Ekstremisti grek, Babis Karathanos, i cili u ndalua sot në kufirin shqiptar, në tentativë për t’u hyrë në Shqipëri, për të marrë pjesë në ceremoninë e 1-vjetorit të vrasjes së Kostandinos Kacifas, i ka dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama.
Duke publikuar dokumentet në “facebook”, me të cilat thotë se lëviz i lirë në Evropë, Karathanos i drejtohet Ramës, duke i thënë se nuk mund të bëhet pjesë e familjes evropiane, duke terrorizuar pakicën kombëtare greke.
“Dokumenti thotë se nuk më lejohet të hyjë në Shqipëri, sepse dokumentet e mia të udhëtimit nuk janë në rregull. Pas disa orësh në kufirin greko-shqiptar, për të marrë pjesë në memorialin e Kostandinos Kaçifas, mua më ndaluan të hyja në Shqipëri. Sigurisht që me të njëjtat dokumente udhëtoj shpesh për në Evropë. Jo në Shqipëri. Kryeministri i këtij vendi, që ndalon qytetarët grekë të kalojnë në territorin e tij, dëshiron të ketë një takim me kryeministrin grek.
Ai gjithashtu dëshiron që vendi i të bashkohet me familjen evropiane. Ndërkohë, ai po terrorizon çdo ditë pakicën kombëtare greke të Vorio-Epirit. Por le ta dijë se epirotët grekë nuk terrorizohen dhe kjo do të kalojë”, shkruan Karathanos.
Ndërkohë, plot 1800 persona kanë hyrë në Kakavijë për dy ditë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 1-vjetorit të vdekjes së ekstremistit Kostandinos Kacifas.
500 shtetas grekë kanë hyrë gjatë ditës së sotme, prej orës 12 të natës. Mësohet se në orët e para të mëngjesit ka kaluar vetëm një autobus me 20 shtetas grekë. Ndërkohë nga pjesa tjetër e autobusit, dy persona të shpallur “non grata” janë kthyer nga policia, disa të tjerë për mungesë garancie dhe të tjerë janë tërhequr vetë.
Forca të shumta policie ndodhen Gjirokastër por edhe në pjesë të tjera të Jugut të vendit, kryesisht në zonat kufitare.
35-vjeçari Kostandinos Kacifas, mbeti i vrarë më 28 tetor të vitit të kaluar gjatë një përplasje me armë me policinë shqiptare në fshatin Bularat.