MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Vrapo kryeministër, vrapo para se të na marrë lumi…

06.10.2019 - 18:27

Nëse ka ndonjë qytet që do të tregonte në mënyrën më të qartë qeverisjen e shëmtuar të viteve të tranzicionit në Shqipëri, ky do të ishte Pogradeci.

I bekuar nga Perëndia me një liqen, ku mund të bësh turizëm, me një ujë që edhe mund të pihet, që ka një nga llojet më të rralla të peshkut me të cilin gostitet ndonjëherë edhe Mbretëresha e Anglisë, do të habiteshe, nëse të thonin se deri para pak kohësh kishte gati 90 e ca përqind të popullatës pa punë. Ndoshta dhe sot…..

Po kaq pasuri, a është e mjaftueshme për të rrojtur mirë, do të thotë ndonjeri?

Me një klimë nga më të mirat në Shqipëri që favorizon një blegtori dhe frutikulturë të klasit parë. I rrethuar me hekurudhë dhe minerale nga më të rrallat, pasuria e Pogradecit shtohet ca më shumë. Dikur në Gjermani, një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të fajancës në botë, më thoshte se afër tij gjendet material për këtë punë, që është i klasit të parë. Akoma më thoshte po ky i huaj; po afër tij gjendet një lloj materiali, që shërben për të krijuar pudrën e zbukurimit të fytyrës së grave, ndoshta nga më të mirat në botë.

I rrethuar nga dy dogana dhe me aq pak banorë… a ka kuptim të lëngojë Pogradeci?

Niko Peleshi, apo për mua, një nga ministrat më të mirë që kanë pasur qeveritë e Shqipërisë këto tridhjetë vjet, buzëqesh me trishtim; dikur në Korcë në fillim të tranzicionit shpresonim të na mbante Pogradeci me turizmin dhe pasuritë e e tij.

Im atë me atë ironinë e tij, prej fshatari plak, duke deshur të tallej me një nga kryeministrat që dikur donte të shkripëzonte detin në Durrës për ti dhënë ujë të pijshëm qytetit, thoshte: “E keni thjesht, po të hapni një vrimë në Qafën e Thanës, uji vete pa stacion pompimi në Durrës për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit…”

Po, mjafton ti hedhësh një sy qytetit për të kuptuar se për shkak të qeverisjeve që kanë lejuar dhe ndërtime pa kriter, ai është bërë thjesht i pabanueshëm…
Rama deklaroi sot se për herë të parë në Lin, u hodhën 1,5 milionë rasate korani. Është lëvizja e dytë e mirë e tij pas hedhjes në erë të gërmadhave me kafene, restorante e kioska, duke e kthyer në një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë atë ‘shëmti’ që e shoqëronte njeriun, nga Qafa e Thanës deri në Pogradec.

Lëvizje e mirë kjo e Ramës me rasatin e peshkut. Shumë më e mirë, se ajo me Fondin e Solidaritetit. Idetë që fusin njerëzit në punë, janë shumë më të mira se sa lëmosha e ardhur nga paratë e pasanikëve.
Po Rama duhet të vrapojë, e të vrapojë sa më shumë për ide të tilla. Ai dhe të tjerët që i rrinë afër….Ndryshe do shtojmë peshkun dhe do pakësojmë njerëzinë.

Po nëse Pogradeci që është një qytet i bekuar nga Perëndia vuan, çfarë mund të themi për Kukësin?

Studimet e bëra nga Europa dhe jo nga ne, thonë që ai është qyteti më i varfër i Ballkanit dhe rrjedhimisht Europës. Mos i mungojnë pasuritë? Apo duhen hedhur miliarda, që ta rrisim mirëqenien. Në fakt edhe po i hodhëm ato, po prapë Kukësi vuan…

Ky qytet me një pozicion madhështor dhe me bukuri natyrore të jashtëzakonshme që rallë i sheh në Europë, gjendet po ashtu si Pogradeci në varfëri. Dhe ka po aq pasuri. Ka pranë tij një liqen të klasit të parë, që mund edhe peshk të mbajë si Pogradeci. E po të dojë mund të bëjë edhe gara kanotazhi në verë për shkak të pozicionit të liqenit, që veç të tjerash mban me energji dhe një pjesë të mirë të Shqipërisë. Ka afër tij miniera po të klasit të parë, me të cilat dikur bënim edhe eksport. Ka edhe aeroportin dhe i kalon një rrugë pranë, e cila kushtoi miliarda, e po të ishte shoqëruar me hekurudhë, çka Berisha e kuptoi vonë, do ishte ca më mirë.

