Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philipp Kosnett, po vëzhgon nga afër procesin për zgjedhjet e përgjithshme në disa vendvotime.
Ai është shprehur se ambasada amerikane në Kosovë ka më shumë se 30 ekipe vëzhguese dhe monitoruese në terren.
“Ambasada amerikane ka më shumë se 30 ekipe në mbarë Kosovën, të cilat po vizitojnë vendvotimet. Unë personalisht do të vizitoj vendvotimet në Prishtinë, Prizren dhe Graçanicë”, tha Kosnett.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po i përcjell nga afër edhe Bashkimi Evropian, OSBE dhe organizatat vendore.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan përmes rrjetit social Twitter ka bërë thirrje për dalje në votime.
“Në Kosovë si dhe në Amerikë, çdo votë numërohet. Secili zë ka rëndësi. Pa marrë parasysh pikëpamjet tuaja, këdo që mbështetni – më 6 tetor, dilni të votoni. Për veten, shtetin dhe të ardhmen”, theksoi Kosnett.