MENU
klinika

Pas afatit ligjor

Zgjedhjet/ KQZ pa vendim për 4000 vota të emigrantëve

12.10.2019 - 21:02

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me mbi 4 mijë vota të mërgatës të ardhura përmes postës pas afatit ligjor.

E vendim nuk ka marrë as për mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia që janë dorëzuar fizikisht dhe jo përmes postës.

Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve në raportimin e tij, tha se janë mbi 3 mijë zarfe nga Serbia që janë dërguar fizikisht në postë.

“Me postë kanë ardhur 15 mijë 795, mbi 3 mijë zarfe nga Serbia, këto zarfe janë dërguar fizikisht në postë. Mbi 4 mijë zarfe Kanë arritur pas afatit, gjatë verifikimit kemi vërejtur se janë futur në posta ndërkombëtare dhe mbajnë datat 19, 20”, tha ai.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, ka kërkuar që këto zarfe të diasporës të procedohen si të rregullta.

“4 mijë e 500 zarfeve nga mërgata që janë pranuar pas afatit. Këta duhet të miratohen si të rregullta në kuptimin e pranimit të tyre. Nuk ka asnjë pengesë që këto të procesohen si të rregullta”, tha ai.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, tha se duhet të respektohet ligji në rastin e këtyre votave.

“Në bazë të ligjit të dyja janë të jashtëligjshme. Ligji e parasheh 24 orë para votimit duhet të jenë ato vota. Votat nga Serbia totalisht jashtëligjshëm kanë ardhur në Kosovë, ligji e përcakton që duhet me postë. Njësia duhet ta zbatojë ligjin. Janë afate dhe është ligj. Votat që vijnë duhet ta kenë vulën e shtetit nga kanë ardhur. Ato vota po shihen që janë të fabrikuara”, tha ai.

Respektim të ligjit ka kërkuar edhe anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.

“Unë mendoj që ligji e thotë qartë mënyrën dhe procesin si zhvillohet votimi nga diaspora, kur vijnë votat. Unë kërkojë nga njësia përkatëse që të respektohet vetëm ligji dhe edhe ne edhe njësia do të dalim mirë. Kërkojë që votat që vijnë nga Finlanda të mos hapen pa qenë prokuroria për shkak të një video që është publikuar”, tha ai.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së tha se në të dyja rastet pret që të respektohet ligji.

“Unë pres nga njësia që të zbatohet ligji”, tha ajo.

Ndërkohë, Burim Ahmetaj nga QNR ka thënë se është duke vazhduar rinumërimi i vendvotimeve.

Deri në ditën e djeshme kanë përfunduar 95 vendvotime, nga 314 sa janë paraparë të rinumërohen.