MENU
klinika

Kandidat për Prokuror

U skualifikua nga gara, Alushaj: KLP ka shkelur afatin ligjor

25.10.2019 - 09:16

Ka nisur në Gjykatën Administrative të Apelit seanca gjyqësore për ankimimin e kandidatit për Prokuror Lulzim Alushaj ndaj KLP.

Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, i cili është i pranishëm në seancë pretendon se KLP nuk ka zbatuar afatin 45 ditor për të verifikuar kandidaturat.

“KLP ka shkelur afatin ligjor. Unë nuk kam kërkuar rikthimin në garë, por shfuqizimin e të gjithë procedurës. Një kandidati i është dhënë mundësia të plotësojë afatin ligjor, ndërsa tjetrit jo dhe kjo ka prishur garën. Nuk gjej një bazë ligjore, pse duhet të kemi dy standarde”, ka deklaruar Alushaj.

Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Lulzim Alushaj ka ankimuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për skualifikim nga gara.

Alushaj vjen nga radhët e avokatisë dhe për momentin është bërë shkak për pezullimin e procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

3 kandidatët në garë – Në garën për kryeprokuror të Shqipërisë me një mandat 7 vjeçar do të jenë tre emra ndër të cilat dhe kreu aktual i akuzës Arta Marku.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë konfirmoi vijimin për procesin për Olsian Çelën, i cili është prokuror në Krimet e Rënda në Tiranë, po ashtu edhe Fatjona Memçaj, e cila aktualisht është prokurore pranë Apelit.

  • Faza e dytë

Faza e dytë pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të jetë renditja e kandidatëve sipas pikëzimit. Më pas lista me 3 emrat do të kalojë për votim në Parlament.

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri do të jetë me shumicën e cilësuar të votave të deputetëve, por në rastin që kjo nuk realizohet, kandidati i parë i renditur në listën e KLP-së emërohet automatikisht në krye të akuzës.

Pas largimit të Adriatik Llallës në 18 dhjetor të vitit 2017 në detyrë u zgjodh Arta Marku me mandat të përkohshëm.