Një ndër veprimet e para kur komunizmi u vendos në Shqipëri ishte ndalimi i Ahmet Zogut duke mos e lejuar jo vetëm kthimin e tij, por duke ndaluar edhe përmendjen e emrit dhe epokës së tij.
Ky ishte një veprim komunist në përgjithësi: dënimi i sundimtarit dhe çrrënjosja e figurës së tij nga kujtesa e popullit. Madje edhe Revolucioni Bolshevik ndodhi duke larguar Carin rus dhe duke synuar çrrënjosjen e figurës së tij nga populli, me synimin për të krijuar “njeriun e ri socialist”.
Nisur nga kjo, Atë Gjergj Fishta takohet me Ahmet Zogun për të biseduar çështjen e mbylljes së shkollave katolike dhe detyrimin e nxënësve për të ndjekur vetëm shkolla laike.
Duke qenë se kjo nuk mund të pranohej as nga françeskanët të cilët patën çelur të parën shkollë shqipe, as nga Vatikani i cili në ato shkolla dërgonte edhe nxënësit që më pas donin të ndiqnin rrugën e meshtarisë, u bënë bisedime të gjithanshme.
Atë Zef Pllumi në një intervistë të botuar në librin “Ut Heri Dicebamus” thotë se Ministri i atëhershëm i Arsimit, Mirash Ivanaj kishte lidhur disa marrveshje me Bashkimin Sovjetik qysh në vitin 1933. Si fryt i këtyre marrveshjeve, një grup studentësh shqiptar do të shkonte në Bashkimin Sovjetik me bursë të plotë studimi.
Atë Gjegji e merr vesh këtë dhe sapo takohet me Ahmet Zogun, i thotë:
I ke çue me studiue në Bashkimin Sovjetik, por ata që kanë me u kthye, kanë me kenë të gjithë komunista. T’dijsh se parimi ma i parë i komunizmit asht me mbytë mbretin e puna ma e parë që kanë me ba ata studentë sa të kthehen prej Rusijet, ka me ken me të mbytë ty. E kështu, hap sytë e mos shko mbas këshillave të këtyne të marrëve, të cilët për inatë të klerit katolik thonë me i çue studentat në Rusi.
Po në atë intervistë, Atë Zefi thotë se vetëm atëherë Ahmet Zogu e kuptoi se lëvizja komuniste nuk ishte një lëvizje kombëtare, por një lëvizje e dëmshme për të gjithë popullin shqiptarë.