Vepra e katërt Mit’hat Frashërit, botohet në 70-vjetorin e vdekjes së tij. Ky botim vjen me udhëpërshkrimet, që janë botuar në shtypin shqiptar edhe të huaj. Aty janë përshtypje nga udhëtimi, përshkrime gjeografike, historike, politike, etnike, sociale, ekonomike dhe kulturore, që drejtuesi i Institutit “Lumo Skëndo”, studiuesi Uran Butka, sjell në këtë vëllim.
“Përmbledh të gjitha përshtypjet e udhëtimit në të gjithë hapësirën, që nga Stambolli, në Shkup edhe në Prishtinë, duke e zgjedhur edhe si delegatë, në Elbasan, në Vlorë ku është zgjedhur si firmëtar i Pavarësisë edhe në fund, në Janinë”, – tha Butka, për mediet.
Ndërsa, referuesit e tjerë ndalën në vlerat dhe kontributin që Mi’that Frashëri ka dhënë në letërsinë shqipe, krahas çështjes kombëtare.
“Sot të gjithë shqiptarët kanë nevojë të njihen me përpjekjet edhe sakrificat e mëdha, që shqiptarët dhanë për vendin. Që nga koha e komunizmit kemi një përqasje, që historia fillon me mua. Por, ka ardhur koha të njohim baballarët e kombit, për të kuptuar të sotmen edhe të ardhmen, sepse duke mos e njohur të vërtetën do t’u thurim lavde sharlatanëve”, – ka thënë ish-deputeti, Agron Shehaj.
Në veprën e pestë të Mit’hat Frashërit, do të përfshihen përshtypjet e udhëtarëve të huaj, për Shqipërinë, ndërsa në veprën e gjashtë edhe të shtatë do të përfshihen të gjitha letërkëmbimet e Mit’hat Frashërit. Por, megjithatë, ajo që vazhdon të mbetet mister sipas studiuesit, është vrasja e Mit’hat Frashërit.
“Mendoj se, skenari i dytë i vrasjes së Mit’hat Frashërit, i caktuar nga sigurimi i shtetit shqiptar edhe qeveria shqiptare, ishte që ai të zhdukej para se të binte në kontakt me Vatrën. Ky është varianti më i besuar. Në bashkëpunim me agjentet e dyfishtë, ata realizuan vrasjen e Mit’hat Frashërit me metoda kimike dhe ilaçe. Ne do kërkojmë që qeveria amerikane të na zbulojë ekspertizën e vdekjes së tij, që nuk është zbuluar deri më sot”, – ka theksuar, Butka.
Studiuesi Uran Butka, aktualisht është në punë e sipër, me albumin fotografik të Mit’hat Frashërit.