këtu mbizotëron një mendim i ashpër në kundërshtim me librat akademikë dhe ato shkollorë. Terreni pjellor për këto qëndrime krijohet kryesisht në media, në kinema, në lajme e në muzeumet e luftës. Këtu paraqitja e historisë është edhe më kontrastuese.