Viti i Ri është një festë që ka jo shumë kohë që festohet në Shqipërit. Gjithsesi, komunitetet e ndryshme shqiptare në varësi dhe të kulturave që kanë përfaqësuar, e festonin në mënyra të ndryshme.
Pjesa shqiptare që i takonte Venedikut filloi të festonte Vitin e Ri që nga 1522, kohë kur Venediku e njohu si festë ndërrimin e viteve. Ndër këto vende bënin pjesë Kotorri, Ulqini, Lezhq, Preveza e Artë e të tjerë që zotëroheshin nga Republika e Shën Markut.
Viti i Ri duhet të jetë festuar edhe në një territor më të gjerë jashtë zotërimeve të Venedikut në Arbëri, pasi në këto kohë ende nuk kishte filluar islamizimi në masë i popullsisë. Festimi i kësaj date në këto territore duhet të ketë reeshtur kur popullsia arbërore islamizohet dhe fillon të ndjekë kalendarin hënor të Hixhrit, ku festat më të rëndësishme janë Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël.
Në Krishterimin Lindor, traditën ortodokse, ka një traditë të veçantë ku Santa Klausi identifikohet me Shën Vasilin, shenjtorin që kujtohet në datën 1 janar. Sipas librit “Letërsi gojore shqiptare” me autor profesor Arben Prendin, fëmijët e vegjël këndonin kolendrat duke parajmëruar ardhjen e Vitit të Ri.
Kolendrat janë këngë popullore urimi që këndohen nga fëmijët e vegjël në ditët e pritjes së festave të mëdha fetare si Krishtlindja apo dhe para Vitit të Ri. Ata shkojnë shtëpi më shtëpi duke uruar shëndet dhe mbarësi. Kolendarët që shkonin në grup, gostiten nga të zotët e shtëpisë me ëmbëlsira, fiq të thatë, arra, portokalle etj .
Më poshtë është një këngë kolendrash në dialektin arvanit, e botuar për herë të parë në revistën “Besa”, organ i Lidhjes Arvanite të Greqisë 1982-2004. Tabloja ilustruese titullohet ‘Kolendra”(1872) dhe i përket autorit me origjinë arvanite Niqiforu Lutro, një piktori të shkollës së Mynihut në pikturën greke të shekullit të XIX.
Identifikimi i mozaikut të kulturës arbëre kudo ku është shpërndarë mund të na dhurojë kënaqësi estetike dhe dëshmi historike të veçanta.
Viti i Ri
Nji djalopul
ndë derë rri
Jo bre ti
Isht viti i ri.
Hapeni derën
Të hinj,
me plot duart
të na vinj
Çi na sole
Viti i ri?
Shumë shëndet
e dashuri,
Po su sola
Edhe para
Edhe ça
rroba të ra.
Edhe mot
edhe mot
edhe mot
Me duart plot.