Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, ndërsa e dyta u rendit partia Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kjo fitore është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat serbe, të cilat shkruajnë se Albin Kurti triumfoi në zgjedhjet e së dielës, ndërkohë citojnë edhe pjesë nga fjala e tij, ku foli për mediat dhe para të pranishmëve në podiumin festiv gjatë orëve të vona në sheshin “Skënderbeu” në qytetin e Prishtinës.
“Albin Kurti shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Kurti deklaroi se nga sot ai do fillojë të punojë për krijimin e një qeverie të re me të si kryeministër”-shkruan B92.
Temë tjetër, e cila është trajtuar nga mediat serbe ka qenë edhe pjesa e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket dialogut me Serbinë, lideri i Vetëvendosjes tha se si kryeministër i Kosovës, ai do të marrë përsipër përgjegjësitë që i përkasin sipas Kushtetutës.