Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kanë reaguar lidhur me procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura të dielën në Kosovë.
Hahn e Mogherini i kanë cilësuar zgjedhjet si të qeta, nga ku edhe kanë bërë thirrje që sa më shpejtë të formohet Qeveria e re, shkruan lajmi.net.
“Zgjedhje të qeta u zhvilluan më 6 tetor në Kosovë. BE-ja kërkon formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, në momentin që përfundojnë të gjitha procedurat ligjore. Kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në reformat ekonomike dhe sociale, sundimit të ligjit si dhe dialogut Kosovë-Serbi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Hahn e Mogherini presin nga akterët politik që të mbesin të përkushtuar në këto procese, të cilat sipas tyre janë parësore për progresin e Kosovës në rrugën evropiane.
Hahn dhe Mogherini theksojnë rëndësinë e misionit të BE-së në Kosovë gjatë këtyre zgjedhjeve.
“Sipas misionit të BE-së, zgjedhjet ishin mirë të adminsitruara dhe transparente. Kampanja ishte sfiduese në Kosovë, mirëpo ishin të theksuara disa parregullsi në vendet e banuara me serbë”, thuhet në komunikatë.
Mogherini dhe Hahn kanë bërë të ditur se BE do të formulojë raport me rekomandime për zgjedhjet që do të mbahen në të ardhmen në Kosovë.
BE, sipas komunikatës së lëshuar është e gatshme të ndihmojë në këtë proces.