Po këto i dimë mund të thoshte dikush po …

Dhe prapë duhet të futemi në fushën e ideve që vlejnë më shumë se Fondi i Solidaritetit. Në Saarbryken të Gjermanisë, ku rroja dikur si emigrant, mbijetohej, por me vështirësi vetëm për shkak të minierave. Por, kur pas viteve ’90 u mbyllën dhe Gjermania merrte diku tjetër më lirë qymyrin, si do të rrohesh?

Gjermanët si gjeni të klasit të parë, shfrytëzuan pozicionin qëndror të qytetit në lidhje me Europën. Ata bënë veç të tjerash shkolla të teknologjisë së lartë, ku mbizotërojnë ato për ambjentin. Një rrugë e dy punë. Rregulluan edhe pasojat e dikurshme që la qymyri dhe përdorimi i tij.

Po le të vijmë në Kukës se nuk jemi gjermanë dhe të mbetemi te rrethi i ideve.

“Shiko”, – më thoshte dikur një funksionar i lartë i të djathtës në Shqipëri,- “fshatari i Kukësit si dhe shumë prej rretheve të tjerë, punojnë si bari në malet e Greqisë dhe shumicën e parave i lënë aty për qira e për të ngrënë… Për të mos thënë që vjen rrallë në shtëpi. Më mirë të rrijë bari, në malet e tij. E nëse bën njëqind qingja për t’i shitur në Krishtlindje në Tiranë, i mban për vete ato 10 000 dollarë. Dhe i ha në shtëpi me kalamanjtë e tij.”

Kur ai fliste më kujtoheshin kuksianët dikur që dimëronin në ato zonat rrotull Lushnjës, bashkë me delet e tyre. Sot, natyrisht nuk ka nevojë. Rruga dhe makina në një organizim të mirë, ta bien barinë vetë aty… Po ku ti gjejë paratë për fillim?

Nëse qeveria do të bënte programe për ato njëmijë, a pak më shumë familje fshatare që kanë ngelur në Kukës, mund t’i kreditonte ato me 200 qingja për shtëpi. E pas një periudhe mund t’i rrimerrte paratë e deleve, me interesa shumë herë më të mëdha se bankat. Po dhe t’ua falte fare do kish’ falur 5 milionë euro. Pas disa vitesh do të kishim miliona bagëti, baxho djathi, e cilësi mishi nga më të mirat në Europë. E ndoshta dhe krijimin e formave artizanale të prodhimit të gjithçkaje, për të cilat Kukësi është dhe ka qenë i famshëm.

Po nëse do ta zgjerosh idenë, mund të bësh programe pyllëzimi pa fund. E bota këto lloj fidanësh, ti jep pa asnjë lek. Pyjet e krijuara si në Suedi, ku fidanët t’i jep shteti e pastaj t’i blen si material drusor, blihen pastaj po nga vetë shteti a individi.

E nëse do t’i shtosh, a pasurosh idetë krijo në Kukës shkolla teknike të vlefshme për ne dhe Kosovën, duke iu afruar kështu idesë së gjermanëve. Rama para disa ditësh vendosi që dhe në Fierzë të krijojë rezervate peshku. Janë më të mira se Fondi i Solidaritetit.

Për ta mbyllur do të thosha: Jam me rasatin e Linit, me qingjat e Kukësit dhe jo me Fondin e Solidaritetit!
A ka të cara në idetë sipër? Po, padyshim që edhe mund të ketë. Po më mirë ato se sa përgjimi si nëpër ferra mbas portaleve, ku torrollakë gjithfarësh, a militantë qorra, që nuk kanë punë me idetë, qëllojnë me saçme tutkunësh.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin