Turqi-Shqipëri, një finale e parakoshme! Humbja për kuqezinjtë do të thotë “lamtumirë” ëndrrave, ndërsa fitorja do të fuste në siklet skuadrën e drejtuar nga Senol Gunes.
Kjo shtyn ndoshta drejtuesit që të frikësohen nga mësymja kuqezi, pasi tifozeria shqiptare do të jetëe shumtë në numër, edhe pse biletat janë vetëm 5%.
Por, FSHF ka hasur probleme sa i përket koordinimit për biletat, pasi numri nga 2500 bileta që ishin në dispozicion është ulur në 1500 dhe tashmë tifozët kuqezi janë të shqetësuar nga ky fakt.
Jo vetëm kaq, por tifozëve u janë mohuar edhe materiale simbolike kuqezi, si shaj, flamuj e kështu me rradhë. Një problem aspak i vogël ky, që ka irrituar edhe drejtuesit e FSHF dhe Andi Vreçanin, drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun dhe Zyrës së Shtypit në FSHF.
“Nuk është e drejtë që të ndalohen dekoret! Kësaj situate do t’i shkojmë deri në fund. UEFA nuk pengon diçka të tillë, pasi nuk po flasim për materiale piroteknike. Jam në kontakt me delegatin e ndeshjes. Besoj se do ta zgjidhim”, u shpreh Vreçani.