MENU
klinika

Që prej vitit 2010...

Ujësjellësit “mbyten” në borxhe, detyrimet rekord ndaj OSHEE

24.10.2019 - 16:11

Borxhet e institucioneve jo buxhetore, ku kryesisht bëjnë pjesë ujësjellësit dhe klubet sportive, për faturat e energjisë elektrike kanë shënuar rekordin më të lartë historik, që prej vitit 2010.

Të dhënat e 8-mujorit të këtij viti, të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë një tendencë në rritje të këtyre detyrimeve të prapambetura që në maj të vitit 2015, por gushti i 2019-ës ka arritur rekordin me 10.409 miliardë lekë detyrime për t’u shlyer.

Nga ana tjetër edhe borxhet e institucioneve buxhetore, ndonëse shënohen më të ulëta në raport me ujësjellësit dhe klubet sportive, kanë një tendencë në rritje, ndërsa për muajin gusht arritën në 3. 464 miliardë lekë lekë.

Në rënie rezultojnë vetëm detyrimet e prapambetura të konsumatorëve familjarë, por që gjithsesi mbeten të larta, ku për muajin gusht u shënuan në 46.724 miliardë lekë.

Situata me institucionet jo-buxhetore duket e pazakontë, për sa kohë qeveria ka ndërmarrë një reformë të thellë në drejtim të administrimit të ujësjellësve, ndërkohë që edhe në metodologjinë e subvencionimit të tyre me paratë e buxhetit të shtetit, i detyron që një peshë specifike të fondit ta përdorin për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.

Nga ana tjetër, Enti Rregullator i Ujit ka kërkuar uljen e çmimit të energjisë elektrike për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, duke qenë se këto ndërmarrje japim shërbim publik.

Por, sipas përfaqësuesve të këtij dikasteri, kjo kërkesë nuk është marrë asnjëherë parasysh, ndërkohë që ndërprerja e furnizimit me energjie për ujësjellësit është thuajse e pamundur për shkak të shërbimit të rëndësishëm që ato ofrojnë.