Kjo është një praktikë e zakonshme tashmë, që ndiqet nga mediat kryesisht. Në bazë të paraqitjeve të futbollistëve përftohet top-formacioni i javës, i muajit apo edhe i krejt sezonit. Ka kritere që zbatohen në kësi rastesh, kur është fjala për konkluzione të tilla zyrtare nga FIFA dhe UEFA, në raste çmimesh vjetore.
Në raste të tjera, përzgjedhja e një top-formacioni shtrihet më gjatë në kohë, deri në një dekadë, kështu që në lojë hyn edhe imazhi i krijuar e lënë nga futbollistë të veçantë në mendjen e gjithsecilit. Më konkretisht, portal sportiv shumë i njohur ‘90min’, ka guxuar dhe ka zgjedhur 11-shen më të mirë të dhjetë viteve të fundit.
Sikurse mund ta shihni në grafikun përkatës, në këtë formacion janë përfshirë emra të spikatur, që kanë bërë historinë e këtij sporti në këtë periudhë kohore dhe janë ende aktivë, si Neuer, Ramos, Chiellini, Marcelo, Dani Alves, Busquets, Modric, Iniesta, Messi, Ronaldo dhe Suarez.
Shumë ndjekës të futbollit mund të kenë mendime të ndryshme, pasi mund të ketë edhe emra të tjerë që e meritojnë të jenë në këtë formacion, i cili, e theksojmë sërish, përfshin dekadën e fundit.