Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në burg, Mihal Kokëdhimën i cili u bë i njohur pas sherrit me turistët spanjoll të cilët i terrorizoi duke u ngjitur mbi furgonin e tyre, vetëm se ata kishin refuzuar porosinë.
Seanca është zhvilluar këtë mëngjes në gjykatën e Apelit Vlorë me dyer të mbyllura.
Nëpërmjet avokatëve mbrojtës, Kokëdhima ka parashtruar në gjykatën e Vlorës disa raporte mjekësore të spitalit të Janinës, duke tentuar të bindin gjyqtaren Esmerilda Habili, se Kokëdhimës i rrezikohet jeta gjatë qëndrimit në burg, pasi sëmundja e zemrës që ai vuan, mund të sjellë përkeqësimin e shëndetit.
Ndër të tjera, mësohet se veç këtij argumenti Kokëdhima ka parashtruar në gjykatë se nuk shfaq asnjë rrezikshmëri shoqërore, pasi sipas tij menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes lokali i tij është prishur dhe për pasojë askush nuk duhet të ketë më frikë se ai do të bëje konflikt me ndokënd.