Trajneri i Real Sociedad, Imanol Alguacil, ka thënë se nuk ëndërron të punojë me Lionel Messi-n, sepse argjentinasi “nuk do të përshtatej” me vlerat e klubit të tij.
Alguacil e ka bërë këtë deklaratë befasuese gjatë një bashkëbisedimi që pesë trajnerët baskë të La Liga-s (Alguacil, Real Sociedad; Gaizka Garitano, Athletic Bilbao; José Luis Mendilibar, Eibar; Asier Garitano, Alavés; Jaboga Arrasate, Osasuna) kanë dhënë për radion Euskadi Irratia.
Kur drejtuesi i programit ka pyetur pesë trajnerët se me cilin lojtar ëndërronin të punonin, Mendilibar zgjodhi Messi-n pa u menduar gjatë, edhe pse pranoi se “nuk do të ishte e lehtë të punoja me të”.
Në këtë moment, Imanol Alguacil ka ndërhyrë dhe ka bërë të ditur se nuk ëndërronte të punonte me argjentinasin te Real Sociedad, sepse ai nuk do të ishte i përshtatshëm me vlerat e klubit të San Sebastianit, pavarësisht se e ka përshkruar Messi-n si një lojtar të jashtëzakonshëm që bën gjëra të pabesueshme.
I pyetur se me cilin lojtar ëndërronte të punonte, Imanol ka thënë se nuk i vinte asnjë emër në mendje. “Lojtarët e mëdhenj nuk e njohin përulësinë dhe normalitetin.
Puna me Messi-n do të më jepte shumë dhimbje koke, edhe pse do të fitoja më shumë ndeshje”, ka thënë ai.